Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Renditja e 27 më të mëdhenjve të naftës

Viti 2014 shënoi një shpërthim të kompanive të tregtimit të naftës në vend. Në listën e 200 sipërmarrjeve më të mëdha përfshihen 27 të tilla, që kanë realizuar një qarkullim vjetor prej 238 miliardë lekë (rreth 1.7 miliardë euro), me një rritje prej 33% me bazë vjetore, sipas të dhënave të dorëzuara te tatimet.

Këto kompani realizuan gati 25% të qarkullimit total të 200 VIP-ave, të ndihmuara dhe nga zgjerimi i prodhimit vendas, por dhe faktit që nafta blihet e shitet shumë herë, duke rritur artificialisht volumin e tregut dhe xhiron e kompanive të këtij segmenti  (për arsye të numërimit të dyfishtë të prodhimit të brendshëm që shkon për tregtim në retail si te qarkullimi i ndërmarrjeve prodhuese ashtu edhe tek ato tregtuese dhe shit-blerjes disa herë të saj).

Tregtimi i naftës është një sektor që ka lëvizje të mëdha, me mbyllje të kompanive, apo rritje stratosferike të tyre brenda një periudhe të shkurtër kohore. 2014-a ka shënuar një numër rekord kompanish (një pjesë të krijuara në tetor 2013), që janë rritur ndjeshëm. Pas daljes nga tregu të Taçi Oil në mesin e 2013-s dhe më pas të IT Oil, operatorë të rinj, të krijuar në fund të 2013-s, kanë rritur me shpejtësi aktivitetin. Të tjerë janë në vështirësi dhe kanë “braktisur” kompaninë, duke lënë me gisht në gojë kreditorët.

RDA Petrol është një kompani e krijuar në vitin 2013, që ka arritur të ketë një xhiro prej 5.5 miliardë lekësh në 2014-n, me një rritje vjetore prej 82%. Sipërmarrja e ka qendrën në Fier. Sipas burimeve të saj, ajo tregton dhe shpërndan me shumicë naftën e importuar nga ENI AGIP, por edhe produktin vendas të Rafinerisë ARMO. Për këtë qëllim, ajo zotëron filiale të tregtimit me shumicë në Vlorë, Fier, Ballsh, Durrës e Tiranë.

Eroil, e krijuar në tetor 2013, është ngjitur me shpejtësi në 2014-n, duke shënuar një qarkullim vjetor prej 5.3 miliardë lekësh.

Edhe Sun Petroleum Albania Trading, distributore produktesh nafte me rrjet retail, që operon nën brandin e Gulf Oil në Shqipëri, Kosovë, Republikën ish-jugosllave të Maqedonisë dhe Mal të Zi, e krijuar po në tetor 2013, ka parë një rritje të shpejtë, duke arritur një qarkullim vjetor prej 3.45 miliardë lekësh.

Tea Construction & Petrol, një nga kompanitë që shënoi rritje të shpejtë në 2013-n ka dalë nga tregu tashmë. Në 2014-n, kompania i uli të ardhurat me 5% në 8.5 miliardë lekë.

AFT, një tjetër operator i ri nafte, që u rrit me shpejtësi në 2013-n, ka parë një rënie të të ardhurave, me 34%, në 2.9 miliardë lekë.

Aktorët e tregut pohojnë se tregu i naftës ka luhatje shumë të mëdha, duke qenë dhe sektori që ka më shumë falimentime. Çdo vit falimentojnë 2-3 kompani.

Nga ana tjetër, ka shumë sipërmarrje, që hyjnë në treg, ndërkohë që mungon kontrolli dhe informaliteti është shumë i lartë. Mund të ndodhë që një operator të hyjë në treg, të xhirojë deri në 10 milionë dollarë dhe të dalë vitin tjetër, duke shkarkuar kështu një pjesë të xhiros së pafaturuar të një kompanie tjetër, një formë e përdorur rëndom evazioni më se një dekadë më parë, por që duket se është rikthyer sërish në modë. Borxhet e kreditë e ndërsjellta apo shit-blerjet mes kompanive janë një formë tjetër e shmangies.

Edhe Autoriteti i Konkurrencës e ka pohuar këtë prirje të luhatshmërisë së madhe të tregut në një hetim për tregun e karburanteve, duke kërkuar “ndërtimin e instrumenteve për të kontrolluar hyrjet dhe daljet e shpeshta brenda vitit financiar të ndërmarrjeve që operojnë në tregun e tregtimit me shumicë të karburanteve, të cilët gjenerojnë konkurrencë të pandershme”. Ekspertët pohojnë që duhet të rregullohet tregu, që kompanitë të mos hyjnë e dalin si të duan, por të ketë kritere të larta.

Mjafton që një sipërmarrje të blejë disa bote me naftë dhe xhiron shuma të larta. Sipas një pike të ligjit për hidrokarburet, kompanitë duhet të mbajnë rezerva 90 ditë kalendarike, çka përbën një kosto të madhe, por firmat e vogla nuk e zbatojnë këtë dhe e mbyllin vitin tjetër, kur duhet të rregullojnë rezervat.

