Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

MEI, tryezë për liberalizimin e tregut të energjisë

Ministria e Energjisë dhe Industrisë organizoi sot një tryezë me përfaqësues të dhomave të tregtisë dhe biznesit ku u diskutua mbi liberalizimin e tregut të energjisë elektrike. Të pranishëm ishin përfaqësues nga Enti Rregullator, OSHEE, KESH, OST, Konfindustria, Dhoma Amerikane e Tregtisë, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, Dhoma Britanike e Tregtisë, Dhoma Turke e Tregtisë dhe Shoqata e Tregtarëve të Energjisë.

Në fjalën e tij, Ministri Gjiknuri deklaroi se Operatori i Shpërndarjes së Energjisë i ka planifikuar investimet për të mbështetur procesin e liberalizimit. “Edhe Banka Botërore ka qenë mbështetëse në këtë drejtim dhe dua ta falenderoj sepse edhe ky aktivitet është nën kujdesin dhe nën mbështetjen e tyre”, u shpreh z.Gjiknuri.

Ai tha se synimi i qeverisë është krijimi i një tregu të brendshëm të energjisë dhe më pas edhe një treg bilateral përfshirë Kosovën e më gjërë. Perspektiva është ajo e krijimit të një burse shqiptare të energjisë dhe më tej bashkëpunimi me vendet fqinje. “Jemi duke punuar për kryerjen e përgatitjeve dhe heqjen e të gjitha barrierave duke i dhënë vendit mundësinë që të konkurojë lirisht në një treg të liberalizuar, duke shfrytëzuar avantazhin e burimeve hidrike me kosto të ulët”, nënvizoi ai.

Ministri sqaroi se në qendër të reformës së liberalizimit është dhe liberalizimi i tregut me pakicë drejt zbatimit të reformës më tej edhe në Operatorin e Shpërndarjes.

“Në kushtet e sistemit tonë energjitik, kjo hapje e tregut po bëhet e shkallëzuar, për arsye se për realizimin e tij duhet një sistem elektroenergjitik me karakteristika tekniko-ekonomike të krahasueshme me sistemet e lidhura me ta. Ky proces do mbështetet gjithashtu me investime në Rrjetin e Shpërndarjes me vlerë rreth 100 milion Euro dhe me një infrastrukturë moderne të matjes”, tha z.Gjiknuri.

Sipas tij, liberalizimi nuk është qëllim në vetvete. “Prioriteti jonë kryesor në këto vite dhe vazhdon që të jetë është rimëkëmbja e sektorit elektroenergjetik. Ishim në një vdekje klinike, nga vdekja klinike trupi është ringjallur, në njëfarë mënyre po fiton shëndetin e nevojshëm. Por akoma nuk është gati për garë, për sprint, siç janë bërë të tjerët. Kjo do të dojë një fazë të caktuar dhe pikërisht të gjithë ne pjesë të sistemit, duhet të marrim kostot e nevojshme por njëkohësisht të paguajnë kontributin e nevojshëm dhe këtu duhet një bashkëpunim”, theksoi z.Gjiknuri.

Ai bëri thirrje që të mbahet larg demagogjisë politike energjitika pasi është një sfidë për çdo qeveri. “Nuk duam që procesi i liberalizimit të krijojë një kompani rentiere. Pra që merr atë rentën dhe nuk ka eficiencë. Por pikërisht për shkak të liberalizimit dhe presioni do të jetë shumë më i madh në mirëadministrimin e korporatave”, vlerësoi z.Gjiknuri.

Ministri tha se liberalizimi sjell një përfitim të dyfishtë. “Mirëadministrimi, investimet në rrjet, rritja e sigurisë së furnizimit patjetër do të ulë koston e aksesit. Dhe nesër çdo luhatje të çmimit në tregun ndërkombëtar të energjisë patjetër nuk e dëmton konsumatorin për shkak të tarifave të aksesit më të pranueshme, pasi janë kryer edhe këto investime”, tha Gjiknuri.

Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës z.Nikolin Jaka tha se ka qenë pjesë e konsultës për ligjin e ri të energjisë dhe liberalizimin. “Krahas vlerësimit që kam për Ministrinë e Energjisë si në uljen e humbjeve, si në reformën që u bë në energji, gjithashtu investimet që po bëhen është jashtëzakonisht e rëndësishme që të kihet parasysh të paktën obligimi që ka ndaj konsumatorit, ndaj sipërmarrjes. Lidhur me sistemin dhe aksesin është jashtëzakonisht e rëndësishme që ministria dhe operatori që do të bëjë mundësimin e vënies në dispozicion të rrjetit të kihen parasysh çmimet që do ti ofrohen operatorëve gjenerues të energjisë. Nga ana tjetër është e rëndësishme cilësia e ofrimit”, u shpreh z. Jaka.

