Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Ari fillon “përmbysjen”

Ari ra poshtë 1200 dollarë për onz për të parën herë në 3 muaj gjatë hapjes së sesionit tregtar të së Hënës, pasi dollari amerikan arriti nivelin e lartë të muajit Prill ndërkohë që Rezerva Federale deklaroi se do të rrisë normat e interesit në takimin e rradhës.

“Rezerva Federale do të rrisë normat e interesit nëse ekonomia rimëkëmbet dhe tregu i punës vazhdon i fuqishëm”, tha Janet Yellen duke shtuar pritshmëritë e tregjeve për muajin Qershor. Ecuria e metalit të çmuar ka qenë pozitive në fillim të 2016-ës.

Në 15 Dhjetor 2015, ari qëndronte në 1050 dollarë për onz dhe arriti në 1300 dollarë për onz më datë 2 Maj. Ndërsa perspektiva e vazhdimit të ciklit tkurrës monetar në SHBA është bërë më e qartë, ecuria pozitive e arit po përmbyset.

Frenimi i vrullit të metalit të çmuar nisi me publikimin e procesverbalit të Rezervës Federale, ku shihej një optimizëm në Bordin e Guvernatorëve. Një rritje e normave të interesit në SHBA e bën arin më pak të tërheqshëm në krahasim me aktivet e tjera që bartin një normë interesi.

Manaxhuesit e parasë kanë reduktuar gjithashtu bastet e tyre mbi rritjen e metalit të çmuar në nivelin më të lartë të këtij viti. Pozicioni neto afatgjatë në kontratat futures dhe options për arin ra me 26% në 169,491 kontrata gjatë javës së kaluar, tregon Komisioni amerikan i kontratave futures për lëndët e para.

Manaxhuesit e portofoleve në Shtetet e Bashkuara tregojnë se investitorët po shqetësohen mbi fitimet që kanë mbetur në mbajtjen e metalit të çmuar. Sipas tyre, kur investohet në një aktiv që është rritur me rreth 23% në vetëm disa muaj, një tërheqje e fuqishme është e mundur. Ndër metalet e çmuara, argjendi dhe platini prekën nivelet më të ulëta në 7 javë.

Scan TV,  30.05.2016