Në total, tregu vlerësohet se xhiron deri në 1 miliard euro, por nafta blihet e shitet shumë herë, duke rritur artificialisht volumin e tregut dhe xhiron e kompanive. Për vitin 2014, xhiro e 26 kompanive në listën e 200 më të mëdhenjve u rrit me 33%, ndërsa importet e karburanteve për këtë vit ishin 482 mijë tonë, rreth 5% më të larta se një vit më parë.

Pavarësisht xhiros së lartë, kompanitë e naftës karakterizohen nga norma të ulëta fitimi dhe kanë një numër të vogël të punësuarish, dy elemente që janë parësore për të parë ndikimin e një kompanie në ekonominë reale të një vendi.

Kastrati dhe Europetrol Durrës Albania janë dy kompanitë më të mëdha dhe më të qëndrueshme në treg. Kastrati i rriti të ardhurat me 5% në rreth 67 miliardë lekë në 2014-s, ndërsa Europetrol Durrës Albania pa një rënie me 13% në 19 miliardë lekë.

Everest Oil SHA është një hyrje e re e dy viteve të fundit, që është ngjitur me shpejtësi në renditje. Kompania është krijuar në mesin e vitit 2012, për të arritur të ardhura prej 16 miliardë lekësh në 2013-n, duke u pozicionuar atë vit direkt në vendin e dhjetë. Në 2014-n, zgjerimi vazhdoi, ndonëse me ritme më të ulëta, duke arritur në 18.9 miliardë lekë (rritje 16%). Everest tregton me shumicë naftën nga depozitat e Petrolifera, ndërsa nuk ka një rrjet të vetin të tregtimit me pakicë. Everest Oil SHA blen karburantet nga ndërmarrja ENI s.p.a. dhe ua shet këtë karburant ndërmarrjeve të tjera të shitjes me shumicë në zonën e lirë doganore (pra i gjithë transaksioni ndodh në zonë të lirë doganore), sipas një hetimi të Autoritetit të Konkurrencës.

Armo dhe dy kompanitë që e shfrytëzojnë me qira financiare

Në gjysmën e dytë të 2014-s dhe muajt e parë të 2015-s, kompania e përpunimit të naftës doli nga letargjia ku e kishin futur një varg relativisht i dështuar privatizimesh e shitblerjesh. Ajo rinisi përpunimin e naftës direkt dhe përmes dy kompanive që morën me franshizë aktivitetin e saj, Deveron Oil Albania dhe TPD-Trading Petrol & Drilling.

Deveron Oil Albania, e hapur në 13.11.2013, me të ardhura zero në 2013, ka parë një rritje të shpejtë të të ardhurave në 2014-n, në 10.7 miliardë lekë, duke u renditur e 21-a ndër kompanitë më të mëdha. TPD-Trading Petrol & Drilling, në shtator të 2013-s, ka nënshkruar marrëveshje me ARMO-n dhe operon në rafinerinë e Fierit në kapacitet përpunimi 500 mijë tonë në vit, që nëpërmjet qirasë shfrytëzon një nga impiantet e përpunimit të naftës së ARMO-s. Kompania është krijuar në maj të vitit 2012, sipas të dhënave nga QKR dhe ka njohur rritje të shpejtë, duke e shtuar xhiron me 440% në 2014, në 16.5 miliardë lekë. Ajo është radhitur e 11-a ndër kompanitë më të mëdha për nga xhiroja në tatime në vitin 2014.

Shitja 10 milionë euro e IT Oil

Operatori me shumicë i naftës, I.S.C. Petroleum Company (emri tregtar “IT OIL International”) u shit në fund të vitit 2015 te një kompani e huaj, me emrin “Tamm Oil Trading”. Sipas të dhënave të transaksionit, “Tamm Oil Trading” është e regjistruar në Vjenë, dhe është e përfaqësuar nga Dr. Hans Jorg Tamm. Nga marrëveshja e shitjes rezulton se blerësi ka rënë dakord të paguajë 10 milionë euro shitësin, që duhet të shlyhet brenda 7 vitesh.

I.S.C. Petroleum (IT Oil) është krijuar në vitin 2011, sipas ekstraktit të QKR-së, dhe mori në 2013-n, aktivitetin e Taçi Oil International, pasi aksionerët e kësaj të fundit, në një marrëveshjeje shitjeje të kompanisë tjetër në pronësi të tyre, A.R.M.O, në gusht 2013, u ndaluan të merreshin me aktivitetin e tregtimit të karburanteve.

Për vitin 2014, kompania raportoi një xhiro vjetore prej 5.8 miliardë lekësh (rreth 41 milionë euro), nga 1.9 miliardë lekë vitin e mëparshëm, ndërsa fitimi për 2014 ishte 47 milionë lekë (rreth 335 mijë euro).

Në bilanc rezulton që I.S.C. Petroleum ka rreth 1.3 miliardë lekë detyrime ndaj të tjerëve, nga të cilat pjesën më të madhe e ka ndaj Kuarta shpk dhe Taçi Oil International, konkretisht 879 milionë lekë dhe 236 milionë lekë.

Revista Monitor,  03.05.2016

Nafta_me_medhenjte