Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Akuzat për OSHEE, Konkurrenca nuk gjen prova

Por Konkurrenca i ka rekomanduar OSHEE, ERE dhe Ministrinë e Energjisë që të ndalojë pjesëmarrjen e ndërmarrjeve të lidhura që i përkasin te njejtit grup, apo kanë lidhje aksionerësh, të paraqiten me oferta të veçanta në procedurat e prokurimit apo të blerjes së energjisë elektrike….

Autoriteti i Konkurrencës njofton se nuk ka gjetur evidenca direkte që të provonin ekzistencën e bashkëpunimit ose marrëveshjeve të ndaluara midis Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) dhe tregtarëve të energjisë.

Hetimi i thelluar kishte nisur pasi në datën 18 Shkurt 2015, pranë Sekretariatit të Autoritetit të Konkurrencës është depozituar një ankesë, nga burime anonime, ku flitet për marrëveshje të ndaluar ndërmjet OSHEE dhe tregtarëve të energjisë, në tregun e prokurimit të energjisë elektrike për mbulimin e humbjeve në rrjetin e shpërndarjes.

Pavarësisht se nuk ka gjetur prova për një marrëveshje të ndaluar, Konkurrenca ka kontratuar se ndonëse në këtë treg janë të licensuar 66 operatorë për tregtim të energjisë elektrike, kompania OSHEE e dërgon ftesën për ofertë në 22 operatore dhe paraqiten si pjesëmarrës në procedura vetëm 4-5 operatorë.

Konkurrenca ngre gjithashtu shqetësimin se baza ligjore dhe rregullatore e cila krijon deformime dhe shqetësime për konkurrencën në treg nëpërmjet: tkurrjes së numrit të ofertuesve; humbjes së besimit të operatorëve në procesin e blerjes së energjisë elektrike për mbulimin e humbjeve; faktin që në shume raste kërkesa është më e madhe se oferta, si dhe kufizimit të numrit të operatorëve që do të futen në procedurat e mëtejshme të negocimit bën që operatoret e të njëjtit grup, për të zënë vende për procedurat e mëtejshme të hyjnë si operatorë të veçantë; negociatat dypalëshe që kryhen ndërmjet OSHEE-së dhe ofertuesve e bën procesin dyshues.

Për këtë arsye Konkurrenca ka vendosur t’i rekomandojë Entit Rregullator të Energjisë dhe Ministrisë së Industrisë dhe Energjetikës si dhe Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike(OSHEE):

a- Gjatë procedurave të plotësimit të kuadrit nënligjor sipas parashikimeve të Ligjit nr. 43/2015 “Për energjinë elektrike” lidhur me Modelin e Tregut dhe rregulloret e posaçme për blerjen e energjisë nga OSHEE për mbulimin e humbjeve, të mbahen parasysh rekomandimet e përsëritura të Autoritetit të Konkurrencës lidhur me parimet e garës dhe trasparencës së procedurave dhe zbatimin e rregullave të ankandit sipas praktikave më të mira të ofruara nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë dhe vendet antare;

b- Të ndalojë pjesëmarrjen e ndërmarrjeve të lidhura që i përkasin te njejtit grup, apo kanë lidhje aksionerësh, të paraqiten me oferta të veçanta në procedurat e prokurimit apo te blerjes së energjisë elektrike.

Hetimi

Ankandet e tregtimit të Energjisë Elektrike janë monitoruar vazhdimisht nga nga Autoriteti i Konkurrencës edhe pas ankesave të vazhdueshme të kompanisë së tregtimit të energjisë GEN-I në Autoritetin e Konkurrencës në lidhje me procedurat e blerjes së energjisë elektrike për mbulimin e humbjeve në rrjetin e shpërndarjes.

Bazuar në Modelin Shqiptar të Tregut të Energjisë Elektrike dhe në Deklaratën Rregullatore, blerja e energjisë elektrike për mbulimin e humbjeve kryhet nga OSHEE. Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike është i vetmi operator, me pozicion monopol natyror, në dy segmente të tregut të energjisë elektrike. Ai vepron i vetëm në segmentin e tregut të shpërndarjes dhe në segmentin e furnizimit me pakicë të publikut.

