Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Reforma e suksesshme në energji do vazhdojë

Fjala e Ministrit të Energjisë dhe Industrisë z.Damian Gjiknuri në seancën parlamentare

I nderuar drejtues i seancës,

Në vend që të ishte një seancë ku vërtet të ballafaqoheshin politikat dhe ajo çka është bërë, del këtu ‘Sali komiku’, që është i vetmi njeri që e zbaton teorinë ‘dhimbjen ta kthejmë në forcë’. Ai del këtu të shesë dështimin për sukses, vetëm ai njeri mund ta bëjë. Shet dështimin e tij për të mos e bërë këtë linjë në kohë, për ta dështuar për interesa të vogla dhe dihet se është dështuar për shumë kohë.

Populli është shumë i qartë dhe i kupton shumë mirë këto gjëra. E ka parë se çfarë ka bërë ai njeri për sistemin elektroenergjitik. E ka kuptuar kufomën që ky njeri ka ngritur, fantazmën e tij gjoja gjigande me superfuqi, dështimin e gropën më të madhe që i bëri Buxheti të Shtetit dhe ekonomisë së vendit me politikat e tij të papërgjegjshme. Gjithsesi, unë këtu jam për të komunikuar me qytetarët shqiptarë por ai e meritonte një përgjigje për shpifjet që hodhi.

Sot është një moment i rëndësishëm, i paraprin një ngjarjeje e cila për tre javë do të bëhet realitet, që është inaugurimi i kësaj linje. Kjo është gjëja më e rëndësishme që duhet ta dëgjojnë qytetarët shqiptarë. Qeveria shqiptarë, në kohë rekord prej 2 vjetësh e përfundoi këtë vepër, këtë investim kaq strategjik mes Shqipërisë dhe Kosovës. Kjo vepër, në fund të Qershorit do të fillojë, do të hyjë në funksionim. Ky është lajm i mirë për të dy anët e kufirit, për të gjithë kombin tonë sepse Shqipëria po kryen investimet dhe po lidhet me infrastrukturë energjetike aq të nevojshme për të bërë të mundur edhe atë projekt të madh që kemi, bashkimi energjetik më Kosovën. Do mund të vëmë në funksion burimet e Kosovës në dobi të Shqipërisë dhe anasjelltas sepse përmbajtja e burimeve të Kosovës me linjitin dhe Shqipëria me hidron bëjnë një balancim jashtëzakonisht të mirë të sistemit elektroenergjetik. Këtu ka qenë qëllimi, investimi në këtë linjë dhe kjo u bë realitet nga kjo qeveri në një kohë rekord. Pati madje edhe një devijim të projektit për të ruajtur disa vlera historike siç ishte rasti i Komanit, të cilin qeveria e mëparshme nuk e kishte marrë parasysh. Pra, flasim për pjesën e Komanit ku ishin gjetje arkeologjike apo një qytetërim i cili duhet ruajtur dhe kjo e vonoi pak projektin. Ne jemi krenar që edhe trashëgimia kulturore e historike u shpëtua por dhe linja u përfundua në kohë.

Dje ishim në një ceremoni jashtëzakonisht të rëndësishme që ishte inaugurimi i qendrës dispeçer, truri i sistemit elektroenergjetik shqiptar. Po ta marrim këtë organizëm do të shikojmë që ai po funksionon në tërësinë e tij, megjithëse në vitin 2013 ishte tërësisht një kufomë. Një kufomë e plotë energjetike, e cila e rrezikonte Shqipërinë nga të gjitha pikëpamjet. Dje inauguruam trurin energjetik, i përfunduar vetëm në kohën tonë. Shqipëria, për shkak të këtij investimi të realizuar në qeverisjen tonë, u bë anëtar i ENSO-E, pra anëtar i Bashkimit Europian. Është një tregues që ne në sistemin energjetik, sot jemi anëtarë të plotë të Bashkimit Europian për shkak të këtyre investimeve.

Ju kjo ju bën xheloz sepse energjia ka qenë dështimi më i madh i juaji. Siç qe dikur kali juaj i betejës që hapët furinë e koncesioneve, qëlloi gropa më e madhe. Bëtë privatizimin më të dështuar në histori, që e futët vendin në një krizë të madhe dhe morët në qafë shumë investitorë, pa kryer një model të qëndrueshëm ekonomik. Tanti bëheni xheloz pse qeveria po e realizon me sukses një proces shumë të vështirë, i cili nuk është se ka mbaruar. Kjo reformë po vazhdon, ky ristrukturim i gjithë sektorit energjetik po vazhdon, por është një proces që po ecën me këmbë të sigurta. Këtu bëheni xheloz për shkak të investimeve që bëjmë. Doli një ish zv.ministër tha po bëhen tendera, nuk po bëhen investime. E kupton çfarë lloj niveli?! Po, zotëri investimet publike me prokurime publike bëhen, me tendera. Ju dilni dhe akuzoni Operatorin e Shpërndarjes, apo KESH-in dhe Operatorin e Sistemit të Transmetimit se pse po bën tendera? Pra thoni pse po bëhen investime aq të munguara në sistemin elektroenergjetik shqiptar? Shifrat flasin vetë. Kjo është e vërteta dhe thoni çfarë të doni. Qesharakë janë ata që nuk duan të ballafaqojnë shifrat. Kjo është e vërteta.

