Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Siguria e tregtimit të gazit, gati VKM-ja e re

Shpërthimet nga bombolat e gazit janë kthyer kohët e fundit gati në rutinë duke lënë dhjetëra persona të plagosur në të gjithë vendin, shtëpi të djegura dhe së fundmi një fëmijë katër vjeç humbi jetën në Tiranë pak ditë më parë.  Megjithëse ligjet dhe vendimet për rregullojnë kushtet e sigurisë nga tregtimi dhe përdorimi i gazit janë, por ato zbatohen në mënyrë të pjesshme, qeveria ka shpërndarë për konsultim në dhjetor te grupet e interesit një VKM të re për “Përcaktimin e rregullave te tregtimit dhe përdorimit të sigurt te GLN”.

VKM detajon rregullat e tregtimit te gazit te lëngshëm te naftës (GLN) midis operatoreve te tregut (modeli i tregut) dhe ka fokus kryesor rritjen e sigurisë gjate tregtimit dhe përdorimit te GLN ne te gjithë hallkat deri tek konsumatori fundor.

Instalimi i pajisjeve për shfrytëzimin e GLN në ambientet tregtare dhe familjare do të realizohet nga persona të certifikuar. VKM detyron shoqëritë e tregtimit me shumicë të jenë të detyruara të mbajnë një regjistër në format shkresor dhe elektronik për bombolat e GLN.

Por, ekspertë të tregut pohojnë se VKM e re nuk do të përmirësojë situatën e sigurisë  për shkak se, kontrolli i sigurise i lihet tregtarit dhe nuk ka një institucion shtetëror të bëjë çertifikimin.

Gjithashtu VKM ka rregulluar çështjen e transportit e bombolave. Vendimi përfshin detyrimi per zbatim e Urdhrit te Ministrit Nr. 184, datë 05.07.2015 “Për miratimin e kushteve teknike dhe normave të projektimit për impiantet dhe instalimet që shërbejnë për transportimin, depozitimin dhe tregtimin e naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre”.

VKM parashikon gjithashtu që:

-Shoqëritë e tregtimit me shumice, duhet të instalojnë brenda një periudhe 12 mujore, një sistem i cili bën të mundur ndjekjen dhe raportim në kohe reale të çdo bombole të mbushur prej saj.

-Shoqëria e tregtimit me shumicë të GLN duhet të disponojë certifikatat origjinale të konformitetit përpara mbushjes se bombolave të GLN.

-Përfshirja dhe e stacioneve të shitjes së karburanteve në rrjetin e tregtimi me pakicë të GLN në bombola.

-Përdoruesit e bombolave të GLN duhet të jene të pajisur me sisteme detektues dhe autobllokues të furnizimit me GLN.

Periudhe tranzitore 12-24 mujore për kontrollin teknik te bombolave ekzistuese.

**************************************************

REPUBLIKA E SHQIPËRISË

KËSHILLI i MINISTRAVE

(Projekt)

VENDIM

Nr. ____, Datë ___. ___. 2015

PËR

PËR PËRCAKTIMIN E RREGULLAVE TË TREGTIMIT DHE PËRDORIMIT TË SIGURT TË GAZIT TË LËNGSHËM TË NAFTËS (GLN)

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 14, 15 e 16, të ligjit nr. 8450, datë 24.2.1999, “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre”, me propozimin e ministrit të Energjisë dhe industrisë, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

Neni 1

Qëllimi

Tregtimi i gazit të lëngshëm të naftës (GLN) kryhet nga persona juridikë, sipas rregullave të përcaktuara në këtë vendim dhe legjislacionit ne fuqi, pasi ato të jenë pajisur me licencën përkatëse sipas legjislacionit në fuqi.

Neni 2

Fusha e zbatimit

Dispozitat e këtij vendimi përfshijnë gjithë veprimtarinë e tregtimit të GLN qe përfshin mbushjen, furnizimin, kontrollin teknik, depozitimin, transportimin, instalimin dhe përdorim e sigurt e GLN në pajisje të transportueshme nen presion (bombola) me volum nga 5 litra deri në 50 litra.

