Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Ana tjetër e ARMO-s, mjerimi i 1200 punonjësve

Teksa Parlamenti po zien nga debatet e deputetëve me njëri-tjetrin, pakkush e ka mendjen pak metra më tej, aty ku sot paradite kishte zbritur mjerimi i mijëra punonjësve të rafinerisë së naftës ARMO, që po vuajnë pasojat e falimentit të një prej kompanive më të mëdha në vend. Ministri Gjiknuri ngre duart: Është privatizim i dështuar, kompani e falimentuar, nuk e shtetëzojmë dot. E vetmja gjë që mund të bëhet është ristrukturimi…

Fatmir Bala është një nga 1200 punonjësit e rafinerisë së naftës, ARMO, i cili nuk ka marrë pagën prej 10 muajsh ndaj ka vendosur të protestojë para kryeministrisë për disa ditë më radhë. Aty e gjetëm edhe sot, përballë indiferencës së parlamentarëve, që ishin shumë të zënë duke u marrë me njëri-tjetrin.

Jeta e Fatmirit ka qenë e lidhur më industrinë e naftës dhe rroga ishte burimi i vetëm të ardhurave për familjen. Tani e ka të vështirë të sigurojë ushqimin e përditshëm për të paguar faturat e dritave dhe ujit dhe nuk po siguron as mbijetesën. Ai ende punon në Pontilin e Vlorës dhe në këto dy vite e fundit ka qenë dëshmitar i humbjes së katër kolegëve. “Ju nuk e dini, punonjësit e ARMOS-s nuk e gëzojnë pensionin. Kolegët e mi pothuajse të gjithë kanë vdekur në prag të pensionit dhe ose pak vite më pas. Punojmë në mes të squfurit dhe helmeve. Këta që janë gjallë janë gjithë sëmundje, pinë një barrë ilaçe në muaj”, tha Fatmiri më zë të fikur nga dhimbja teksa dhjetëra të tjerë e shoqëruan me ankesa.

Meçan Duraj është një tjetër histori tragjike. Ai është një mekanik profesionist dhe la Greqinë pak vite më parë për t’u kujdesur për prindërit e plakur në Fier. Fati e deshi të fillonte punë në ARMO dhe rroga ishte e mirë. Tani ka dy fëmijë të rritur, që ndjekin shkollën e mesme. Ka 11 muaj pa marrë rrogën, shpesh i është dashur t’i vërë kalamajtë në gjumë pa bukë. Nuk paska dhimbje më të madhe se kjo, shprehet, i fyer teksa ka dëgjuar edhe kryeministrin të thotë se vende pune ka, por nuk ka profesionistë.

Bashkë me 700 punonjës të tjera të ARMO-s, ata u ulën sot në sheshin para kryeministrisë. Kupa u mbush nuk mban më. Përballë nuk ka kush ti dëgjojë. I kanë informuar se Kryeministri është në Vlorë. Por në fakt është vetëm një kilometër larg tyre në sallën e Kuvendit duke shkëmbyer batuta me opozitën dhe Blushin.

Punonjësve në shesh iu ka mbërritur thika në palcë, borxhet për secilin janë 7-10 milionë lekë të vjetra. Ata e dinë që kanë punuar në një kompani private, por bëjnë qeverinë fajtore. Ende sot shteti shqiptar ka në pronësi 15 për qind aksioneve të ARMO-s dhe qeveria duhet të kishte ushtruar kontroll të paktën mbi kompanitë që po e shfrytëzojnë sot e kësaj ditë.

Që nga 2013 deri në mesin e 2015, Azerët kanë përpunuar 650 mije tonë naftë. E kanë shitur të gjithën. Ata e kanë ende në administrim. Ku i kanë paratë pse nuk na paguajnë, thonë punonjësit të dëshpëruar duke u shprehur se, ARMO është një strumbullar i madh abuzimesh dhe korrupsioni, i qeverisë me kompanitë që e kanë shfrytëzuar, por të paktën të na japin rrogat, shprehen punonjësit.

Borxhet 590 milionë dollarë

Kompania e rafinerisë së naftës, 15% të aksioneve të së cilës zotërohen nga shteti dhe 85% nga azerët e Heany Assets Corporation, është kreditori më i madh i keq i vetëm në Shqipëri.

Në fund të tremujorit të parë të 2016, detyrimet e kompanisë ARMO në total kanë arritur në 595 milionë dollarë sipas burimeve në Ministrinë e Energjetikës. Borxhet e kompanisë janë rritur në mënyrë të frikshme, teksa pronarët e kompanisë nuk janë prezentë, ndërsa punonjësit vijojnë protestat për mos marrjen e pagave prej muajsh.

Të njëjtat burime bëjnë dije se, nga totali i detyrimeve afërsisht 300 milionë dollarë janë kredi bankare dhe pjesa tjetër e borxheve ndahet ndërmjet Albpetrolit, tatim-taksave, të tretëve dhe punonjësve. Teksa ish- kompania shtetërore e naftës ka krijuar ajsbergun e borxheve rafineritë e saj kanë qenë në punë qysh nga privatizimi i saj. Por duket se, problematika e saj është përtej aftësive në administrim.

