Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Gjiknuri: Nuk duhen bërë të njëjtat privatizime të dështuara

Konfederata Kombëtare e Industrisë me mbështetjen e Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë organizuan në Tiranë edicionin e dytë të ExpoForumit “Projektet lider dhe modelet e reja të menaxhimit të sektorëve strategjikë Shqipëri & Kosovë”.

Forumi u moderua nga Gjergji Buxhuku ndërsa në panel referuan Ministri i Energjisë dhe Industrisë z.Damian Gjiknuri, Ministri i Zhvillimit Ekonomik të Republikës së Kosovës Blerand Stavileci dhe Ministri për Diasporën në Kosovë z.Valon Murati.

Gjatë diskutimeve u paraqitën në disa panele projektet kryesore në shfrytëzimin e burimeve natyrore, modelet e reja të menaxhimit publik–privat të sektorëve strategjikë si dhe instrumentat financiare të nevojshëm për tërheqjen e burimeve alternative të investimit në kushtet e paskrizës globale në Shqipëri dhe Kosovë.

Ministri Gjiknuri në fjalën e tij deklaroi se brenda Qershorit do të përfundojë Linja e Interkonjeksionit 400 kilovolt me Kosovën ndërsa në qeveri do të kalojë një memorandum që do mundësojë fillimin e kryerjes së studimit të fizibilitetit për një vepër të përbashkët gjeneruese të energjisë.

Gjithashtu, ministri u ndal tek projekti TAP ndërsa tha se Shqipëria me Kosovën kanë aplikuar pranë Bashkimit Evropian për mundësimin e realizimit të studimit të fizibilitetit për degëzimin e gazsjellësit mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Duke analizuar efektet e projektit TAP, z.Gjiknuri tha se do mund të avancohet edhe me vënien në punë të Termocentralit të Vlorës. “Ne kemi siguruar edhe fonde për studimin e fizibilitetit, madje besoj që shumë shpejt do të kemi mundësinë edhe për afrimin e partnerëve privatë dhe gjithmonë këtu synohet. Kemi synimin që të gjejmë një operator privat nëpërmjet partneritet publik-privat, të marrë përsipër vënien në punë, riparimin, investimet e nevojshme për konvertimin me gaz. Megjithëse ato turbinat punojnë me naftë edhe me gaz është çështje e gjithë aksesorëve dhe konvertimet e tjera. Pra, lidhja me gazsjellësin edhe stacionet e reduktimit të presionit dhe shumë elementë teknikë si këto. Pra, do të kemi mundësi që edhe këtë TEC ta vëmë në funksionim të sektorit elektroenergjetik shqiptar”, nënvizoi z.Gjiknuri.

 

Fjala e Ministrit të Energjisë dhe Industrisë z.Damian Gjiknuri:

Faleminderit z.Buxhuku,

Faleminderit për ftesën dhe për organizimin. Jeni specializuar në organizimin e këtij forumi, sidomos kur përfshihet edhe Kosova. Më vjen mirë sepse keni kapur një këndvështrim që shumë pak organizata të tjera biznesi e kanë kapur, sidomos bashkëpunimin Shqipëri-Kosovë duke u fokusuar kryesisht tek sektorët strategjikë.

Në fakt, ky është takimi i dytë pasi të parin e kemi zhvilluar në Prishtinë. Më vjen mirë që ka edhe ecuri konkrete mes të dyjave vendeve tona, pikërisht për këto projekte strategjike të cilat jo vetëm lidhin vendet por mbi të gjitha krijojnë mundësi të reja ekonomike, sidomos për investime e për shkëmbime më të mëdha. Jemi shumë afër datës së inaugurimit të projektit shumë të rëndësishëm që është interkonjeksioni i Shqipërisë me Kosovën. Brenda Qershorit do të inaugurohet dhe është projekt i parë strategjik i rëndësishëm mes dy vende, lidh të dyja rrjetet energjetike duke hapur mundësi të mëdha për shkëmbime nga pikëpamja energjetike, por mbi të gjitha dhe për investime të përbashkëta.