Për mbledhjen e evidencave dhe fakteve të mëtejshme, u administruan pranë OSHEE-së informacione të postës elektronike në lidhje me procedurat e kryera për periudhën Janar – Dhjetor 2015.

Të gjitha informacionet e administruara u perpunuan më tej, me qëllim sigurimin e evidencave dhe provave indirekte për vërtetimin e bashkepunimit në dy drejtime : horizontal (midis ndërmarrjeve pjesëmarrëse) dhe vertikal (midis ndërmarrjeve dhe OSHEE-së).

Konkurrenca ka analizuar pjesët e tregut për kompanite pjesëmarrese dhe fituese të tenderave sipas muajve. Pjesët e tregut janë evidentuar në tabelën e mëposhtme.

tabela-energjia-autoriteti i konkurrences

Analiza u krye për çdo muaj, pasi procedurat e blerjes së energjisë per mbulimin e humbjeve të kryera nga OSHEE jane procedura mujore. Referuar te dhënave te tabeles nr.1, operatori EFT AG, ka pjesën më të madhe të tregut për blerjen e energjisë elektrike për mbulimin e humbjeve per çdo muaj nga Janari deri në Dhjetor 2014.

Kompania CEZ shperndarje/OSHEE, gjate periudhës Janar – Shkurt 2014 ka kryer blerjen/importin e energjisë elektrike per mbulimin e humbjeve bazuar në vendimin e bordit të ERE-s, nr. 42, datë 25.05.2009, mbi “Rregullat dhe procedurat standarde të prokurimit të energjisë elektrike nga OSSH SH.A.

Më pas, CEZ shperndarje/OSHEE për blerjen e energjisë elektrike per mbulimin e humbjeve bazuar në vendimin e ERE-s, nr. 9, datë 06.02.2014 pika 2, për blerjen e energjisë elektrike për mbulimin e humbjeve në rrjetin e shpërndarjes, ka zbatuar “Rregulloren e procedurave të blerjes nga KESH SH.A (KESH Gen/FPSH) të energjisë elektrike, nga tregtarët vendas dhe të huaj, të miratuar me Vendimin e ERE nr. 30, datë 23.03.2011.

Cez shperndarje/OSHEE, për periudhën Mars – Dhjetor 2014 ka aplikuar këtë rregullore për blerjen e energjisë elektrike. Sipas nenit 9, pika 2, “Autoriteti Blerës duhet të publikojë në faqen e tij zyrtare të internetit çdo ftesë për blerje të energjisë elektrike në të njëjtën ditë që fton kompanitë e listuara prej tij, për të marrë pjesë në procesin e blerjes së energjisë elektrike”. Detyrimi për publikim përforcohet edhe në nenin 19 të Rregullores.

Bazuar në nenin 13/3 të kësaj Rregulloreje, Cez shperndarje SH.A duhet te lexoje në prani te ofertuesve sasite dhe çmimet per gjithe ofertuesit, por kompania OSHEE/Cez shperndarje3 lexon vetem emrat dhe çmimet e ofertuesve. Por, në fakt, gjatë periudhës së hetimit kjo pikë e rregullores nuk eshte zbatuar.

Për të vlerësuar sjelljen e operatorëve është analizuar kërkesa dhe oferta për produktin për çdo muaj, pasi raporti kërkesë-ofertë është një element shumë i rëndësishëm për të përcaktuar çmimin e blerjes.

Tabelë e kërkesë-ofertës së prokurimeve te energjisë të kryera nga Cez shper/OSHEE, viti 2014

tabele-e-kerkese-ofertes

Nga tabela duket që për muaj të veçantë, janar, shkurt, maj, gusht, tetor, nëntor dhe dhjetor, sasia e këkuar është më e madhe se sasia e ofertuar ne fazën e parë të negocimit, për këtë arsye Cez shperndarje/OSHEE pretendon se në se do te behen publike sasite dhe çmimet e ofruara nga ofertuesit gjatë procedurës së prokurimit/fazave të negocimit, ofertuesit (tregtarët) nuk do te ulin çmimin e shitjes se energjisë.

