Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Puka: 2016-a, viti i mbijetesës për naftën

Puset e reja të naftës që do të shpohen gjatë vitit 2016 në Shqipëri do të numërohen me gishtat e dorës, tha Endri Puka, drejtor i kompanisë shtetërore të nxjerrjes së naftës, Albpetrol. Nga një mesatare vjetore prej mbi 120 pusesh të reja në tre vitet e fundit, ulja do të jetë drastike, duke detyruar shumicën e kompanive që kanë ofruar këto shërbime të reduktojnë ndjeshëm personelin, madje në disa raste edhe të mbyllin përkohësisht aktivitetin, tha Puka. Në situatën e krijuar, më tepër se gjysma e sondave do të vazhdojnë të punojnë për t’iu shërbyer puseve ekzistuese. Prodhimi do të pësojë ulje prej rreth 10%, por të ardhurat do të ulen edhe më shumë si pasojë e uljes në mënyrë të veçantë të çmimit për naftën me cilësi më të ulët, shpjegoi ai. Kjo është pritshmëria për sektorin e prodhimit të naftës. Teksa popullsia do të përfitojë nga kjo “pranverë” me çmime të ulëta, industria do të vuajë krizën më të rëndë të këtij shekulli. Por sërish duket se ka dritë në fund të tunelit. “Për herë të parë, pas shumë vitesh, fitimi neto do të jetë më i lartë për kontratat e shitjes brenda vendit, krahasuar me eksportin”, – shpjegoi drejtori i Albpetrol. Ai lajmëroi se, ndërkohë koncesionarët ofrues të shërbimeve ekskluzive do të duhet të ulin diçka nga fitimet e tyre marramendëse dhe çmimet e ekzagjeruara për të stimuluar eksportet.

Puka tha se, Albpetrol sh.a. do të jetë e vetmja kompani që do të rrisë prodhimin në vitin 2016. Por kjo rritje nuk do të ketë ndikim të rëndësishëm në prodhimin kombëtar, pesha kryesore e të cilit mbahet nga Bankers Petroleum.

Në botë, numri i sondave në punë do të kapë nivelin më të ulët ndër dhjetëra vitet e fundit, një arsye e rëndësishme që kërkesa do të barazohet me ofertën në tremujorin e katërt të 2016-s, pavarësisht eksporteve të Iranit. Por deri në tremujorin e fundit kur çmimi do të fillojë sërish rritjen, prodhuesit në Shqipëri do të përfitojnë 20-30 USD për fuçi, pasi të zbresin kostot e shitjes, shpjegoi Puka.

Me këtë çmim, kompanitë kryesore, veçanërisht Bankers e Albpetrol, do ta kalojnë lehtësisht testin e 2016-s. Duke i paraprirë krizës, këto dy kompani kanë ulur ndjeshëm kostot e prodhimit për fuçi gjatë viteve 2014 dhe 2015. Kompanitë e tjera që operojnë në Shqipëri duhet të bëjnë përpjekje thelbësore për ta kaluar këtë test pa goditje të rëndësishme. “Të gjitha kompanitë private do t’i shohin me interes ofertat që do t’u vijnë për të shitur pjesën kontrolluese të aksioneve dhe pritet që disa ndryshime të rëndësishme të ndodhin në 2016-n. Kjo nuk e përjashton mundësinë që të kemi edhe dështime, ndaj pritet që disa vendburime, si pasojë e vështirësive financiare të kompanive që i zotërojnë dhe mosshlyerjes së detyrimeve aktuale apo të mbartura, do të rikthehen në Albpetrol gjatë vitit 2016”, shtoi ai. Ulja e kostove të shërbimeve si pasojë e investimeve të ulëta, krijon kushte më të mira për kërkimin e vendburimeve të reja. Gjatë vitit 2016, pritet të miratohen nga qeveria shqiptare marrëveshje të reja kërkimi për blloqet e Dumresë, Bllokun 5 dhe Velçën. Viti 2016 do të jetë i rëndësishëm edhe për vendosjen e bazave të gazifikimit të vendit. Puka tha se, Albpetrol sh.a. do të ndajë pjesën e transmetimit dhe të shpërndarjes së gazit në kompani të reja dhe të pavarura, sipas direktivave të Sekretariatit të Energjisë në Vjenë (i njëjti proces i zhvilluar vite më parë nga KESH kur u krijuan Operatori i Sistemit të Transmetimit dhe i Sistemit të Shpërndarjes). Brenda këtij viti, shpjegoi ai, pritet të përfundojë masterplani i gazit dhe projektet e fizibilitetit për linjat Seman-Vlorë, Seman-Marinëz dhe depozitat natyrale në zonën kripore të Dumresë. Kjo do të hapë një kapitull të ri në fushën energjetike të Shqipërisë.

Revista Monitor,  30.04.2016