Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Vazhdon lobimi për projektin IAP

Shqipëria bashkë me disa vende të rajonit janë duke lobuar në Komisionin Europian për të siguruar financimet e  nevojshme për projektin IAP (linja dytësore e gazsjellësit TAP që do të furnizojë Malin e Zi, Kroacinë, Bosnjën dhe Kosovën nëpërmjet Shqipërisë).

Burimet zyrtare nga Enti Rregullator i Energjisë bëjnë me dije qeveria  shqiptare ka aplikuar tashme për financime dhe po punohet ngushtësisht me qeveritë e dy shteteve te tjera ku kalon ky projekt, Malit te Zi dhe Kroacisë për sigurimin e këtyre fondeve e duke shkuar drejt realizimit te këtij projekti.

Projekti IAP do të kalojë në drejtim të veriut, përshkon ne mënyrë gjatësore territoret e vendit tonë, dhe për rrjedhojë do të shërbejë si një magjistral, rrjet transmetimi i presionit të lartë, duke siguruar kështu një furnizim të qëndrueshëm afatgjatë me gaz.

Ky projekt do të bëjë lidhjen me projektin TAP-AG, nëpërmjet Shqipërisë, Malit të Zi do të përfundojë ne Kroaci, dhe nga ky projekt do të përfitoj, Kosova dhe Bosnja Hercegovina. Gjatësia e këtij tubacioni do te jete 511 km, do te transportoje 5 bcm/vit dhe përfituesit nga kjo sasi gazi do të jetë:

Shqipëria me 1bcm/vit

Mali i Zi me 0,5 bcm/vit

Bosnja dhe Hercegovina 1bcm/vit

Kroacia me 2.5 bcm/vit

Kosova do të marrë gaz nëpërmjet Shqipërisë, njofton ERE. Projekti TAP në vendin tonë tashmë ka hyrë në periudhën e implementimit të tij, ose në fazën e ekzekutimit, dhe pas tij do te kemi ndërlidhjen me projektin tjetër IAP.

TAP certifikohet në të tre vendet si transmetues i pavarur

Entet rregullatorë të Energjisë të tri vendeve nga ku do të kalojë tubacioni i gazsjellësit Trans Adritic Pipeline, Shqipërisë, Greqisë dhe Italisë e kanë certifikuar si Operator të pavarur Transmetues bazuar në modelin ITO të Paketës së Tretë të Energjisë.  Vendimi final merr në konsideratë certifikimin e TAP, sipas direktivave të Komisionit Europain dhe Sekretariatit të Energjisë.

Në lidhje me këtë çështje, drejtori menaxhues i projektit TAP, Ian Bradshaw tha se : “Jam shumë i kënaqur nga progresi i bërë deri tani me projektin TAP. Pas realizimit të kontratave tona strategjike, arritjes së tubacioneve të para në Shqipëri,  certifikimi ITO është një tjetër sfidë e arritur, por ne do të duhet të vazhdojmë më tej. Do të doja të falënderoja të tre autoritetet, Komisionin Europian dhe Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë për bashkëpunimin në këtë proces”.

Në vitin 2013, TAP siguroi një përjashtim nga disa dispozitave të Direktivës së BE-së gazit (2009/73 / EC), duke përfshirë edhe atë mbi pronësinë për një periudhë prej 25 vjetësh.

Revista Monitor,  03.05.2016