Gjatë procedurës së hetimit, bazuar në dokumentacionin e siguruar gjatë inspektimeve dhe dokumentacionin e administruar nga OSHEE, me qëllim vërtetimin në se pjesëmarrësit kanë komunikuar apo kane bashkepunuar më OSHEE-ne duke nxjerrë informacion rreth ofertave të dërguara nga operatori GEN-I, u krahasuan dhe u hetuan oraret e ofertave te derguara gjatë procedurës.

Procedurat e tenderimit të energjisë muaj pas muaji për vitin 2014

– Gjatë analizës se fakteve dhe evidencave të prodhuara nga procedura e hetimit te thelluar konstatojmë se nuk u vërejtën prova të mjaftueshme direkte dhe indirekte që të provonin ekzistencën e marrëveshjeve të ndaluara horizontale mes shoqërive EFT dhe GSA dhe ndonjë marrëveshje vertikale mes OSHEE-së në anën e kërkesës dhe EFT dhe GSA në anën e ofertës.

– Në prokurimin e muajit Janar 2014 fitues janë EFT AG për sasinë 294 MW me çmim 69.75Euro/MWh dhe GSA për sasinë 55 MW me çmimin 64.57Euro/MWh çmim i cili është më i lartë se çmimi ofertës së parë në raundin e tretë(64.25 64.57Euro/MWh), por më i ulët se çmimi i ponderuar për të dy ofertat(64.25 dhe 66.75) pasi shpallja fitues është bërë për sasinë kumulative të dy ofertave. GEN-I eshte përjashtuar nga procedura pasi nuk ka pranuar te heqë kushtet e vendosura per afatin e pagesave te faturave (brenda 30 diteve) dhe pagesen e faturave te prapambetura nga periudhat e meparshme (nentor-dhjetor 2013) te cilat nuk ia kishte njohur administrimi i CEZ Çek.

Nëse analizojmë çmimet nga pikpamja e një marrëveshje të mundshme mes ofertuesve, rezulton se ofertat dhe çmimet e shpallura fituese janë me diferenca domethënëse me njëra tjetrën me rreth 5 euro për MWh (megavatorë) pavarësisht se janë vetëm dy operatorë të shpallur fitues.

Mundësia e rrjedhjes së informacionit nga OSHEE për konkurrentët e ankimuesit nuk përjashtohet, por kjo hipotezë përveç se duhet të provohet dhe për të cilën ankimuesi nuk ka sjellë asnjë provë dhe nga inspektimet dhe verifikimet e dokumentacionit nuk është mundur të provohet, mbetet gjithësesi jashtë objektit të ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës”(i ndryshuar), por mund të jetë objekt i shqyrtimit nga organet e auditit të brendshëm të OSHEE dhe KLSH, për të parë nëse nga këto veprime i është shkaktuar dëm shtetit që është pronari i 100 % të aksioneve të OSHEE-së.

Por, elementët e dyshuar të rrjedhjes së informacionit siç pretendon ankimuesi nuk munden të provohen ndër të tjera edhe për shkak të faktit se ankimuesi e ndryshoi pretendimin e tij nga mundësia e ekzistencës së koordinimit të ofertave mes konkurrentëve të tij te mundësia e një marrëveshje vertikale mes OSHEE dhe ofruesve të tjerë të energjisë.

– Në prokurimin e muajit shkurt 2014, nga analiza e orareve të ofertave të dërguara me faks vihet re se ofertat e konkurrentëve të ankimuesit janë dërguar më vonë se oferta e GEN-I.

Sa i përket pretendimit të ankimuesit se “çmimet e konkurrentëve janë disa cent më të ulëta se ato të GEN-I, duke bërë të mundur eleminimin e operatorëve të tjerë të tregut” nga analiza e rezultateve të ankandit rezulton se janë shpallur fitues të gjithë konkurrentët dhe çmimet variojnë nga 70.5 euro/MWh deri në 63.55 euro/MWh me ndryshime të rëndësishme nga një ofertues te tjetri dhe asnjëri nga konkurrentët nuk ka çmim me cent me të ulët se Gen-I.

Ne muajin shkurt operatori GEN-I, ka hequr kushtet e vendosura (me afatin e pageses se faturave). Operatori GSA ka paraqitur dy oferta dhe eshte shpallur fitues me dy oferta.

