Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Ahmetaj: Antikontrabanda do fokusohet tek nafta

Nisur nga të ardhurat e ulta në dogana në fund të vitit 2015 të cilat ishin gati 8 miliardë lekë më pak se në vitin 2014, Ministria e Financave nën drejtimin ish ministrit Shkëlqim Cani bëri një analizë, në të cilën rezultoi se evazioni në dogana kishte ndodhur kryesisht në artikujt e cigareve dhe celularëve. Ndaj edhe në relacionin e ligjit të buxhetit 2016 u njoftua se lufta ndaj informalitetit në dogana do të fokusohej në këto dy artikuj.

Por nën drejtimin e Ministrit Arben Ahmetaj, duket se lufta antinformalitet do të fokusohet tek nafta. Fokusi do të jenë nafta dhe nënproduket e saj, që nga pakica deri tek shumica, pohojnë burimet zyrtare në Ministrinë e Financave. Sipas tyre faktet tregojnë se tek këto mallra, ka hapësira për rritje të mëtejshme të përgjegjësisë tatimore.

Sipas përllogaritjeve të janarit nga ministria së Financave këtë vit do të gjenerohet TVSH e brendshme me rreth 2,8 miliard lekë si rezultat i luftës ndaj informalitetit.
Të ardhurat shtesë nga rritja e importit të cigareve me rreth 400 tonë më shumë se pritshmëria e vitit 2015( me çmimin e vitit 2015), të cilat do të gjenerojnë 622 milion lekë më shumë.

Formalizimi i tregut të celulareve nëpërmjet ngritjes së bazës së të dhënave tek Administrata Tatimore, u parashikua të kishte me efekt rreth 500 milion lek nga tvsh në vitin 2016.
Vetëm për vitin 2014, rezultojnë të jenë zhdoganuar rreth 140 mijë aparate celulare dhe po gjatë 2015 janë aktivizuar rreth 1 milion numra në sistemin e telefonisë së lëvizshme tek të katër operatorët së bashku. Duke marrë në konsideratë kohëmbajtjen mesatare (nga 15 muaj në maksimumi 2 vjet), duke iu referuar trendit më të zakonshëm të konsumatorit ndaj këtij produkti për çdo ndërrim operatori apo numri, duke marrë në konsideratë edhe faktorin reduktues të ‘port-in’ (i njëjti numër, i njëjti aparat, operator i ri), jo më pak se gjysma e këtyre aktivizimeve janë realizuar me aparate të rinj celularë.

Fakt i cili, i përkthyer në shifra, nënkupton se janë jo më pak se 500 mijë aparate të reja vetëm gjatë vitit, ka analizuar Ministria e Financave.
Por Ministri i Ahmetaj me sinjalet e para që ka dhënë ka treguar se aksioni antiinformalitet do të ketë në focus tregun e naftës.

Revista Monitor,  09.04.2016