Me qeverinë e Kosovës jemi duke diskutuar dhe shumë shpejt në qeveri do të kalojë edhe memorandumi përkatës i bashkëpunimit, për të parë mundësinë e krijimit të kapaciteteve të përbashkëta. Kuptohet, kjo është thënë edhe herë të tjera por ne po shkojmë në një stad shumë më të avancuar që është fillimi i studimit të fizibilitetit edhe nëpërmjet një partneri strategjik apo pjesëmarrje më të gjerë me kapital privat, për të bërë të mundur që Shqipëria dhe Kosova të krijojnë një kapacitet të ri gjenerues. Do duhet të bazohet tek linjiti i Kosovës sepse mundësitë janë dhe linja e bën këtë edhe më ekonomike nga të dyja krahët. Besoj se ky është një drejtim i duhur, që Shqipëria dhe Kosova krahas lidhjes fizike, të kenë mundësi të përbashkët edhe të prodhimit të energjisë.

Nga ana tjetër, kuptohet kanë ndodhur zhvillime interesante në Europën Juglindore, përfshirë edhe atë që u tha pak më parë, pra zhvillimet përsa i përket Korridorit të Jugut, i cili u nis si një projekt europian, me interes europian, por që patjetër transformoi edhe faqen e sigurisë energjetike të Ballkanit.

Shqipëria, Greqia, por me mundësitë që hapen edhe vende të tjera si Mali i Zi e Kroacia do të jenë pjesë e rrjeti energjetik të korridorit të jugut dhe kjo është një mundësi e madhe. Mundësi e madhe përsa i përket sigurisë energjetike, përsa i përket rolit strategjik që vendi do të fitojë, por nga ana tjetër unë doja ta shikoja edhe nga një plan më praktik, të hapjes së mundësive të reja ekonomike.

Ardhja e gazit në Shqipëri do të jetë një burim i ri energjie. Nuk është vetëm çështja e investimit imediat të TAP-it rreth 1 miliard dollarë ku patjetër përfitimi do të jetë direkt në ekonomi dhe kjo nuk diskutohet. Gjithashtu përfitime përsa i përket punësimit apo edhe zinxhirit tjetër të gjithë kontraktorëve dhe punimeve që do të zhvillohen në Shqipëri. Mbi të gjitha ne krijojmë një burim të ri energjie dhe kjo ka një rëndësi mjaft të madhe. Perspektiva është e tillë që sasitë e gazit do të jenë më të mëdha sesa 10 bcm. Nuk do të justifikonte njeri thjesht të ndërtonte një korridor, të diversifikonte burimet europiane për një sasi krejt minimale të gazit. E rëndësishme është që aty të kemi edhe sasi të tjera të gazit dhe ato do të jenë. Kjo do të jetë një mundësi e re për Shqipërinë, qoftë për të përdorur gazin për nevojat tona, për të diversifikuar qoftë prodhimin e energjisë elektrike duke mos mbetur vetëm tek hidro, por qoftë edhe për vetë konsumin e familjeve shqiptare apo industrive shqiptare.

IMG-20160524-WA0014Nisur nga burimet që ka Shqipëria, qoftë në naftë, qoftë edhe me disa burime të gazit siç janë zbuluar në rastin e SHELL-it, do të krijojë sinergjinë e nevojshme dhe le të themi mjedisin e nevojshëm ku mund të zhvillohen edhe industritë petrokimike. Momenti që ke naftë, gaz dhe furnizim stabël me energji elektrike, të tre këto elementë janë bazë për të krijuar industrinë petrokimike që unë besoj do të rigjallërohet në Shqipëri në të ardhmen. Është një zhvillim për tu përshëndetur dhe patjetër që Kosova nuk mund të ngelet jashtë këtij zhvillimi rajonal.