Pak ditë më parë, kompania shtetërore e nxjerrjes së naftës, Albpetrol ka marrë në ruajtje rafinerinë e ARMO-s, në Ballsh. Lëvizja erdhi pasi . Albpetrol fitoi gjyqin në Gjykatën e Shkallës së Parë në Tiranë ndaj rafinerisë së përpunimit ARMO për një detyrim 30 milionë euro. Në proces gjyqësor janë dhe 20 milionë euro të tjera. Nga ana tjetër, punonjësit e ARMO-s prej ditësh janë në protesta pasi kanë gati një vit pa marrë pagat.

Pak javë më parë, kompania përmbarimore EPSA nxori në shitje një tjetër uzinë të përpunimit të naftës të rafinerisë së ARMO, (truall dhe ndërtesa në fshatin Drizë) për llogari të bankës Raiffeisen, për një kredi të pashlyer prej 2.8 miliardë lekësh (rreth 20 milionë euro). Si ankandi i parë, ashtu dhe i dyti, ku vlera e shitjes u përgjysmua në 10 milionë euro, dështuan dhe uzina i ka kaluar në pronësi bankës Raiffeisen. Përveç Raiffeisen Bank, edhe Tirana Bank është vënë në radhë për të mbledhur borxhet nga kreditori më i madh më i keq në Shqipëri.

Në gusht të 2013-s, Heany Assets Corporation bleu aksionet e Anika Merkuria Associated Oil, e cila zotëronte 85% të aksioneve të ARMO sh.a. Në datën e blerjes, Heany Assets Corporation njohu detyrimet e shoqërisë, të cilat arrinin në 243.5 milionë dollarë. ARMO, gjatë vitit 2014, përfitoi të ardhura, si qiradhënëse e dy rafinerive, si pronare e tyre.

Mirëpo, detyrimet e kompanisë janë shtuar në mënyrë galopante dy vitet fundit duke shkuar në gati 600 milionë dollarë. ARMO është ndërkohë kreditori më i madh i keq në vend, në listën e 35 kompanive që kanë 60% të huave me probleme në vend.

Azerët e Heaney Assets Corporation hoqën dorë nga pronësia në uzinën e përpunimit të thellë të naftës, ARMO, pavarësisht se, aktiviteti me ardhjen e tyre ishte trefishuar.

Por siç pohojnë burimet e tregut azerët nuk kanë mundur të përmirësojnë situatën e trashëguar të borxheve në kompani, ndaj të ndodhur nën sekuestron e organeve tatimore dhe kompanive të tjera ata mësohet se janë në negociata për shitjen e aksioneve, për të cilat ka pasur interes, por investitorët potencialë janë trembur nga mali I borxheve të ARMO-s.

Në ditët e saj më të mira, disa vite më parë kompania ka pasur të ardhura prej rreth 180 milionë eurosh dhe fitime prej rreth 10 milionë euro në vit.

Gjiknuri: Është privatizim i dështuar, kompani e falimentuar, nuk e shtetëzojmë dot

Ministri i Industrisë Damian Gjiknuri I është përgjigjur interesit të mediave rreth punonjësve të papaguar të ARMO-s.

“Nuk është protesta e parë dhe realisht problem është më i thellë. Problemi fillon që tek privatizimi, një privatizim i dështuar. E kemi thënë edhe më pare, se u shit një aset strategjik në duar të gabuara, u falimentua dhe u mbyt me qindra milionë euro borxhe. Tashmë është një kompani private e cila ka falimentuar. Një shitës spekulant ja rishiti disa të tjerëve. Investitorët e rinj nga Azerbaxhani dështuan pasi patën edhe problemet e tyre në Azerbaxhan.

Publiku duhet ta dijë se po flasim për një aset që është ndërmarrje private dhe është si çdo ndërmarrje tjetër private e cila falimenton. Patjetër, interesi është i madh për shtetin pasi është një aset strategjik, rafinimi është shumë i rëndësishëm për ekonominë e vendit. Prandaj dhe ne kemi ndërmarrë çfarë kemi patur mundësi, qoftë edhe një vit më parë, për të garantuar furnizimin me naftë bruto. Qoftë për të parë mundësinë, bashkë me bankat pasi jemi duke diskutuar edhe me bankat, për të gjetur një formë ristrukturimi, por që i takon sektorit privat pasi janë bankat private që kanë hyrë në borxhet e kësaj kompanie. Janë Tatimet dhe Albpetroli që janë borxhlinj më të mëdhenj por të shikohet çfarë mund të ristrukturohet. Është e kotë ti kërkosh qeverisë një gjë që e kishte qeveria e mëparshme, e shiti ‘batjava’, e shiti në duar të gabuara dhe faturën ja la kësaj qeverie”, tha Gjiknuri.

Gjiknuri tha se rishtetëzimi është i pamundur, sepse aty janë të përfshira shumë banka. I bie të futesh në një cikël krize së të gjithë sistemit bankar. “Ajo çfarë po bëjmë ne si qeveri është se po shikojmë mundësitë që përmes bankave të bëhet një ristrukturim i kësaj ndërmarrjeje. Kuptohet, edhe shteti të shohë çfarë mund të heqë dorë ndonjë gjë, por realisht është një proces jashtëzakonisht i vështirë. Disa bëjnë paralelizëm me rastin e kompanisë së shpërndarjes së energjisë elektrike por nuk është njësoj. Në rastin e kompanisë së energjisë ishte një aset unik që është energjia e vendit dhe është e pamundur që të shkojë në falimentim. Në rastin që flasim, kemi të bëjmë me një ndërmarrje private e cila falimentoi dhe kjo është situata”.

Revista Monitor,  20.05.2016