Nga dokumentacioni i administruar, për procedurën e prokurimit të muajit Shkurt 2014, nuk u evidentuan shenja të ngjashme ose evidenca të cilat provojnë bashkëpunimin e operatorëve dhe OSHEE gjatë hartimit të ofertave.

– Në prokurimin e muajit Mars 2014, duket sikur provohet hipoteza e Gen-I se “nëpërmjet paraqitjes së ofertave përfundimtare me çmime të cilat janë disa cent më të ulëta se ato të GEN-I, duke bërë të mundur eleminimin e operatorëve të tjerë të tregut” pasi diferenca mes tre fituesve është 0.05 euro/MWh. Fituesit e muajit Mars 2014 janë: GEN-I Tirana Sh.p.k për sasinë 5 MW me çmim 55.90Euro/MWh; GSA për sasinë 120 MW me çmim 55.80 Euro/MWh dhe EFT AG për sasinë 260 MW me çmim 55.85Euro/MWh.

Por hipoteza se çmimet e konkurrentëve janë disa cent diferencë nga Gen-I pasi ka patur rrjedhje informacioni nga OSHEE për konkurrentët, në këtë ankand nuk provohen pasi oraret e dërgimit të ofertave rrezojnë pretendimin se OSHEE mund te ketë informuar konkurrentët per çmimet e GEN-I.

Nga shqyrtimi i informacionit dhe dokumentacionit përkatës, nuk u evidentuan shenja ose evidenca të cilat provojnë bashkëpunimin e operatorëve gjatë hartimit dhe shqyrtimit të ofertave për prokurimin e muajit Mars 2014.

– Në prokurimin e muajit Prill 2014, nuk u evidentuan shenja të ngjashme ose evidenca të tjera të cilat provojnë bashkëpunimin apo koordinim te sjelljes së operatorëve gjatë hartimit dhe shqyrtimit të ofertave për prokurimin e muajit Prill 2014.

– Në prokurimin e muajit Maj 2014 nga shqyrtimi i dokumentacionit të administruar, evidentohet se ofertat e shpallura fituese mes EFT dhe GSA ndryshojnë vetëm me 0.1 euro, por ky fakt nuk është i pamjaftueshëm për të provuar bashkëpunimin mes operatorëve konkurrues(marrëveshje horizontale) dhe ndërmjet OSHEE dhe operatorëve(marrëveshje vertikale) gjatë shqyrtimit oraret e dërgimit të ofertave dhe analiza e korespodences elektronike të ofertave për prokurimin e muajit Maj 2014.

Pretendimi se OSHEE mund të ketë njoftuar pjesëmarrësit e tjerë në procedurë për ofertën e Gen-I, nuk provohet pasi nga procesverbalet perkatese vihet re se ora e dergimit të ofertave perfundimtare të GEN-I Tirana është me vone se oraret e ofertave te derguara nga shoqëritë e tjera konkurrente.

– Në prokurimin e muajit Qershor 2014. Referuar ofertave fituese, vihet re se çmimet përfundimtare të ndërmarrjes EFT dhe GSA për muajin Qershor 2014 ndryshojnë me vetëm 0.04 Euro, ndërsa ofertat fillestare ndryshojnë më shume.

Gjithashtu, ofertat përfundimtare të EFT dhe GSA për të cilat pretendohet për marrëveshje vertikale me OSHEE-në janë dërguar rreth 60 dhe 40 minuta pas ofertës së GEN-I. Afersia kaq e dukshme e çmimeve mes operatorëve të shpallur fitues dhe diferenca me vetëm 0.1 euro me Kurum dhe 0.6 euro me Gen-I të bëjnë të dyshosh mbi aplikimin e një “teorie loje” me informacion asimetrik mes konkurrentëve në treg, por që në mungesë të evidencave direkte të komunikimit horizontal(EFT-GSA) dhe vertikal(OSHE me EFT dhe GSA) mbetet hipotezë e arsyeshme, por e paprovueshme me faktet dhe provat që disponohen.

