Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Maqedoni, nafta 68 lekë më lirë

Shqiptarët e kanë gjetur zgjidhjen për të përballuar çmimin e lartë të naftës në vend. Blejnë naftë nga fqinjët dhe e shesin pak më shtrenjtë. Diferenca e çmimeve të naftës dhe benzinës në shitje, mes Shqipërisë dhe Maqedonisë, është rreth 60 lekë. Kjo ka bërë që drejtuesit e mjeteve në zonën kufitare të udhëtojnë drejt Maqedonisë për t’u furnizuar me naftë, ku paguajnë vetëm 90 lekë për litër, nga 158 lekë që e blejnë në Shqipëri. Pikat e karburantit në Maqedoni, që ndodhen afër me kufirin e Shqipërisë, 50 për qind të xhiros ditore e kanë vetëm prej drejtuesve shqiptarë të automjeteve, të cilët përdorin të gjitha mënyrat për të rritur volumin e serbatorëve të makinave, madje i modifikojnë automjetet. Emisioni “Fiks Fare” përcolli mbrëmë mënyrën se si e shfrytëzojnë këtë fakt banorët e zonave kufitare. Gazetarët e “Fiksit” morën rrugën dhe u nisën drejt Pogradecit, ku taksisti pogradecar që i shoqëronte u tregonte mënyrën sesi ishte gjetur mënyra e re për të bërë biznes, atë të shitjes së naftës pa paguar taksa dhe më lirë. Ai u pohon atyre se rreth 100 makina shkojnë në Strugë dhe ngarkohen me naftë, që më pas të vijnë dhe e tregtojnë në Shqipëri. Në tregun e fruta-perimeve në Korçë gazetarët e “Fiksit” gjejnë edhe naftë me një çmim të arsyeshëm 130 lekë/litri. Naftë e marrë nga Maqedonia dhe që shitet fare lehtë. Gazetarët, pasi blejnë 2 bidonë me naftë, i kërkojnë tregtarit nëse ai mund t’u sjellë më shumë. Një sasi prej 200 ose 400 litrash. Pasi shkëmbejnë numrat mjafton që gazetarët, të shtirur si tregtarë, ta njoftojnë një ditë më parë dhe sasinë e kërkuar e kanë në destinacion. Më pas gazetarët i drejtohen Strugës, ku bisedojnë me punonjës të një pike karburanti. Ai u shpjegon arsyen se pse shumë shqiptarë furnizohen me karburant në Maqedoni, madje aq sa edhe për ta tregtuar. Përveç çmimit të ulët prej 65 cent ose 90 lekë të naftës e importuar nga Greqia, tjetër arsye është se Maqedonia e ka akcizën e arit të zi më të ulët se Shqipëria. Në pamjet e sjella mbrëmjen e djeshme nga “Fiksi”, duken qartë makinat me targa shqiptare në radhë për t’u furnizuar me karburant. Kishte edhe nga ata që donin ta shfrytëzonin në maksimum serbatorin e makinës, duke e ngritur në kriko, për të nxënë sa më shumë karburant në të. Por edhe hipja në bordurën e pompës, apo trotuare, është një alternative e mundshme. Madje nevoja ka bërë që njerëzit të gjejnë edhe përshtatje të tjera, ku serbatorin e një makine me benzinë (serbatori i tyre është i madh) t’ua modifikojnë makinave me naftë. Në pamundësi për t’u zëvendësuar sebratorët, njëri nga shoferët në video pohon se e frynte serbatorin me kompresor, për qëllimin e vetëm, të marrë sa më shumë litra në të. Çmimi i naftës këto dy vitet e fundit ka rënë ndjeshëm në tregun ndërkombëtar, por në Shqipëri kjo ulje nuk është pasqyruar shumë. Kjo vjen për shkak të taksave të larta.

Gazeta Shqip,  09.02.2016