Neni 3

Shoqëritë e tregtimit me shumicë të gazit të lëngshëm të naftës (GLN)

  1. Tregtimi me shumicë i GLN ushtrohet vetëm nga shoqëritë tregtare, të themeluara në formën e shoqërive aksionare, pasi të jenë pajisur me licencë tregtimi, sipas dispozitave të akteve ligjore në fuqi.
  2. Tregtimi i GLN nëpërmjet bombolave nga shoqëritë e tregtimit me shumicë, bëhet vetëm kur këto bombola plotësojnë kërkesat të sigurisë të përcaktuara sipas rregullit teknik përkatës në fuqi.
  3. Shoqëritë e tregtimit me shumicë të GLN kanë përgjegjësi për mbushjen e bombolave me GLN të cilat i janë nënshtruar paraprakisht kontrollit teknik sipas përcaktimeve të rregullit teknik përkatës në fuqi. Bombola duhet të mbartë markimin përkatës që demonstron përputhshmërinë e saj me kërkesat e legjislacionit ne fuqi për konformitetin.
  4. Shoqëritë e tregtimit me shumicë, përpara futjes së bombolave në treg, bëjnë evidentimin e tyre për markën tregtare të shoqërisë, peshën neto, peshën bruto, simbolin e flakës së ndezshme, vitin e prodhimit, datën e kontrollit teknik si dhe udhëzimin për përdorim të sigurt të tyre. Shoqëritë e tregtimit me shumicë, gjatë aktivitetit të tyre, duhet të kenë në pronësi bombola të certifikuara sipas Standardeve Evropiane te harmonizuara në fuqi, të cilat duhet të jenë të pajisura me vërtetimet përkatëse sipas pikës 6 të këtij neni.
  5. Përpara futjes në tregun e brendshëm, bombolat duhet të pajisen me Certifikatën e Konformitetit, për të gjithë sasinë e prodhuar dhe importuar si dhe me numrin e serisë.
  6. Çdo shoqëri e tregtimit me shumicë të GLN duhet të depozitoje në inspektoratin Shtetëror Teknik dhe industrial ngjyrën e saj, markën tregtare dhe Certifikatën e Konformitetit të cilësisë së bombolave, për të garantuar identifikimin nga ana e organeve përgjegjëse se këto bombola përdoren vetëm nga shoqëria e cila ka pronësinë e tyre. Tregtimi i GLN ne bombola bëhet vetëm nga shoqëria e licencuar per kete aktivitet, poseduese dhe ose zotëruese e këtyre bombolave, e cila mban dhe përgjegjësi për keto bombola per sa kohe i disponon per efekt të mbushjes dhe dorëzimit tek njesite e lendeve djegese.
  7. Aktiviteti i kontrollit përpara, gjate dhe pas mbushjes se bombolave nga shoqëritë e tregtimit me shumicë mbikëqyret nga inspektoriati Shtetëror Teknik dhe industrial, për plotësimin e kushteve teknike dhe në përputhje me standartin S SH EN 1439 në fuqi “Procedura e verifikimit të bombolave GLN para, gjatë dhe mbas mbushjes”, i cili bëhet i detyrueshëm për zbatim.
  8. Shoqëria e tregtimit me shumicë e cila ka në pronësi bombolat te GLN, kryen veprimtarinë e mbushjes, furnizimit, depozitimit dhe transportimit deri tek njësitë e lëndëve djegëse dhe tregtimit të bombolave me GLN në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.
  9. Shoqëritë e tregtimit me shumicë duhet te injektojnë ne sasinë e GLN qe do te tregtohet, përjashtuar përdorimit për qellim industrial, substanca me arome të pakëndshme si, etil merkaptan, në mase 14 deri 30 gr/ton.
  10. Shoqëritë e tregtimit me shumicë janë të detyruara të mbajnë një regjistër në format shkresor dhe elektronik për bombolat e GLN, sipas kushteve dhe procedurave te miratuara me Urdhër të ministrit përgjegjës për hidrokarburet. Një kopje e këtij regjistri dërgohet në format letër dhe elektronik çdo 3 muaj në inspektoratin Shtetëror Teknik dhe industrial.
  11. Shoqëritë e tregtimit me shumice duhet të respektojnë rregullin teknik në fuqi mbi cilësinë GLN.
  12. Ndalohet tregtimi i bombolave nga ana e një shoqërie të tregtimit me shumicë, e cila nuk ka vendosur emrin apo dhe logon e vet në bombolat e mbushura prej saj. Shoqëritë e tregtimit me shumicë të GLN ndalohen që të realizojnë operacione të mbushjes, trajtimit dhe tregtimit të GLN në bombolat që janë në posedim apo dhe zotërim, dhe të regjistruara në një shoqëri tjetër të tregtimit me shumicë.
  13. Shoqëritë e tregtimit me shumice, duhet të instalojnë brenda një periudhe 12 mujore, një sistem i cili bën të mundur ndjekjen dhe raportim në kohe reale të çdo bombole të mbushur prej saj, ku identifikohen të gjitha të dhënat qe i përkasin kësaj bombole. Mënyra e realizimit dhe funksionimit të këtij procesi do të behet në përputhje me një urdhër të ministrit përgjegjës për hidrokarburet.