Ne sëbashku me Kosovën kemi aplikuar në Bashkimin Europian, pra nëpërmjet një mekanizimi ku është WBIF, të cilat janë fonde që i vihen në dispozicion vendeve për të çuar përpara projektet e fizibilitetit. Do të mundësojmë studimin e fizbilitetit për gazsjellësin Shqipëri-Kosovë, në mënyrë që edhe Kosova të jetë pjesë e rrjetit të gazit, pra pjesë edhe e korridorit të jugut. Njësoj edhe në projektin Jonian-Adriatik i cili është një projekt ku Shqipëria ka pjesën e saj, kemi filluar avancimin nëpërmjet krijimit të njësisë së përbashkët. Po krijojmë një entitet juridik, një projekt me përfaqësues nga Shqipëria, Mali i Zi dhe Kroacia për të qenë si një njësi permanente, hapi i parë përpara se të krijojmë një kompani. Pas krijimit të kompanisë, patjetër do të jenë edhe mundësitë për përfshirjen e investitorëve strategjikë.

Ky projekt, kuptohet tashmë është në letër dhe dikush mund të thotë se duket si ato vijat e perspektivës në hartë, por vë re që sa më shumë maturohet ecuria e projektit TAP, aq më shumë efektiv bëhet ky projekt dhe më interesant për investitorët strategjikë. Jo vetëm që kompania SOCAR është pjesë e këtij projekti, kompania e Azerbajxhanit, por ka edhe kompani të tjera të cilat kanë shprehur interesin që të bëjnë pjesë e këtij projekti që në këtë fazë.

Ne sëbashku me shtetet e tjera do punojmë për një hartë të qartë veprimesh në lidhje me korporatizimin e gazsjellësit dhe më tepër financimit, por sinjalet janë shumë pozitive. Këto janë zhvillime afatgjata sepse vet industria në sektorë strategjikë është afatgjatë, por shenjat janë pozitive. Kompletimi i projektit TAP patjetër do të krijojë mundësi edhe për këtë projekt. Do të hapë mundësi, siç e kam thënë më përpara, për vënien në punë edhe të një aseti tjetër strategjik tonin, që fatkeqësisht ka qenë fantazmë siç është TEC-i i Vlorës. Ne kemi siguruar edhe fonde për studimin e fizibilitetit, madje besoj që shumë shpejt do të kemi mundësinë edhe për afrimin e partnerëve privatë dhe gjithmonë këtu synohet. Kemi synimin që të gjejmë një operator privat nëpërmjet partneritet publik-privat të marrë përsipër vënien në punë, riparimin, investimet e nevojshme për konvertimin me gaz. Megjithëse ato turbinat punojnë edhe me naftë edhe me gaz, është çështje e gjithë aksesorëve dhe konvertimet e tjera, pra lidhja me gazsjellësin edhe stacionet e reduktimit të presionit dhe shumë elementë teknikë si këto. Pra do të kemi mundësi që edhe këtë TEC ta vëmë në funksionim të sektorit elektroenergjetik shqiptar.

Këto janë zhvillime të cilat janë vënë në shinat e duhura, do të duan kohë por ka qenë pikërisht vullneti i qeverisë dhe vizioni për ti vënë në përdorim të gjitha këto mundësi të reja që krijohen nga këto zhvillime që disa vjet më parë nuk mendoheshin. Kjo është një e vërtetë, që nuk mendohej, para 3-4 vjetëve ka pasur shumë skeptikë edhe për projektin TAP për shumë arsye. Arsye politike, arsye ekonomike, rënia e çmimeve të gazit ka vënë në pikëpyetje shumë edhe mbarëvajtjen e shumë gazsjellësve.  BE-ja e ka vënë në objektivat e saj strategjikë për arsye diversifikimi dhe projekti TAP tashmë ka gjetur dhe mbështetjen e nevojshme. Besoj se do të kompletohet në kohë dhe ky është një lajm i mire, krijon një platformë të re, krijon një mundësi të re dhe krijon sinergji të reja për shkak të gjithë industrive të lidhura rreth gazit.