Në sistemin e shpërndarjes, pasi filloi disiplina në pagesat e energjisë elektrike, të marra sëbashku po bëhen mbi 100 milionë dollarë investime, aq sa ju kishit parashikuar në 4 vjet, nga vitit 2009 në vitin 2013. I drejtohem qytetarëve shqiptarë, se ju në fund të fundit jeni në misionin tuaj si opozitë, ju doni të bëni pis, thoni ato që thoni të shtyni ditët, prisni mbase zgjedhjet. Ky është misioni juaj. Unë ju drejtohem qytetarëve shqiptarë, të cilët përditë po shikojnë që disiplina në pagesa, rritja e likuiditetit financiar po kthehet në investime. Cilat janë këto investime? Ju e dini shumë mirë se çfarë investimesh po bëhen në Tiranë, në gjithë rrethinat e Tiranës me rrjet 20 kilovolt, me sistem që po futet në tokë, me kablla ABC. Ju e dini shumë mirë, shkoni në Fier, shkoni në Durrës, në Spitallë, zona që dikur kishin fije jo rrjet energjetik. Shikoni çfarë po bëhet në jugun e Shqipërisë. Për shkak të kësaj qeverie, u vu në funksion unaza e jugut. Shume shpejt, këto ditë po prokurohen dy nënstacionet. Po përfundon procedura për dy nënstacione,Orikumi dhe Himara. Ka filluar procedura e ndërtimit për nënstacionin e Dhërmiut. Pushuesit, në vitet në vijim do të kenë cilësi energjie si në qendër të Shqipërisë, në jugun e Shqipërisë.

Energjia është një pasuri e përbashkët. Nuk është as një mall elektoral që ju e tregtuat gjithmonë sa herë donit të vinit për fushata. Nesër pretendoni që të vinit vetë në pushtet, nuk mund të luani në mënyrë të tillë. Është mall i përbashkët, është një e mirë e përbashkët e cila po ju kthehet qytetarëve. Gjithë ajo mbështetje që dhanë qytetarët me pagesat e tyre, po ju kthehet në investime. Ata po e shikojnë që janë vendosur mijëra matësa vetëm 2 vitet e fundit për konsumatorë që nuk kanë pasur matësa të energjisë elektrike. Kanë mbetur edhe 21 mijë, të cilët do të plotësohen dhe në 2-3 muajt e mbetur. Në Shqipëri, për herë të parë pas 25 vjetësh, çdo qytetar ka matës në sistemin elektrik. Pra, do të paguajë në bazë të energjisë që konsumon dhe kjo është një arritje e kësaj qeverie.

Kjo erdhi pikërisht për shkak të disiplinës financiare, pagesave të shtuara, marrëveshjet që bënë njerëzit për pagesën e energjisë dhe patjetër këto të kthyera në investime. Të gjitha këto kanë hapur mundësi të mëdha, ne po kryejmë reforma të thella në këtë sektor. Nuk është vetëm ajo që duket sepse ju doni ta katandisni të gjithë reformën tek pjesa pagesës. Këtu po bëhen reforma në të gjithë kompanitë e sektorit elektroenergjetik. Po të shikoni të dhënat financiare janë shumë herë më të shëndosha se sa ishin. Do të thotë se nuk janë kthyer më barrë në Buxhetin e Shtetit.

damian gjiknuri parlamentJa tu tregoj një grafik që është domethënës dhe publiku ta shikojë. Shikoni sa lekë merreshin nga Buxheti i Shtetit në vitin 2013 vetëm për të mbuluar dështimin e kompanive elektroenergjetike. 21 miliard lekë, që do të thotë rreth 200 milion dollarë i hiqeshin shkollave, i hiqeshin spitaleve, i hiqeshin nevojave të tjerave të qytetarëve dhe shkonin për të mbuluar keqmenaxhimin. Shikoni si ka vajtur grafiku. 5 miliard është sivjet dhe vetëm garanci për investime. Pra, nuk është më para që shkon për keqmenaxhim, por janë para që shkojnë për investime. Pikërisht këto do të kthejnë cilësinë e furnizimit, këto do të konsolidojnë modelin tonë ekonomik me energji dhe këto po i hapin rrugën edhe investimeve private.

