Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Industria minerare, Gjiknuri: mbeshtetje investimeve

Fjala Ministrit Gjiknuri në Kongresin për Industrinë Minerare

Të nderuar zonja dhe zotërinj,

Ju falenderoj që keni marrë pjesë në këtë event. Falenderoj Albchrome-in për gjithë sponsorizimin që i ka bërë këtij eventi kaq të rëndësishëm. Një kompani shumë serioze që është lider në investimin në industrinë  e kromit, po e demonstron edhe sot me sjelljen këtu të një pjesë të madhe të firmave më të njohura siç i shoh nga lista, e pjesëmarrësve në botë dhe kjo është realisht një ngjarje shumë e mirë për Shqipërinë, por edhe emrin e kësaj kompanie e ngre shumë lart.

Ky kongres zhvillon punimet në një situatë jo fort të mirë për sa i takon konjukturës së çmimeve të mineraleve në bursat ndërkombëtare.

Industria po ndeshet me sfida të mëdha në të gjithë botën ku rënia e çmimeve është ndjekur me uljen e kërkesës për minerale, kërcënimin e vazhdimësisë së bizneseve dhe humbjen e vendeve të punës. Vetëm në 18 muajt e fundit rezulton se çmimi i mineraleve të ndryshme ka pësuar rënie me 30-40% tek kromi e bakri, 77% tek nikeli e 17% rasti i zingut.

Kjo situatë e ka bërë më të nevojshme ndërveprimin e të gjitha qeverive me sipërmarrjet që zhvillojnë aktivitetet në industrinë minerare. Tejkalimi i momentit të krizës së çmimeve natyrshëm kërkon angazhim të përbashkët.

Pavarësisht vetë-konfigurimit sektorial të industrisë së mineraleve, bazuar së pari në kërkesën dhe ofertën e natyrshme, globalizimi i kërkesës dhe ofertës së mineraleve me anë të aksesit në bursa ka nxjerrë në pah dobësitë e sistemit të tregtimit të tyre, për të gjitha rastet kur industria e nxjerrjes së mineraleve, përpunimit të tyre dhe tregtimit e metaleve në tregjet fundore varet nga një industri ndërmjetësimi tregëtaro-financiar që në shumë raste kalon në kufijtë e spekulimit.

Fatmirësisht, industritë minerare dhe ajo e metaleve në përgjithësi nuk karakterizohen nga urgjenca të aksesit në stokun minerar apo metalor dhe për pasojë nuk ka përse të bëhen pre e spekulimit tregtar, që në shumë raste ul vlerat e çmimeve të mineraleve apo metaleve në mënyra artificiale me anë të shitblerjeve të stoqeve masive të rezervave.

Për pasojë, sot kemi një situatë ku mbizotëron nevoja për një bashkëpunim të rakorduar edhe me anë të marrëveshjeve afatgjata me ndërmjetësi shtetërore mes sipërmarrësve të të gjithë zinxhirit minerar, duke filluar që nga shkëmbimi i informacionit dhe databazave, që nga nxjerrja e mineralit e deri tek përdorimi i metaleve si lëndë e parë në industri të ndryshme.

Një minierë e mbyllur nuk është vetëm një humbje financiare për sipërmarrjen. Është padyshim një numër punëtorësh që dalin të papunë, të ardhura të munguara në Buxhetin e Shtetit dhe tregues ekonomik të përkeqësuar.

Është e qartë se lëkundjet e çmimeve në tregjet ndërkombëtare janë të pashmangshme në një ekonomi tregu. Nuk është një fenomen që po ndodh sot për herë të parë. Por, pavarësisht vështirësive, duhet parë edhe si një moment që evidenton sipërmarrjet e guximshme..

Megjithatë, nevoja per partneritet me politikëbërjen ekonomike do t’i jepte një dimension të ri maturisë dhe pjekurisë së strategjive të guximshme të sipërmarrjeve private në këtë fushë.

Investitorët seriozë ndërtojnë strategjitë dhe marrin vendimet mbi plane afatgjata që tejkalojnë limitet e luhatjes së çmimeve në tregje. Ndaj, gjej rastin që t’ju falenderoj sot për organizimin e këtij takimi dhe besoj se bëni pjesë në ato sipërmarrje që kërkojnë ti bëjnë ballë krizës duke zgjeruar aktivitetin dhe jo duke u tkurrur në pasivitet.

Shqipëria konsiderohet një vend me sipërfaqe të vogël, por me pasuri shumë të mëdha natyrore. Krahas burimeve hidrike dhe atyre hidrokarbure, në Shqipëri ka rezerva të mëdha të mineraleve e gurëve dekorativ.

Në krahasim me vendet e tjera të Mesdheut dhe Ballkanit, Shqipëria është e njohur për potencialin e lartë të mineralit të kromit. Burimet kryesore shtrihen në verilindje, juglindje dhe rajonin qendror: Bulqizë, Kukës, Tropojë, Shebenik e Pogradec.