Kreu i Konfindustrisë z.Gjergji Buxhuku tha se procesi i liberalizimit procesi i liberalizimit është i mbështetur, por me kushtin që të jetë i mirëorganizuar. “Duhen të jepen garanci për investimet fizike, pra investimet në linja duhet të jenë të sigurta. E dyta, më e rëndësishmja është fakti dhe shqetësimi që ka ardhur pranë Konfindustrisë nga konsumatorët, është çështja e tarifave të linjave. Ne duhet të kemi të qartë që në vendimin e ERE-s duhet që kostot të jenë të mirë përcaktuara. Liberalizim pa numër të madh operatorësh nuk ka kuptim”, u shpreh z.Buxhuku.

Përfaqësuesi i Dhomës Amerikane të Tregtisë z.Lorenc Gjoni tha se mbështet kërkesën për një treg sa më transparent dhe për një bursë që funksionon mirë. “Më vjen mirë që e dëgjoj që u vu theksi tek cilësia e shërbimit do të vazhdojë, të shpresojmë që këto shqetësime së mëparshme të adresohen në të njëjtën kohë, ndërsa bëhen investime në përmirësimin e rrjetit. U vlerësoj për përfshirjen e grupeve të interesit në ndryshime dhe kërkoj që të jemi sa më të përfshirë”, nënvizoi z.Gjoni.

Përfaqësuesi i Shoqatës Shqiptare të Furnizuesve të Energjisë Elektrike z.Sokol Spahiu theksoi se do të dëshironte që liberalizimi të përfshinte edhe sektorin e shitjes me shumicë. “Ne i shohim si dy procese të ndërthurura, liberalizimin e shitjes me pakicë dhe liberalizimin e së shitjes me pakicë. kërkesa parë ndaj qeverisë është që të procedojë sa më shpejt me liberalizimin e mëtejshëm të tregut të shumicës së energjisë elektrike në mënyrë që të kemi balancimin e plotë ndërmjet tregut të shumicës dhe tregut të pakicës”, u shpreh z.Spahiu.

Të dhëna teknike:

Ligji i ri i sektorit të energjisë elektrike miratuar në Prillin e vitit 2015 bazohet mbi Paketën e Tretë Rregullatore që parashikon hapjen e mëtejshme të tregut duke bërë të mundur zhvillimin e një tregu të lirë, konkurues dhe efiçent si dhe duke garantuar një furnizim të qëndrueshëm e me cilësi për konsumatorët. Konkurenca dhe çmimi i tregut bën që pjesëmarrësit të investojnë për të menaxhuar burimet e tyre me cilësi dhe në mënyrë efikase.

Prej Korrikut 2016 parashikohet të dalin në tregun e lirë konsumatorët biznese të lidhura në tensionin 35 kV (82 të tilla). Në Janar 2017 parashikohet të dalin në tregun e parregulluar ata konsumatorë që janë të lidhur në rrjetin 20 kV (968 të tillë). Ndërkaq, në Janarin e vitit 2018 do të bëhet shkëputja edhe e konsumatorëve që janë të lidhur në rrjetin 10 kV dhe 6 kV. Në total, brenda vitit 2018 do duhet të dalin në treg për të siguruar energjinë elektrike sipas përcaktimeve të ligjit 6200 subjekte biznesi.

Shqipëria e ka tanimë një eksperiencë pozitive në procesin e liberalizimit pasi në vitin 2011 u shkëputën 7 konsumatorë të mëdhenj (8.4% e konsumit kombëtar) duke dalë në tregun e liberalizuar në të cilin operojnë dhe sot.

Sipas ligjit, ndryshimi i furnizuesit bëhet me kërkesë të klientit fundor dhe pa kosto shtesë. Furnizuesi aktual është i detyruar të furnizojë klientin deri në përfundimin e procedurës së ndryshimit të furnizuesit. Pasi klienti të nënshkruajë një kontratë me furnizuesin e ri të energjisë, ai do të anulojë të gjitha kontratat me furnizuesin e mëparshëm. Për zbatimin e këtij procesi do të kryhet investimi në sistemin e matjes së energjisë në kohë reale dhe transmetimi i tyre në një platform regjistrimi.

Megjithëse këta klientë do të kenë mundësi për të zgjedhur lirisht furnizuesin e tyre të energjisë, rrjetet e transmetimit dhe shpërndarjes do mbeten të pandryshuar. Furnizuesit regjistrohen tek Operatori i Tregut për pjesëmarrjen në treg dhe nënshkruajnë marrëveshje për detyrimet e ndërsjella. Ndërkaq, lidhet dhe marrëveshje me OSHEE për shërbimet që ky operator bën duke përcaktuar të drejtat dhe detyrimet e aksesit në rrjet, cilësia e shërbimit dhe mirëmbajtja.

energjia.al  09.06.2016