Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Nafta arrin 50 USD për fuçi

Çmimi i naftës në bursat ndërkombëtare iu afrua 50 dollarëve për fuçi gjatë ditës së sotme, duke arritur në nivelin më të lartë të 7 muajve. Rritja erdhi pasi të dhënat sugjeruan një rënie më të madhe sesa pritej të inventarëve në SHBA. Në kahun tjetër shitja e fortë e shtëpive në SHBA mund të bëjë që Rezerva Federale të rrisë interesat që në qershor. Tregjet presin që nafta të kalojë mbi 50 dollarë për fuçi në javët në vijim, nisur nga të dhënat pozitive të ekonomisë amerikane.

Në tregun shqiptar nafta tregtohet aktualisht me 150-158 lekë për litër, pas rritjes me 5 lekë për litër në fillim të këtij muaji.
Burime nga Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve pohuan se nëse nafta në bursat ndërkombëtare do të qëndrojë në këto nivele edhe të paktën për 10 ditë, atëherë ky shtrenjtim do të reflektohet edhe në tregun e brendshëm.

Megithatë, ata pohojnë se ndonëse në raport me janarin, nafta në tregun ndërkombëtare pothuajse është dyfishuar, në Shqipëri ka mbetur në nivele të qëndrueshme, me një shtrenjtim të lehtë prej 5%.

Sipas të dhënave të Global Petrol Price, të përditësuara ë 23 maj, Shqipëria renditej e 15-a në botë në listën e vendeve më të shtrenjta për karburantin, duke qenë në nivele të përafërta me shtete të tilla si Danimarka dhe Zvicra. Në vendet fqinjë si Maqedoni e Mal të Zi, naffa tregtohet përkatësisht me 0.86 USD dhe 1.03 USD.

Arsyeja kryesore e çmimeve të shtrenjta tek ne lidhet me barrën e lartë të taksave, që përbëjnë gati 70% të çmimit. Edhe rritja e majit, reflektoi më së shumti barrën e shtuar për kompanitë nga taksat e bashkisë së kryeqytetit dhe taksës së rilicencimit (kjo e fundit u shumëfishua, duke u bërë 5 milionë lekë për bashkinë Tiranë dhe 2 milionë lekë për të tjerat).

Në krahasim me Maqedoninë, konsumatorët shqiptarë paguajnë në një litës naftë dyfish më shumë taksa.
Në Maqedoni, taksat direkte mbi naftën janë vetëm akciza, me rreth 28 lek për litër (0.2 cent për litër) dhe TVSH, në rreth 15 lekë për litër (norma e TVSH-së në Maqedoni është 18%, ndërsa zbatohet mbi një çmim 70% më të ulët se në Shqipëri).

Ndryshe nga Shqipëria, Maqedonia nuk e ka taksën e qarkullimit të përfshirë në çmimin e naftës, por tek automjetet.

Në Shqipëri nafta taksohet si vijon: Akciza, 37 lekë për litër; Taksa qarkullimit, 27 lekë për litër; Taksa karbonit, 3 lekë për litër. Krahas tyre, vitet e fundit në kosto janë përfshirë dhe tarifa e markimit dhe ajo e skanimit, nga 1 lekë për litër secila. TVSH (e parë) arrin në 21 lekë për litër.
Në total, në Maqedoni taksat direkte janë rreth 43 lekë për litër dhe në Shqipëri 90 lekë për litër.

Revista Monitor,  26.05.2016