Por një bashkëpunim i studiuar i strukturës së sipërmarrjes rajonale në industritë minerare dhe të metaleve do të ndihmonte duke çuar më tej shfrytëzimin e optimizuar dhe racional të rezervave minerare, si edhe do të nxiste krijimin e një rrjeti të koordinuar për identifikimin e nevojave dhe të ofertës reale në rajon. Pra nuk po flas vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë rajonin.

Me të njëjtën frymë do të ecte edhe një nismë e krijimit dhe shkëmbimit të databazave mbi baza rajonale bashkëpunimi, gjë e cila do të ndikonte drejtpërsëdrejti në shfrytëzimin më efikas të rezervave në shkallë kontinenti e më gjerë.

Rezervat globale të mineraleve duhet t’i shërbejnë zhvillimit dhe industrive që e bëjnë atë të mundur e po ashtu industritë që e mundësojnë atë duhet t’i aktivizojnë potencialet e tyre në frymën e fitimit jospekulant. Por për të arritur në këto praktika ne të gjithë kemi nevojat specifike të politikave kombëtare të ndërthurura me bashkëpunimin sektorial dhe atë internacional. Besoj organizata ku ju jeni pjesë është në rolin kryesor dhe duhet të bashkëveprojë ngushtë me qeverinë në mënyrë që të gjitha qeveritë të kuptojnë situatën ku kalon industria nxjerrëse dhe së bashku dorë për dore të përballojnë këtë, duke hartuar politika të tilla që e bëjnë këtë situatë krize të kalojë sa më shpejt.

Duke u kthyer tek pasuritë shqiptare doja të thoja disa karakteristika që  v rezervat minerale kryesore në Shqipëri si psh kromi është e një cilësie nga 15-48%, hekur-nikelin 38,5 – 47,2% dhe bakri mesatarisht 1,6%.

Qeveria shqiptare ka mbështetur zhvillimin dhe modernizimin e mëtejshëm të sektorit duke synuar kushtet e standardet bashkëkohore. Kemi hartuar politika që nxisin, orientojnë dhe garantojnë investime e financime të brendshme e të huaja në industrinë minerare.

Sipas të dhënave të Nismës për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse, prodhimi i minierave për vitin 2014 në Shqipëri u vlerësua të arrinte në 175 milion USD dhe  76% të prodhimit të brendshëm minerar e zë kromi. Vitin e kaluar u prodhuan 673,990 ton mineral duke shënuar një ulje shumë të vogël krahasuar me një vit më parë.

Gjatë vitit 2015, llogariten rreth 39 milion USD investime vetëm në industrinë e kromit dhe vlen për t’u theksuar se rreth 64% të punësimit në sektorin minerar e zë përsëri kromi.

Nuk mund të lë pa përmendur investimin tepër të rëndësishëm që aktualisht Albchrome po ndërmerr në hapjen e Pusit kryesor dhe në avancimin e Traverbankut të Klosit. Investime këto që do të mundësojnë zgjatjen e jetës së këtij vendburimi për të paktën edhe 30 vite të tjera.

Për qeverinë shqiptare objektiv mbetet gjithashtu rritja e shkallës së pasurimit dhe përpunimit të mineraleve në vend. Gjithashtu, synohet rritja e eksporteve minerare si një element i rëndësishëm i rritjes ekonomike, punësimit dhe nivelit të jetesës në zonat minerare.

Falë investimeve të kryera në dy vitet e fundit është bërë e mundur që të rritet me 35% sasia e ferrokromit të prodhuar. Është vënë në punë impianti i seleksionimit të kromit në Klos, Uzina e Ferrokromit në Burrel ashtu sikurse ajo në Elbasan ndërsa 86% e sasisë së ferrokromit të përpunuar është dërguar për eksport.

Shqipëria është padyshim një vend potencial për investime. Përveç kromit, vlerësohen të konsiderueshme edhe rezervat gjeologjike në hekur-nikel dhe nikel-silikate që arrijnë në rreth 364 milion ton.

Por Shqipëria gjithashtu nuk mund të ecë e vetme në rrugën e zhvillimit së pari rajonal dhe më pas europian. Ky është momenti kur partneriteti ndërkombëtar fillon të funksionojë si një ekip ekspertësh të përzgjedhur për një mision që shtrihet përtej interesit të momentit, përtej fitimit spekulativ, përtej pjesëmarrjes pasive në organizata.

Ky është momenti kur Shqipëria ka vendosur të jetë një aktor po aq konkurrues sa të gjithë vendet e tjera partnere europiane dhe në përpjekjen tonë sot ne kemi arritur të dalim më denjësisht në terrenin e politikave që çojnë në situata me përfitime më të gjera.