Nga shqyrtimi i dokumentacionit vihet re se jane paraqituar oferta nga ndërmarrjet GEN-I Tirana Sh.p.k dhe GEN-I Beograd, të cilat janë pjesë e të njëjtit grup. Në këtë rast ku numri i operatorëve me të cilet vazhdojnë negociatat është i kufizuar (vetem 5 operatore) ndersa dy operatore janë të të njejtit grup, rrezikon të ketë konkurrencë.

– Në prokurimin e muajit Korrik 2014, janë verifikuar oraret e dërgimit të ofertave dhe vihet re se oraret e dergimit të ofertave perfundimtare nga shoqerite e GEN-I Grup jane paraqitur me vonë se oraret e ofertave të ofertuesve të tjerë. Pra, oraret e dërgimit të ofertave e rrezojnë pretendimin se OSHEE mund të ketë bashkepunuar duke informuar konkurrentët për çmimet e GEN-I.

Gjithashtu afërsia e ofertave fituese lë dyshime për një “teorie loje” me shkëmbim informacioni mes konkurrentëve në treg, por oraret më të hershme të dërgimit të ofertave nga këto dy konkurrentë krahasuar me Gen-I, nuk e provojnë marrëveshjen vertikale nëpërmjet shkëmbimit të informacionit mes OSHEE-së nga ana e kërkesës dhe kompanive ofertuese nga ana e ofertës.

Në këtë procedure ofertat e paraqitura nga ndërmarrjet e grupit GEN-I ( GEN-I Tirana Sh.p.k dhe GEN-I Serbia), janë pjesë e të njëjtit grup dhe janë të nënshkruara nga i njëjti person, paraqiten me oferta dhe konkurojnë si dy shoqëri të pavarura.

– Në prokurimin e muajit Gusht 2014. Afërsia e ofertave fituese lë dyshime për një “teorie loje” me shkëmbim informacioni mes konkurrentëve në treg, por oraret më të hershme të dërgimit të ofertave nga kompanite fituese krahasuar me Gen-I Grup e bëjnë të të paprovueshme marrëveshjen vertikale, apo shkëmbimin e informacionit mes OSHEE-së nga ana e kërkesës dhe kompanive ofertuese nga ana e ofertës.

Nga shqyrtimi i dokumentacionit të administruar, oraret e dërgimit të ofertave dhe analiza e korrespodences elektronike e-maileve, nuk u verejten shenja te koordinimit te sjelljes apo te bashkepunimit ndermjet OSHEE, EFT dhe GSA. Por, vihet re se ofertat e paraqituara nga ndërmarrjet GEN-I Tirana SHPK dhe GEN-I SB, konkurojne me oferta të veçanta sikur janë shoqëri te pavarura.

– Në prokurimin e muajit Shtator 2014. Afërsia e ofertave fituese të EFT dhe GSA të lë dyshime për një “teorie loje” me shkëmbim informacioni mes konkurrentëve në treg por oraret më të hershme të dërgimit të ofertave nga këto dy konkurrentë krahasuar me Gen-I e bëjnë të paprovueshme marrëveshjen vertikale nëpërmjet shkëmbimit të informacionit mes OSHEE-së nga ana e kërkesës dhe EFT e GSA-së nga ana e ofertës.

Shoqerite e GEN-I Grup i kane paraqitur ofertat me vone se GSA, ndersa EFT e ka paraqitur oferten e fundit nje min para GEN-I Tirana dhe nje min pas GEN- SB.

Keshtu, oraret e dërgimit të ofertave e rrezojnë pretendimin se OSHEE mund te ketë bashkepunuar me EFT dhe GSA duke informuar per çmimet e GEN-I.

Pra, nuk ekzistojnë prova të mjaftueshmë në dokumentacionin e procedures dhe korespodences elektronike, e-maileve, për të provuar marrëveshjen e bashkepunimit ndermjet OSHEE, EFT dhe GSA.

