Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

VV: Jo shthurjes së sistemit energjitik në Kosovë

Sot u mbajt takim me punonjës, sindikalistë e inxhinierë të sektorit të energjitikës së Kosovës.

Kryetari Ymeri u ndal te dëmet e marrëveshjeve me Serbinë. Ai theksoi se përmes këtyre proceseve të gjitha ndërhyrjet ilegale të Serbisë u konsoliduan dhe formalizuan filluar nga policia e gjyqësia, shëndetësia e arsimi e deri tek energjitika e telekomunikacioni.

Qeveria e Kosovës sipas tij është dakorduar me Serbinë që të ketë ndërmarrje të ndarë etnikisht për shpërndarjen e energjisë elektrike.

“Marrëveshja për Energjinë me Serbinë, Privatizimi i KEDS dhe marrëveshja e mirëkuptimit me “Contour Global” të gjitha këto të bëra nga të njëjtit aktorë, pra pushteti i deritashëm janë rruga drejt shkatërrimit ekonomik të vendit, zbehjes së shtetësisë dhe nëpërkëmbjes së punëtorëve tanë”, ka theksuar Ymeri.

“Serbisë po ia japin një pjesë të rrjetit e resurseve tona, me KEDS-in ia dhanë asetet e rrjetit tonë Kompanisë private, me Contour Global po duan që edhe kapacitetet e reja energjitike t’ia vënë në dispozicion një kompanie private.”

“Ku nuk është e Serbisë privatizohet e ku janë komunat me shumicë serbe mbetet shtetërore por nën kontroll të Serbisë. Kjo është as më pak as më shumë një katastrofë që duhet ndalur sa më parë”.

“Lejimi i kompanisë serbe “Elektrosever-it”që të operojë brenda territorit të Republikës përveç se është kthim mbrapa, është edhe lëshim pe ndaj Serbisë që Qeveria e Kosovës po mundohet ta paraqes si një fitore të palës kosovare duke thënë se tashmë Serbia e njeh pavarësinë e KOSTT-it”- tha Ymeri.

Kjo është e pavërtetë sikur që janë të pavërteta edhe deklaratat se Elektrosever-i s’do të ketë kompetenca për shpërndarjen e energjisë.  Fillimisht është thënë që ky operator s’i ka në dispozicion asetet sa i takon rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike por në marrëveshjen teknike të 2013 edhe atë politike të 2015 vërehet qartë se Elektroseverit të Serbisë i mbarten këto kompentenca. Thënë konkretisht Serbia do të ketë kontrollin mbi resurset e shpërndarjen të energjisë elektrike në Kosovë.

“Marrëveshja për energjetikë sikur ajo për telekomunikacionin dhe ajo për ‘Zajednicën’ secila të nënshkruara me 25 gusht janë refuzuar nga qytetarët e Republikës së Kosovës në peticionin që kemi organizuar si opozitë e bashkuar vitin e kaluar ku 205 mijë qytetarë nënshkruan kundër këtyre marrëveshjeve. Në këto rrethana ku Serbia po bëhet sovrani i dytë në vend për shumë çështje, është e jashtëzakonisht e rëndësishme që të bashkohemi në kundërshtimin e këtyre marrëveshjeve dhe në kundërshtimin në përgjithësi të dialogut me Serbinë” tha Ymeri.

Nënkryetari i sindikatës së KEDS foli për kushtet e rënda të punëtorëve në kompaninë KEDS, pas privatizimit të kësaj të fundit.

“Ne si sindikatë ia bëjmë një pyetje qeverisë: a e ka shitur vetëm objektin e KEDS-it apo na ka shitur edhe neve si punëtorë?! Për arsye se ka tri vite që ne po jetojmë në një ankth dhe një presion psikologjik duke mos e ditur se çfarë do të ndodhë me ne në vitin 2016 kur të na mbarojnë kontratat e punës”. Ai shtoi se situata pas privatizimit është përkeqësuar shumë.

Naim Hoxha drejtuesi i Komiteti për Energjetikë tha se qeveritarët kanë pranuar të negociojnë me një palë që mund të na shoh në çfarëdolloj forme tjetër përveç se si shtet. Hoxha theksoi se operatori i transmisionit KOSTT-i është operator i transmisionit për territorin e Republikës së Kosovës dhe kjo është tejet e rëndësishme për shtetësinë tonë.

Në marrëveshjen me Serbinë për energjetikë kompanisë serbe “Elektrosever-it” Mustafa e Thaçi ia janë njohur e drejta e transmisionit të energjisë elektrike që përbën një problem serioz të përmasave sa rrezikon ta zhbëjë sistemin energjetik të Kosovës.

Agjensia e lajmeve ekonomia,  05.02.2016