Përpjekjet aktuale të nismave dhe përkrahjes shtetërore të sipërmarrjeve me anë të kuadrit ligjorë favorizues për sipërmarrjet, më të hapur ndaj decentralizimit, shfrytëzimit të burimeve natyrore, më elastike ndaj interesave rajonale dhe europiane, kanë arritur të ngjallin interesin e investitorëve jo vetëm të kontinentit tonë.

Gjithashtu ka hapësirë për investime në shfrytëzimin e mineralit të bakrit. Po hapet një perspektivë është për shfrytëzimin e rërave bituminoze, ranorëve masivë e pllakorë ashtu sikurse gurëve gëlqerorë.

Qeveria edhe përmes ndërhyrjeve ligjore ka ndërmarrë hapat për të siguruar masa lehtësuese për subjektet dhe zhvillimin normal të veprimtarisë së tyre.

Ministria e Energjisë në bashkëpunim me Ministrinë e Financave po diskutojnë një sërë masash të reja që kanë për synim mbështetjen e industrisë minerare. Masa të cilat kanë të bëjnë me çështjen e garancive të investimit, garancive mjedisore apo edhe trajtimin e elementëve të lagështirës dhe transportit në llogaritjen e rentës, si dhe kthimi i çmimit të referencës për eksport me çmime tregu dhe jo me disa çmime fikse të cilat qëlluan të jenë arkaike dhe që po rëndonin industrinë e kromit sidomos.

Objektivi i qeverisë shqiptare është tërheqja e investitorëve të fuqishëm dhe seriozë në sektorin minerar, duke theksuar faktin se kemi akoma burime të konsiderueshme ku ka mundësi për kërkim, zbulim dhe shfrytëzim.

Le të shërbejë ky takim dy ditor si mundësi për secilin prej jush që të njihen nga afër me potencialet që ofron vendi dhe fushat e mundshme të investimeve. Ajo çka unë si Ministër i Industrisë ju garantoj është një mjedis miqësor ndaj sipërmarrjes dhe garanci për investimet tuaja dhe besoj ata që investojnë në Shqipëri nuk do të largohen, por do të ndihen shumë mirë dhe jam i sigurtë që do të ftojnë edhe të tjerë për të ardhur dhe për tu bërë pjesë e zhvillimit të këtij vendi.

Edhe njëherë ju uroj sukses në punimet e këtij kongresi dhe uroj të kaloni një kohë sa më të mirë edhe në Shqipëri.

Ju faleminderit!

Prononcimi i Ministrit Gjiknuri për median pas konferencës:

Z.Ministër çfarë po bëhet me paketën e njoftuar për nxitjen e industrisë minerare në situatën e rënies së çmimeve në bursat ndërkombëtare?

Ne kemi marrë tashmë një vendim duke ndryshuar çmimet e referencës së eksportit. Bëhet fjalë për një udhëzim të vitit 2012 sipas së cilës tatimi (për rentën) realizohej me çmimet e kësaj periudhe. Sot, nuk mund të flitet më me këtë bazë, pasi çmimet në tregjet ndërkombëtare kanë pësuar një rënie drastike. Përdorimi i këtyre çmimeve ishte një masë shumë arkaike pasi e dëmtonte shumë biznesin.

Nga ana tjetër, jemi duke diskutuar me Ministrinë e Financave për të lehtësuar edhe disa elementë të tjerë që kanë të bëjnë me referencën për rentën, në mënyrë që të ulet çmimi i transportit nga çmimi bazë mbi të cilën llogaritet renta apo elementë të tjerë teknikë.

Ndërkohë, janë gati dy vendime qeverie që kanë të bëjnë me pagesat e garancive për mjedisin dhe të investimeve, që më përpara bllokoheshin për një kohë të gjatë. Tani do të çlirohen në mënyrë që kompanitë t’i përdorin për kapital pune, për investimet e tyre. Unë besoj se janë disa masa që do të japin efekt.

Industria minerare, sikundër u tha edhe në këtë konferencë është në pikën e saj më të ulët për shkak të rënies së çmimeve të mineraleve në bursë.

Ne kemi hedhur hapin e parë dhe shumë shpejt besoj se do të flasim për finalizimin e këtyre masave, ndoshta brenda një muaji ato do të mund të miratohen.

Për këto masa është rënë dakord edhe me Ministrinë e Financave, së bashku me të cilën morëm vendimin për ndryshimet e çmimeve të referencës, për heqjen e referencës së vitit 2012. Natyrisht këto masa mund të kenë ndikim në Buxhet, por nuk duhet të harrojmë se për shkak të pritshmërive që ka shteti për rentën dhe industria është duke kaluar një situatë jo të favorshme. Besoj se kemi ardhur në momentin për ta riparë më me vëmendje që industria të nisë të prodhojë dhe të jetë rentabël.

energjia.al  28.04.2016