Shqipëria nuk ka një histori të lavdishme në sektorin e energjisë elektrike. Gjërat po ndryshojnë edhe pse vazhdojnë të jenë të vështira. Sektori i energjisë elektrike, për vetë faktin që është i rregulluar dhe mbi të gjitha ndikon tek mbarë popullata është një sektor i vështirë. Hapat që po hidhen janë të sigurta dhe janë shumë positive, jo vetëm për përmirësimin e imazhit, reduktimin e humbjeve, rritjen e likuiditetit. Kompani të cilat kanë qenë shtetërore, kanë qenë në njëfarë mënyre një gangrenë e sistemit, në vend që të sillnin kontribut në ekonominë shqiptare, përkundrazi kishin filluar të konsumonin taksat që vileshin nga popullata duke shkuar për të mbuluar keqmenaxhimin.

Po të shikoni parametrat e të treja kompanive, ato po shkojnë drejt një korporatizimi, komercializimi të mëtejshëm. Patjetër, janë kompani shtetërore dhe nuk mund të themi se janë në gjendjen e tyre më të mirë por mjafton të shikojmë vit për vit parametrat financiarë, kemi një përmirësim të dukshëm, qoftë në stokun e kredive që kanë e që po përmirësohen. Gjithashtu, për kreditë që po përdoren, nëqoftëse më përpara përdoreshin thjesht për të mbuluar dëmet e keqmenaxhimit, tashmë të gjitha këto kredi të buta po shkojnë në financime në sektor. Parametrat financiarë patjetër po përmirësohen, mbi të gjitha është rritur likuiditeti.

Komercializimi i kompanive ka hapur perspektiva të tjera edhe në investime të mëtejshme në sektorin e energjisë elektrike. Megjithëse energjia elektrike në përgjithësi ka rënë dhe çmimi nëpër botë, incentivat për investim nuk janë të mëdha, shohim fatmirësisht në Shqipëri interes në investimin në HEC-e edhe pa garanci të blerjes së energjisë elektrike. Kjo për mua ka qenë domethënëse, pikë kthese pasi nuk e mendoja që do vinte kjo. Gjithmonë ka qenë një pikëpyetje e madhe edhe ne qeveri. A do kemi ne mundësi të ftojmë investime private pa dhënë garanci qeveritare apo pa garantuar biznesin e tyre? Pra, të kemi një model ekonomik të qëndrueshëm që ecën vet apo thjesht një model ekonomik i cili bazohet gjithmonë në garanci qeveritare, por në momentin që për arsye nga më të ndryshmet këto garanci bihen edhe ky model kthehet i pasuksesshëm dhe kthehet në një barrë për Buxhetin e Shtetit apo për mbarëvajtjen e investimeve të tjera.

Sot që flasim kemi një investitor të ofruar në një vlerë mbi 120 milion dollarë në hidrocentralin e Poçemit, i cili është pa garanci blerje energjie. Përsa i takon Katundit të Ri, gjithashtu është shpallur procedura dhe këtu kemi investitorë pa garanci blerje energjie. Do të thotë se krijohen agjentët e nevojshëm të tregut për të nxitur prodhimin e liberalizuar të energjisë elektrike. Çfarë do të sjellë kjo? Kjo do të sjellë dhe një projekt tjetër të rëndësishëm. Pra e lidh këtë zhvillim me atë çka po ndodh në sektorin energjetik përsa i përket krijimit të tregut. Ju e dini që kemi filluar tashmë reformat liberalizuese në treg. Patjetër z.Buxhuku si një përkrahës i vazhdueshëm i industrisë ka ngritur edhe pikëpyetjet se si do të bëhet liberalizimi i konsumatorëve të mëdhenj të energjisë elektrike dhe çfarë efekti do të kenë këto reforma në treg.