U bë një reformë e rëndësishme edhe në tregun e energjisë. Shumë shpejt, një pjesë e klientëve do të dalin në tregun e liberalizuar. Shtrohet pyetja, si do të furnizohen këta po nuk pati investime dhe një rrjet të qëndrueshëm? Pikërisht këto investime aty po shkojnë. Shumë shpejt do të fillojë linja me Maqedoninë. Pas përfundimit të Kosovës, vitin tjetër fillon linja e interkonjeksionit me Maqedoninë, një vepër prapë shumë e rëndësishme energjetike, që do të kryhet nga kjo qeveri. Pse? Me këtë mundësohet plotësisht interkonjeksioni i Shqipërisë me të gjitha vendet rajonale. Por çfarë do të thotë kjo? Do të thotë se burimet tona potenciale në energji do të kenë mundësi të tregtohen në të gjithë rajonin dhe kur ne mund të kemi nevojë mund të importojmë me çmime shumë më të lira sesa tani. Këto janë mundësitë e komunikimit, janë si rrugët edhe infrastruktura e interkonjeksionit energjetik.

Ju e dini shumë mirë që ato koncesionet që ju dhatë nuk i kishin bazuar në një model ekonomik të qëndrueshëm dhe kur filluat konfliktin me CEZ, ngritë të gjithë aspektin rregullator të sistemit elektroenergjetik. Dhe çfarë shkaktuat për shkak të ngrirjes?! Normal, u futët në një kaos që nuk do të dinit ku do të dilnit. Shkaktuat 9 miliard lekë borxhe tek hidrocentralet private, vetëm për shkak të ngrirjes së aspektit rregullator. Çfarë ndodhi?! Këto para u shlyen këto vite dhe sot prodhuesit privatë të energjisë elektrike, kuptohet me çmime të ristrukturuara bazuar në tregun ndërkombëtar të energjisë dhe me incentivën që i cakton sipas ligjit për energjitë e rinovueshme,  marrin pagesën e tyre në kohë. Pikërisht, kjo është për shkak të suksesit të këtyre reformave. Këto janë shifra kokëforta, mbase nuk ju pëlqejnë.

Pse po vijnë për herë të parë investitorët ndryshe nga modeli juaj i famshëm ekonomik?! Pse po vijnë po investojnë në hidrocentrale me kapacitete të mëdha pa garanci të blerjes së energjisë nga qeveria?! Sepse po ndodhim dy zhvillime. Së pari interkonektiviteti. Një rrjet i mirë dhe i qëndrueshëm, po krijojmë garancinë që ka treg për energjinë elektrike. Çfarë do të ndodhë me këto interkonektivitete? Këta prodhues, qoftë Poçemi, qoftë nesër Katundi i Ri, qoftë një hidrocentral i madh që po negociohet dhe shumë shpejt po fillon nga investitorë austriakë në një vlerë prej 60 milion eurosh. Pra, po ju them vetëm për 3 vitet e ardhshme, vetëm në investime private në fushën e hidroenergjisë do të ketë 300 milion euro investime dhe më një risi shumë interesante, pa garanci blerje energjie. Po hedhim hapa për krijimin e tregut të energjisë elektrike. Do të krijojmë një platformë ku të gjithë prodhuesit do të mund të tregtojnë në këtë platformë dhe aty do të blihet edhe energjia nga shumë konsumatorë që nesër do të dalin në tregun e liberalizuar. Kjo do të thotë, të krijosh një model tregu të qëndrueshëm ekonomik dhe jo të japësh premtime në letër.

Vetëm mentaliteti i Sali Berishës e quan një vepër të përfunduar kur ajo fillon pa para. Pa para e pa projekt, mjafton të hidhet llaçi aty dhe i fillova unë thotë rrugët, fillova unë veprat. Pra, këto janë gjëra që publiku shqiptar duhet ti dijë. Duhet ta dijë se edhe atë premtim që ne kemi dhënë do ta mbajmë, që me përfundimin e vendosjes së të gjithë matësave, qytetarët shqiptarë nuk do të kenë më fatura aforfe por përkundrazi do të paguajnë atë që konsumojnë. Kjo po bëhet realitet për shkak të pagesave të shtuara, për shkak të gjendjes financiare të Operatorit të Shpërndarjes.

Të gjitha këto reforma kanë konsoliduar mbi të gjitha Buxhetin e Shtetit sepse tanimë paratë nuk po shkojnë më për të mbuluar gropat dhe keqmenaxhimin por po shkojnë në drejtim të investimeve në sektorin elektroenergjitik. Duke krijuar kështu, premisat për qëndrueshmëri në çmimet e energjisë elektrike. Nëse do të vazhdonim me kaosin që kishin nisur, Shqipëria do të kërkonte të rriste akoma më shumë çmimet e energjisë. Përkundrazi, këto çka ne kemi bërë, do të na krijojnë stabilitet dhe në të ardhmen, pasi të krijohen të gjitha potencialet financiare që mund të shndërrojë reforma në energji, do të ketë mundësi mbase edhe për ndonjë ulje të çmimit të energjisë. Kjo është perspektiva e të gjithë këtyre reformave.