– Në prokurimin e muajit Tetor 2014. Nga dokumentacioni perkates vihet re se shoqerite e GEN-I Grup, i kane paraqitur ofertat me vone se GSA dhe EFT. Keshtu, oraret e dërgimit të ofertave e rrezojnë pretendimin se OSHEE mund te ketë bashkepunuar me EFT dhe GSA duke informuar per çmimet e GEN-I. Çmimet nga oferta e pare deri ne oferten perfundimtare jane ulur. Pra nuk ekzistojnë prova të mjaftueshmë në dokumentacionin e procedures dhe korespodences elektronike e-maileve, për të provuar marrëveshjen e bashkepunimit ndermjet OSHEE, EFT dhe GSA. Ne proceduren e muajit tetor sasia e energjisë së kontraktuar eshte me e madhe sa energjia e kerkuar per mbulimin e humbjeve.

Në prokurimin e muajit Nentor 2014. Nga dokumentacioni perkates vihet re se oraret e dërgimit të ofertave perfundimtare të GEN-I Tirana, GEN-I SB dhe GEN-I Athens jane në orën 17.59, ndërsa EFT ora 18.05, AXPO eshte ora 17.41 dhe GSA eshte ora 17.56. Në këtë rast EFT e ka derguar oferten 6 min me pas se GEN-I Grup, ndërsa GSA e ka dërguar ofertën më pare se GEN-I Grup. Në procedurën e prokurimit të muajit nëntor 2014, GEN-I Grup paraqitet me tre oferta të ndryshme, nderkohe që konkurojnë gjithsej 6 shoqëri. Pra nga 6 shoqëri që futen në procesin e konkurimit tre i perkasin grupit GEN-I, dhe të tre jane shpallur fitues. Edhe ne këtë rast nuk mund te vertetohet bashkepunimi vertikal.

Ne proceduren e muajit nentor sasia e energjisë së kontraktuar eshte me e madhe se energjia e kerkuar per mbulimin e humbjeve.

– Në prokurimin e muajit Dhjetor 2014. Nga dokumentacioni konstatohet se ofertat e grupit GEN-I janë derguar më vone se ofertat e shoqërive të tjera. Pra, nuk provohen shenja komunikimi apo bashkërendimi ndërmjet shoqërive pjesëmarrëse (EFT dhe GSA) dhe OSHEE për të informauar në lidhje me oferten e GEN-I.

Në procedurën e prokurimit të muajit dhjetor 2014, GEN-I Grup paraqitet me tre oferta të ndryshme në një procedurë që konkurojnë gjithsej 7 shoqëri. Pra nga 7 shoqëri që futen në procesin e konkurimit, tre i perkasin të njejtit grup GEN-I, dhe te tre jane shpallur fitues. Gjithashtu edhe shoqëria EFT Grup paraqitet me dy shoqëri EFT AG dhe EFT Albania duke paraqitur ofertat përkatëse dhe duke dale fituese me te dyja shoqëritë.

Ne proceduren e muajit dhjetor sasia e energjisë së kontraktuar eshte me e madhe se energjia e kerkuar per mbulimin e humbjeve

Rezultatet e hetimit, nuk gjenden prova për marrëveshje të fshehtë

Nga shqyrtimi i dokumentacionit të administruar, oraret e dërgimit të ofertave dhe analiza e korespodences elektronike e-maileve, nuk iu verejten shenja te koordinimit te sjelljes apo te bashkepunimit ndermjet OSHEE, EFT dhe GSA. Gjithashtu nga analiza e orareve të dërgimit të ofertave nuk vertetohet dyshimi se konkurentët kane informacion paraprak për çmimin e ankimuesit, për ta nxjerrë nga tregu, pasi ofertat e konkurenteve janë derguar pothuajse më vonë se ofertat e kompanise GEN-I.

Nga shqyrtimi i ankesave bazuar ne hipotezat e pretenduara nuk ka përputhje midis skemave të paraqitura, madje ankimuesi nuk e ka mbeshtetur hetimin me argumenta të qarta për të vertetuar pretendimin e marreveshjes ne drejtim vertikal apo horizontal.

Tregu i blerjes së energjisë elektrike për mbulimin e humbjeve në rrjetin e shpërndarjes nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes është treg i derregulluar, për sa i përket çmimit, ndersa procedura e prokurimit të energjise elektrike është e përjashtuar nga rregullat e Ligjit “Për prokurimin publik” dhe akteve nënligjore në zbatim të tij.