Shtimi i burimeve të energjisë pa garanci blerjeje dhe prodhimi i shtuar nga sektori privat do të krijojë një garanci të madhe edhe për furnizimin nesër të konsumatorëve në tregun e parregulluar. Pse?! Do të krijohet bursa energjetike, do të ketë më stabilitet në çmim, do të ketë prodhim më të madh në Shqipëri nëpërmjet hidros por edhe nga burimet e tjera dhe shpresoj edhe gazi do të jetë një burim i mjaftueshëm. Ashtu siç edhe kapacitetet që folëm me Kosovën do të jenë tepër të nevojshme për gjithë balancën energjetike mes Shqipërisë dhe Kosovës, por edhe për të qenë komplementar për ato situata kur vërtet kemi nevojë se Zoti nuk mund të jetë gjithmonë me ne që do ketë shi. Në këtë pikëpamje, të gjitha ato zhvillime sjellin garanci edhe për industrinë. Se ku do shkojë ky prodhim? Patjetër do shitet tek industria. Dhe aty pastaj, industria ka çmimet e energjisë stabël se energjia është shumë e rëndësishme, sidomos tek industritë me konsum intensiv.

U tha këtu se kemi një avancim shumë të madh vitet e fundit, rritje të prodhimit të ferrokromit. Na vjen mirë dhe e përgëzojmë kompaninë në fjalë e cila ka kryer investimet e nevojshme. Nga ana tjetër, ne si qeveri kemi dhënë mbështetjen e duhur që industria përpunuese e kromit të zgjerohet në Shqipëria, duke krijuar iniciativën e nevojshme fiskale, duke ulur rentën për të nxitur prodhimin vendas të ferrokromit. Industritë kanë një rëndësi, sidomos këto që janë ferrokromi, nesër përpunimi bakrit apo qoftë nikeli se Shqipëria ka rezerva të mëdha nikeli.

Ka rezerva të jashtëzakonshme që me një ngritje të çmimit të nikelit patjetër do të krijohet mundësia edhe për rritjen e përpunimit të tij. Çfarë duan këto? Energji. Pra momenti kur burimet e energjisë janë në vend, janë të përballueshme, sepse kryesisht vijnë nga hidro, patjetër do të zhvillohet edhe industria e nikelit apo do të rriten kapacitetet e ferrokromit dhe do të zhvillohen të gjitha industritë e rënda. Prandaj janë shumë të lidhura të gjitha këto reforma, të gjitha investimet që po bëhen në sektorin energjetik, qoftë publike, se vërtet janë investime publike. Dëgjoj ndonjëherë debat sa investime keni sjellë, a ka investime? Fakti që kompanitë shqiptare, kompani që në fund të fundit janë komerciale, po kryejnë investimet e tyre kjo është për tu përshëndetur. Jo vetëm që vjen kapitali huaj sepse rrjeti po përmirësohet dhe thashë të gjithë këto reforma kanë krijuar incentiva për kapitalin e huaj, por nga ana tjetër vetë kompanitë publike po investojnë dhe ky është qëllimi në vetvete. Që kompanitë të komercializojnë dhe të investojnë për të rritur vlerat e aseteve të tyre, por njëkohësisht për të përmirësuar shërbimet. Nga ana tjetër, Buxhetit të Shtetit i lirohen shumë hapësira që në vend të shkonin të mbyllnin gropat e keqmenaxhimit, të investohen në sektorë të tjerë apo fusha të tjera të infrastrukturës publike aq të nevojshme për qytetarët shqiptarë.