Investimet e tjera po bëjnë të mundur edhe vënien në punë të një vepre tjetër. Po i japim perspektivë një tjetër fantazme që para një jave Sali Berisha na e quajti investim për Vlorën. Po flas për atë fantazmën energjitike të TEC-it të Vlorës dhe prapë ai dështimin ta shet për sukses. Kemi investuar në Vlorë tha 100 milion USD për një fantazmë që rri aty si hekurishte. Me reformën që po kryejmë edhe në fushën e gazit, me interesin e investitorëve privatë, po krijohet mundësia që edhe kjo vepër të futet në funksion. Të gjitha këto janë efekte të reformës energjitike dhe normalisht e kam thënë se ju keni një detyrim të kërkoni ndjesë të madhe.

Sa për ilustrim po ju them një shifër tjetër që ju doni ta harroni. Shikoni se sa arkëtohej në sistemin elektroenergjitik në vitin 2013 prej jush. Nga 100 USD të hedhura vetëm 35 përfundonin në arkën e sistemit elektroenergjitik. Sot situata ka ndryshuar katërciprisht, humbjet po shkojnë në nivelin e nën 30% dhe sektori nga ana financiare po ndihet më i shëndoshë. Këto arritje në fakt ju nuk doni ti përmendni sepse janë njëkohësisht dështimi juaj.

Filluat para dy javësh një fushatë në lidhje me çmimin e energjisë por e patë se dolët bllof. Doli një kolege këtu në konferencë për shtyp por shumë shpejt mori sqarimin nga Enti Rregullator i Energjisë dhe nga Instituti Evropian i Statistikave. Ju nxorën bllof, pasi çmimi i energjisë për shkak të ristrukturimit të tarifës ka pësuar rënie, nëse do kishim të njëjtin model të konsumit të energjisë, me tarifat e vitit 2012-2013. Ja çfarë thotë Eurostat në vitin 2014 çmimi mesatar i energjisë në Shqipëri ishte 1,116 cent/euro, pra me gjithë TVSH rreth 13 lekë. Tanimë thotë se çmimi pas ndryshimeve tarifore bëhet 0,81 cent/euro. Pra, ka një rënie të dukshme të tarifës së energjisë elektrike.

Pas asaj tarife fshiheshin shumë hajdutë dhe kjo që e vërteta. Mjafton të shikoni konsumin e energjisë elektrike, është ulur 7%. Pse është ulur? Në kushtet e një rritjeje ekonomike 3% do duhet të rritej edhe konsumi. Kjo ndodh sepse nuk shpërdorohet më energjia, njerëzit paguajnë dhe nuk e harxhojnë energjinë si deri dje që nuk e paguanin. Tani që e paguajnë energjinë, kemi një rënie të konsumit edhe tek fasha. Ka rënë deri në 40% ajo që quhej fasha e famshme që do prekte siç thonin këta 70% të popullsisë. Prandaj, them se realiteti është ndryshe dhe ndaj çmimi mesatar i energjisë në sajë të reformës rregullatore është ulur. Qytetarët shqiptarë nuk e hëngrën parullën tuaj dhe ndaj e keni lënë edhe si betejë pasi nuk ju eci.

Tani keni nisur me skemën tjetër të mashtrimit, thoni fatura aforfe apo mbifaturime. Ju thjesht po nxisni njerëzit. Nga skema e tritolit tani po ju thoni njerëzve thyeni matësa dhe mos paguani energjinë. Unë ju drejtohej qytetarëve se vërtet do heqim faturat aforfe por kush guxon dhe prek matësin e energjisë elektrike që po investohet me djersën dhe kontributin e qytetarëve do të marrë ndëshkimin maksimal. Nuk do ti shpëtojnë pagesës së energjisë elektrike dhe nuk kanë asnjë shans. Do të marrim masat dhe çdo njeri do penalizohet nëse vepron në kundërshtim me ligjin.

Mos u bëni më thirrje njerëzve të mos e paguajnë energjinë, mos u bëni më thirrje njerëzve të thyejnë sahatet. Nuk bëhet politikë elektorale me energjinë elektrike. Energjia elektrike është një pasuri e përbashkët, prandaj qytetarët shqiptarë e konsiderojnë si një nga reformat më të rëndësishme e që po u kthehet atyre përditë në investime.

Faleminderit.

energjia.al  27.05.2016