Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Ministrat e energjisë takohen në Budva

Fillimi i fazës intensive të ndërtimit të gazsjellësit TAP ka shtuar përpjekjet e Shqipërisë, Malit të Zi, Bosnje Hercegovinës dhe Kroacisë për një tjetër projekt të rëndësishëm, atë të gazsjellësit IAP.

Ministrat e të katër vendeve u takuan në Budva të Malit të Zi ku u dakordësuan për krijimin e një njësie të menaxhimit të projektit ku do të ketë një përfaqësim edhe SOCAR, kompania shtetërore e naftës së Azerbajxhanit, aksionere e TAP.

“Përfaqësues të kompanive të gazit dhe ministrive përkatëse do të krijojnë një njësi të menaxhimit të projektit ku do të kenë palë edhe kompaninë SOCAR të Azerbajxhanit për ta promovuar këtë projekt”, u shpreh ministri Gjiknuri.

Sipas tij, interesi për projektin e gazsjellësit Jonian Adriatik Pipeline (IAP) vazhdon e rritet ndërsa progresi i TAP-it e ka bërë atë akoma më fizibël.

“Mali i zi po e përfundon masterplanin e gazit, gjithashtu edhe Shqipëria. Kroacia ka avancuar nga ana e saj e kjo do të thotë se po maturohet pak nga pak kërkesa për gaz. Shumë shpejt të gjitha vendet do të kenë sasi të dedikuara për gazin ccka e bën këtë projekt akoma më fizibël. Vendet kanë marrë një vendim të rëndësishëm për të krijuar një njësi konkrete, për të folur me institucionet e Komisionit Evropian dhe për të dialoguar me investitorë të mundshëm”, nënvizoi z.Gjiknuri.

Gazsjellësi IAP tanimë nuk është vetëm projekt në letër pasi gjatë tryezës së ministrave u konstatua një rritje interesi e kompanive të mëdha investitore.

“U fol në takim por shihet edhe nga kontaktet që kemi patur se është rritur interesi i kompanive të mëdha investitorë nga disa vende edhe përtej Evropës. Janë shumë të interesuar për tu bërë pjesë e projektit IAP. Kjo do të thotë se projekti ka filluar të marrë jetë dhe besoj se në vitet e ardhshme do të maturohet ashtu sikurse projekti TAP dhe Shqipëria do të kthehet në një qendër të rëndësishme të gazit për rajonin”, theksoi ministri.

Të dhëna teknike:

Projekti i gazsjellesit Jonian-Adriatik (Projekti IAP), synon të lidhë sistemin ekzistues të transmetimit të gazit të Republikës së Kroacisë, nëpërmjet Bosnjë Hercegovinës (në det), Malit të Zi dhe Shqipërisë me sistemin e gazsjellësit Trans Adriatic (Projekti TAP).

Sipas Studimit të Fizibilitetit traseja përfundimtare e projektit IAP ka një gjatësi prej 511 km dhe shpenzimet totale të investimit për zhvillimin e projektit IAP parashikohen në shumën 618 mil. EUR. Po sipas studimit, gjatësia e pjesës së projektit IAP në Shqipëri dhe Malin e Zi është rreth 162 km, ndërsa investimi në total llogaritet në rreth 288 milionë Euro.

Ndërtimi i këtij gazsjellësi transmetimi do të beje te mundur gazifikimin e Shqipërisë dhe Malit të Zi, si dhe zgjerimin e sektorit të gazit në Kroacinë jugore dhe Bosnjë e Hercegovina, duke siguruar një furnizim të larmishëm dhe të besueshëm të gazit natyror.

Ky projekt transmetimi per furnizim me gaz natyror parashikohet që të ketë një kapacitet vjetor në rreth 5 miliardë m3 gaz (ose 5 bcm). Llogaritet për 1bcm për Shqipërinë, 0,5 bcm për Malin e Zi, 1 bcm për Bosnje dhe Hercegovinën dhe 2,5 bcm për Kroacinë.

Nga Fieri, Shqipëri, tubacioni shkon ne drejtim të veriut duke arritur Tiranën, duke vazhduar me tej në drejtim të kufirit me Malin e Zi afër Shkodrës. Në kufi, tubacioni kalon lumin Buna dhe shkon në drejtim të Tivarit (Bar). Së fundi, nga Plloce në Kroaci, rruga vazhdon në drejtim të veri-perëndimit, duke arritur Dugopolje pranë qytetit të Splitit (Kroaci).

Ministria e Ekonomisë e Malit të Zi dhe Ministria e Energjisë dhe Industrisë e Shqipërisë, në bashkërendim edhe me DG ENERGY, kanë përgatitur dhe kanë paraqitur një propozim të përbashkët për financim nga WBIF (Raundi 15) për projektet kryesore teknike të pjesës Shqipëri dhe Mali i Zi të projektit IAP.

energjia.al  07.05.2016