Të gjitha këto zhvillime në këto sektorë strategjikë janë të lidhura me njëra-tjetrën, nuk duhen parë të shkëputura por duhen parë si një e tërë. Edhe gazi duhet lidhur me energjinë elektrike. Reformat liberalizuese në energji elektrike patjetër do të lidhen edhe me mundësitë e reja që krijohen në investime. Të gjitha këto sjellin mundësi, rritje ekonomike, një model më të qëndrueshëm ekonomik dhe patjetër do të hapin sektorë të rinj në ekonominë shqiptare.

Të njëjtën gjë mund të themi për hidrokarburet. Patjetër, që për shkak të rënies së çmimeve të naftës, investimet kanë qenë të kufizuara aty dhe tashmë këtë e dimë. Megjithatë, kemi mundur të sigurojmë edhe investitorë të rinj, zgjerimin e aktivitetit të SHELL-it, ardhjen e investitorëve të tjerë nga Izraeli në fusha të reja të naftës. Interesi për Shqipërinë vazhdon të jetë i madh dhe shpresojmë që edhe në të ardhmen, me praninë e gazit dhe me rritjen e prodhimit të naftës, të mund të zhvillohet një industri e cila ka vuajtur nga keqmenaxhimi apo nga keqprivatizimi. I tillë është rasti i rafinimit, pra industria e rafinimit të naftës në Shqipëri e cila tashmë ka falimentuar por do të mund të rigjallërohet.

Është shumë e rëndësishme edhe mënyra sesi i privatizojmë asetet strategjike. Edhe disa mësime duhen nxjerrë nga mënyra sesi u kryhen privatizimet në Shqipëri, për të mos shkelur në të njëjtat rrugë të gabuara. Privatizimet e nxituara, me idenë vetëm që të heqim qafe një aset se na është kthyer në një plagë sociale është gjëja me e gabuar. Nuk mund të heqësh dorë nga një gjë që i përket të gjithë popullit dhe që në fund të fundit automatikisht ti si shtet do të përfshihesh. Nuk mund të mbyllësh sytë dhe të lash duart si Ponç Pilati që u privatizua sektori i shpërndarjes dhe tregu do të bëjë mrekullira. Jo! Ka shumë rëndësi kuadri i fortë rregullator dhe privatizime ku shteti të ketë patjetër një paketë të rëndësishme kontrolluese. Në rast edhe krizash, se këto ndodhin, shteti të ketë mundësi veprimi por pa krijuar trauma dhe pa krijuar dalje kaotike, të cilat mund të kenë pasoja financiare, pasoja shumë më të rënda se ato që ne patëm në kurriz me dështimet në rastin e privatizimit të sektorit të shpërndarjes të energjisë elektrike apo që e kemi akoma edhe me dështimin e privatizimit të ARMO-s.

Në këtë drejtim, në këtë mandat kjo qeveri nuk ka në plan të bëjë privatizim strategjik të kësaj natyre por mendojmë se komercializimi i kompanive do të krijojë mundësinë që mandatin tjetër, pasi të kemi kaluar përshembull në rastin e sektorit të energjisë elektrike rimëkëmbjen e plotë financiare të këtij sektori, do të kemi mundësi për privatizime shumë  më të matura ku mbase edhe publiku shqiptar duhet të jetë pjesëmarrës. Në fund të fundit janë asete që i përkasin te gjithë popullit dhe nuk ka pse biznesi shqiptar të mos jetë i interesuar për të qenë pjesë e këtyre kompanive, që në perspektivë gjithmonë do të ketë një interes dhe një qëndrueshmëri ekonomike të sigurtë.

Edhe njëherë, ju falenderoj dhe besoj ky forum do ti vlejë edhe sensibilizimit të gjithë aktorëve, shkëmbimit të informacionit por edhe të kontributit për këto që themi, se mbase jo të gjitha gjërat i bëjmë mirë. Ne kemi nevojë të dëgjojmë edhe të tjerët për atë çka mund të bëjmë më mirë.

Faleminderit!

energjia.al  25.05.2016