Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Punonjësit e TransAtlantic ndërpresin prodhimin

Punonjësit e kompanisë koncesionare të naftës, Transatlantic Petroleum kanë ndërprerë sot prodhimin, duke njoftuar për këtë veprim me një shkresë kryeministrin, ambasadorin e SHBA-ve dhe drejtuesit e Albpetrol (shkresa në foto).

Ndërsa kompania është në një process shitjeje, nga Transatlantic Petroleum të GBC Oil, punonjësit në shkresën e tyre pohojnë se arsyeja kryesore e këtij veprimi lidhet me pushimin nga puna të një kolegu të tyre dhe me terrorin, sipas tyre të ushtruar nga administrator i ri, z.Neim Kasa. Ata kërkojnë kryerjen e pagesave të prapambetura dhe të pagesave sipas kontratës.

Një ndërprerje e aktivitetit të kompanisë, sipas ekspertëve krijon dëme të rënda për vendburimin, pasi dëmtohen puset. Konflikti po zgjat tashmë prej disa muajsh, por tashmë është përkeqësuar ndjeshëm.

Shitja nga Transatlantic te GBC Oil
Transatlantic Petroloeum Ltd (ish Stream Oil), shfrytëzon 4 vendburime të njohura nafte dhe gazi në Shqipëri, atë të Ballsh-Hekalit, Gorisht-Koculit dhe Cakran-Mollajt në naftë, si dhe fushën gazmbajtëse të Delvinës. Pas Bankers Petroleum, ky koncesion është prodhuesi i dytë më i madh i naftës në vend.
Në shkurt të këtij viti Continental Oil & Gas (mëma) dhe GBC Oil Company Ltd. (bija) deklaruan blerjen e Transatlantic Petroloeum Ltd.
Të dyja kompanisë, si mëma dhe bija rezultojnë pa eksperiencë në aktivitetet e naftës dhe gazit, ndërkohë që përmes parajsave fiskale (mëma është e regjistruar në Delaëare, SHBA) janë fshehur më së miri gjurmët, aq sa autoritetet po e kanë të pamundur që të verifikojnë se cilët janë aksionerët aktualë të pronarit të ri të katër burimeve të rëndësishme natyrore në vend.
Pas GBC Oil (që mësohet se janë inicialet e Gorish-Ballsh-Cakran) është konstatuar nga autoritetet se qëndrojnë të njëjtën aksionerë të shoqërisë Phoenix Petroleum (z.Neim Kasa është aksioner i kompanisë Phoenix Gas që ka në pronësi Phoenis Petroleum), që në vitin 2013 ka marrë 9 burime nafte me koncesion. Tashmë kompania po synon të marrë dhe 4 të tjera, duke zotëruar 13 vendburime, nga 16, që ka gjithsej Albpetrol, (kompania shtetërore, që menaxhon këto burime) dhe duke u bërë monopol i burimeve të gazit.

Detyrimet
Në njoftimin zyrtar të shitjes së operacioneve nga Transatlantik Petroleum Ltd te GBC Oil Company Ltd. Në 4 mars 2016, bëhet e ditur se shitja tek GBC Oil është bërë në këmbim të pagimit të një huaje prej 2.3 milionë dollarë tek banka Raiffeisen dhe marrjes përsipër të 29.2 milionë dollarë detyrime të kompanisë, që përbëhen nga 23.1 milionë dollarë llogari të pagueshme dhe 6.1 milionë dollarë borxh. Për gazin e Delvinës, Transatlantic njofton se ia ka kaluar asetet dhe detyrimet prej 12.9 millionë dollarë të lidhura me të tek Delvina Gas Company Ltd. (“DelvinaCo”), një kompani e re, në pronësi po të Transatlantic.
Në një situatë të tillë, teksa dhe detyrimet e koncesionarit sa vijnë e rriten, Albpetrol, shoqëria shtetërore e nxjerrjes së naftës, që menaxhon kontratën koncesionare në fjalë, ka filluar procedurën e prishjes së kontratës me Transatlantic, për shkak se nuk janë përmbushur detryrimet kontraktuale. Burimet zyrtare nga Albpetrol kanë pohuar për Monitor se “Ne jemi detyruar që të nxjerrim aktin pasi kompania ka dështuar në mënyrë të përsëritur që të shlyeje detyrimet”. Transatlantic i ka mbi 10 milionë euro detyrime Albpetrol.

Revista Monitor,  22.04.2016