Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Përmbaruesit çmontojnë Armo-n për llogari të kreditorëve

Tani kompanitë e përmbarimit po shesin edhe mjetet dhe pajisjet më të thjeshta të punës për llogari të debitorëve të rafinerisë ARMO-s.

Pak ditë më parë me 18 maj, përmbarimoret e “Prestigje Bailiff Service” organizuan një ankand për shitjen e objektrve të imta të ARMO-s me vlerë jo më shumë se 30 mijë euro për llogari të kreditorit Serjani.

Përmbarimoret nxorën në ankand, gjeneratorët, siguesat, tubat e hekurit, celesa sigurie, fiske zjarri, tuba kaldaje te kompanisë ARMO me vlera modeste, por siç duket edhe për këto objekte të vogla kanë munguar blerësit.
Përmbarimi ka njoftuar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit se ankandi ka dështuar për shkak se nuk ishte paraqitur asnjë ofertë për blerjen e tyre.

Në fund të tremujorit të parë të 2016, detyrimet e kompanisë ARMO në total kanë arritur në 595 milionë dollarë sipas burimeve në Ministrinë e Energjetikës. Borxhet e kompanisë janë rritur në mënyrë të frikshme, teksa pronarët e kompanisë nuk janë prezentë, ndërsa punonjëit kanë filluar protestat për mosmarrjen e pagave prej muajsh.

Të njëjtat burime bëjnë dije se, nga totali i detyrimeve afërsisht 300 milionë dollarë janë kredi bankare dhe pjesa tjetër e borxheve ndahet ndërmjet Albpetrolit, tatim-taksave, të tretëve dhe punonjësve. Teksa ish- kompania shtetërore e naftës ka krijuar ajsbergun e borxheve rafineritë e saj kanë qenë në punë qysh nga privatizimi i saj. Por duket se, problematika e saj është përtej aftësive në administrim.

Pak javë më parë, kompania shtetërore e nxjerrjes së naftës, Albpetrol ka marrë në ruajtje rafinerinë e ARMO-s, në Ballsh. Lëvizja erdhi pasi Albpetrol fitoi gjyqin në Gjykatën e Shkallës së Parë në Tiranë ndaj rafinerisë së përpunimit ARMO për një detyrim 30 milionë euro. Në proces gjyqësor janë dhe 20 milionë euro të tjera. Nga ana tjetër, punonjësit e ARMO-s prej ditësh janë në protesta pasi kanë gati një vit pa marrë pagat.

Pak javë më parë, kompania përmbarimore EPSA nxori në shitje një tjetër uzinë të përpunimit të naftës të rafinerisë së ARMO, (truall dhe ndërtesa në fshatin Drizë) për llogari të bankës Raiffeisen, për një kredi të pashlyer prej 2.8 miliardë lekësh (rreth 20 milionë euro). Si ankandi i parë, ashtu dhe i dyti, ku vlera e shitjes u përgjysmua në 10 milionë euro, dështuan dhe uzina i ka kaluar në pronësi bankës Raiffeisen. Përveç Raiffeisen Bank, edhe Tirana Bank është vënë në radhë për të mbledhur borxhet nga kreditori më i madh më i keq në Shqipëri.

Në gusht të 2013-s, Heany Assets Corporation bleu aksionet e Anika Merkuria Associated Oil, e cila zotëronte 85% të aksioneve të ARMO sh.a. Në datën e blerjes, Heany Assets Corporation njohu detyrimet e shoqërisë, të cilat arrinin në 243.5 milionë dollarë. ARMO, gjatë vitit 2014, përfitoi të ardhura, si qiradhënëse e dy rafinerive, si pronare e tyre.

Mirëpo, detyrimet e kompanisë janë shtuar në mënyrë galopante dy vitet fundit duke shkuar në gati 600 milionë dollarë. ARMO është ndërkohë kreditori më i madh i keq në vend, në listën e 35 kompanive që kanë 60% të huave me probleme në vend.

Objektet e ARMO-s ne shitje

Gjeneratorë 480 euro
Tuba hekuri 14,192 euro
Brylla celiku 129 euro
Siguresa 960
Siguresa 1,680
Tuba kaldaje 864
Pajisje për kthim tubash 864 euro
Celesa sigurie 288 euro
Gjenerator 9600 euro
Fikse zjarri 216 euro
Motoskaf 640 euro

Revista monitor,  25.05.2016