Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Armo del në shitje

Kompania përmbarimore EPSA publikoi sot në media njoftimin për ankandin e pasurive të paluajtëshme si dhe të linjave teknologjike kompanisë së rafinerive ARMO, kompani që ka ndërprerë aktivitetin që nga viti i kaluar pasi akumuloi humbje të stërmëdha.

Sipas njoftimit të publikuar te gazeta Panorama, ankandi pritet të zhvillohet më 19 shkurt dhe çmimi fillestar i shitjes është 2.8 miliardë lekë. Lista me 26 pasuri përfshin toka dhe objekte në fshatin Drizë të Fierit si dhe në qytetin e Fierit si dhe linjat teknologjike në pronësi të shoqërisë A.R.M.O SHA. Të gjitha objektet e nxjerra në shitje i përkasin Rafinerisë së Fierit, njërës prej dy rafinerive nën pronësinë e ARMO.

Shkatërrimi i ish-gjigandit të naftës

ARMO është ish-ndërmarrja shtetërore që u krijua në vitin 1999 pasi qeveria në atë kohë vendosi ndarjen e industrisë së naftës që vendi kishte trashëguar në tri kompani, shpimi, prodhimi dhe rafinim/shpërndarja, me synimin për ta privatizuar këtë sektor pjesë-pjesë. ARMO kishte fillimisht tre rafineri, atë të Ballshit, të Fierit dhe të Çërrikut. Në vitin 2008, qeveria shqiptare e nxorri në shitje kompaninë pasi i hoqi asaj rafinerinë e mbyllur të Cërrikut duke i lënë efektivisht rafinerinë e Ballshit dhe atë të Fierit. Biznesmeni Rezart Taçi rezultoi fitues i tenderit në emër të një konsorciumi ndërkombëtar jo shumë bindës.

Në bilancin e vitit 2007, kompania rezultonte se kishte 15 miliardë lekë asete, nga të cilat,  3.3 miliardë qenë detyrime dhe pjesa tjetër, kapital i veti. Kompania pati 14.3 miliardë lekë të ardhura në vitin 2007 dhe raportohej se kontrollonte rreth 20 për qind të tregut shqiptar të hidrokarbureve.

Të 85 për qind e aksioneve të blera nga konsorciumi i kontrolluar nga Rezart Taçi, pagoi 128 milionë euro për kompaninë.

Gjendja ekonomike e ARMO-s u përkeqësua me shpejtësi gjatë menaxhimit privat. Në bilancin e vitit 2013, kompania regjistroi humbje të akumuluara prej 39 miliardë lekësh. Kompania, e cila ndërkohë kishte ndërruar pronar, pati regjistruar humbje neto prej 12 miliardë lekësh në vitin 2012 dhe 24 miliardë të tjera në vitin 2013.

Bilanci i vitit 2014 nuk është publikuar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, por në ekstraktin e dokumenteve të kompanisë janë renditur disa dhjetëra kërkesa për bllokimin e shitjeve të aksioneve të kompanisë nga subjekte të ndryshme që kërkojnë borxhet e papaguara të ARMO-s.

Reporter.al  10.02.2016