Dinamika e çmimeve ndryshon në disa raunde negociatash, që OSHEE i kryen për të optimizuar portofolin ekonomik të blerjes, por procesi në vetvete, ka ngritur hipoteza mbi mungesën e trasparencës, pasi në tre raundet e para publikohet vetëm çmimi dhe jo sasia e ofruar që sipas OSHEE-së bëhet për të siguruar sasisë e energjisë së kërkuar dhe uljen e çmimeve të ofruara. Në përgjithësi janë zhvilluar 4 faza negocimi gjate të cilave ofertuesit kanë paraqitur ofertat e tyre.

Nga analiza e të dhënave të administruara vihet re se në muajt ku kërkesa për energji elektrike është më e vogël se oferta e paraqitur, çmimi fitues me të cilin është lidhur kontrata përfundimtare është më i ulët, pra eshte rritur konkurrenca ndermjet shoqerive pjesemarrese ne procedure.

Ndërsa në muajt janar, shkurt, maj, gusht, tetor, nëntor të vitit 2014, kërkesa për energji elektrike për mbulimin e humbjeve në rrjetin e shpërndarjes është më e madhe se oferta fillestare e operatorëve që marrin pjesë në procedurën e prokurimit duke zbehur konkurrencën mes operatorëve që ofrojnë produktin energji elektrike për tregun përkatës.

Gjate muajve tetor, nentor, dhjetor 2014, nga ana e OSHEE eshte blere me shume energji elektrike se sasia e kerkuar. Gjate periudhes janar, shkurt 2014, sasia e kontraktuar/blere është më e vogël se sasia e kërkuar.

Referuar te dhënave për çdo muaj (të cilët konsiderohen si tregje përkatëse të veçanta) operatori EFT AG, ka pjesën më të madhe të tregut që varion nga 42% – 80% per çdo muaj (Janari – Dhjetor 2014).

Numri i kompanive pjesëmarrje në procedure dhe që OSHEE/Cez SH.A ka lidhur kontrata furnizimi është i kufizuar. Janë pothuajse të njëjtat kompani që marrin pjesë dhe shpallen fituese pas katër proceseve negocimi, pra katër ose pese kompani, e cila ka çuar ne ulje të konkurrences ndermjet pjesemarresve.

. Gjate procedurave të prokurimit ndërmarjet të cilat i përkasin të njejtit grup sic jane ndërmarrjet e grupit GEN-I, në shtate muaj kanë paraqitur dhe kane dale fitues me oferta të veçanta. Kjo ka çuar në ulje të konkurrencës pasi nuk mund te konkurrojne me njëra tjetren ndërmarrje të të njejtit grup. Pra, tregu perveç se ka numër të kufizuar pjesëmarrësish, ka edhe pjesëmarrje të të njejtit grup qe paraqiten me oferta të veçanta. Gjithashtu, në muajin dhjetor 2014 edhe EFT eshte paraqitur dhe ka dalë fituese me dy oferta te EFT AG dhe EFT Albania.

Baza ligjore rregullatore që zbatohet për blerjen e energjisë elektrike per mbulimin e humbjeve dhe menyra se si ajo zbatohet, e kufizon numrin e pjesëmaresve ne procedure, e ben procesin jotransparent dhe te besueshem për shoqërite pjesëmamrrese dhe si rrjedhim e ben tregun me inelastik, nga ana e ofertës, duke e çuar ne tkurrje te numrit të ofertuesve, duke ndikuar negativisht për konkurrencën në treg, dhe në rritjen e kostove përfundimtare të produktit energji elektrike.

. Ofertat që kompanite dergojne me poste elektronike prane CEZ/OSHEE, dërgohen në posten elektroknike zyrtare të personave pergjegjes per procesin e prokurimit, pra jo nepermjet nje adrese te posacme per prokurimet, e cila te hapet dhe lexohet ne prani te pjesemarresve, kjo e ben procesin jo te besueshëm dhe transparent.

Për sa më sipër, referuar sjelljes së ndërmarrjeve gjatë procedurave të prokurimit të energjisë elektrike për mbulimin e humbjeve, rezulton se nuk gjenden shenja komunikimi direkte të cilat mund të kufizojnë konkurrencën në bazë të nenit 4, të Ligjit nr. 9121, datë 28.07.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”(i ndryshuar).

Konkurrenca ngre shqetësimin se baza ligjore deformon konkurrencën

Por gjithsesi, Konkurrenca thekson se është baza ligjore dhe rregullatore e cila krijon deformime dhe shqetësime për konkurrencën në treg nëpërmjet:

(i) tkurrjes së numrit të ofertuesve,

(ii) humbjes së besimit të operatorëve në procesin e blerjes së energjisë elektrike për mbulimin e humbjeve,

(iii) faktin që në shume raste kërkesa është më e madhe se oferta, si dhe kufizimit të numrit te operatoreve qe do te futen në procedurat e mëtejshme të negocimit bën që operatoret e të njëjtit grup, për të zënë vende për procedurat e mëtejshme të hyjnë si operatorë të veçantë,

(iv) negociatat dypalëshe që kryhen ndërmjet OSHEE-së dhe ofertuesve e bën procesin dyshues.

Ndërkohë që kishin përfunduar procedurat hetimore dhe Komisioni i Konkurrencës ishte para marrjes së vendimit përfundimtar, nga OSHEE vihemi në dijeni se gjatë periudhës janar-shtator 2015 edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit ka ushtruar audit pranë OSHEE-së ndër të tjera edhe lidhur me procedurat e blerjes së energjisë elektrike.

OSHEE SH.A me nr.19157 prot, datë 21.10.2015, na njofton se nga auditi i Kontrollit të Lartë të Shtetit u konstatuan parregullesi në zbatimin e procedurave të blerjes se energjise per mbulimin e humbjeve të energjise në sistemin e shpërndarjes, pasi kompanitë e të njëjtit grup kanë realizuar marrëveshje të ndaluara në procedurat e blerjes së energjisë elektrike, kanë fshehur pozicionin e tyre të dyfishte dhe kane kryer tregti direkt të fshehtë, duke krijuar avantazh të paligjshem, duke mos respektuar rregullat e konkurrencës.

Autoriteti i Konkurrencës me shkresën nr 418/1, datë 29/10/2015 kërkoi nga KLSH të vendosë në dispozicion të Autoritetit çdo evidencë apo provë që të vërtetojë bashkëpunimin ndermjet pjesëmarrësve në procedurë.

Kontrolli i Lartë i Shtetit me anë të shkresës nr. 90/3 prot të datës 08.11.2015 dergoi raportin e auditimit në të cilin Autoriteti i Konkurrencës nuk gjeti prova dhe evidenca të cilat të vërtetonin bashkëpunimin e pjesëmarrësve.

Rekomandimet

Në fund të hetimit, Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur “Mbylljen e procedurës së hetimit paraprak në tregun e blerjes së energjisë elektrike për mbulimin e humbjeve në sistemin e shpërndarjes, ndaj ndërmarrjeve GSA, EFT, ndërmarrjeve të grupit GEN-I, OSHEE, pasi nuk ka shenja të kufizimit të konkurrencës si pasojë e sjelljes së ndërmarrjeve në treg”.

Gjithashtu ajo ka vendosur t’i rekomandojë Entit Rregullator të Energjisë dhe Ministrisë së Industrisë dhe Energjetikës si dhe Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike(OSHEE):

a- Gjatë procedurave të plotësimit të kuadrit nënligjor sipas parashikimeve të Ligjit nr. 43/2015 “Për energjinë elektrike” lidhur me Modelin e Tregut dhe rregulloret e posaçme për blerjen e energjisë nga OSHEE për mbulimin e humbjeve, të mbahen parasysh rekomandimet e përsëritura të Autoritetit të Konkurrencës lidhur me parimet e garës dhe trasparencës së procedurave dhe zbatimin e rregullave të ankandit sipas praktikave më të mira të ofruara nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë dhe vendet antare;

b- Të ndalojë pjesëmarrjen e ndërmarrjeve të lidhura që i përkasin te njejtit grup, apo kanë lidhje aksionerësh, të paraqiten me oferta të veçanta në procedurat e prokurimit apo te blerjes së energjisë elektrike.

Revista Monitor,  09.02.2016