Neni 4

Mbushja e bombolave të gazit të lëngshëm të naftës (GLN)

  1. Operacionet e mbushjes së bombolave GLN do të kryhen vetëm nga shoqëritë e tregtimit me shumicë të pajisura me licencë tregtimi, sipas dispozitave të akteve ligjore në fuqi për aktivitetin e tregtimit me shumicë të GLN.
  2. Përpara mbushjes se bombolave të GLN, shoqëria e tregtimit me shumicë të GLN duhet të disponojë certifikatat origjinale të konformitetit.
  3. Mbushja e bombolave të GLN realizohet në instalime, të cilat duhet të plotësojnë kushtet dhe normat teknike në fuqi. inspektorati Shtetëror Teknik dhe industrial mbikëqyr qe këto instalime të jene të pajisura me çertifikaten përkatëse të konformitetit.

Neni 5

Tregtimi me pakicë i gazit të lëngshëm të naftës (GLN)

  1. Tregtimi me pakicë i GLN në bombola ushtrohet nga njësitë e lëndëve djegëse, si dhe nga stacionet e shitjes së karburanteve, mbas marrjes së licencës së tregtimit sipas dispozitave ligjore në fuqi. Për ushtrimin e këtij aktiviteti, personi juridik duhet të plotësojë kushtet dhe rregullat teknike për tregtimin e këtyre bombolave.
  2. Ambienti i posaçëm i njësisë së lëndëve djegëse për depozitimin e bombolave të GLN duhet të jetë në katin e parë dhe të mos ketë mbi dhe nën të ambiente të tjera.
  3. Njësitë e lëndëve djegëse dhe stacionet e shitjes se karburanteve në ambientin e tyre nuk mund të realizojnë asnjë ndërhyrje ndaj bombolave me GLN, lidhur me procesin e mbushjes, riparimit apo çdo formë tjetër që cënon tërësinë e bombolë
  4. Njësitë e lëndëve djegëse dhe stacionet e shitjes se karburanteve mund të realizojnë aktivitetin e tyre të tregtimit, vetëm duke pasur një kontratë, të lidhur me shoqërinë e shitjes me shumicë
  5. Depozitimi i bombolave të boshatisura pas përdorimit dhe atyre të mbushura me GLN, duhet të plotësojnë kushtet dhe normat teknike në fuqi. Bombolat bosh të GLN, kur depozitohen në një ambient të përbashkët me bombolat e mbushura, duhet të konsiderohen si të ishin plot, për sa i përket zbatimit te rregullores së sigurisë ne fuqi.
  6. Në vendin e depozitimit, nuk duhet të ekzistojë mundësia e ngritjes së temperaturës së bombolave mbi 50 0
  7. Në ambientet e njësive të lëndëve djegëse dhe stacioneve të shitjes së karburanteve lejohet kapacitet maksimal i bombolës së mbushur me GLN deri në 25 kg. Kapaciteti depozitues i bombolave të mbushura lejohet jo më shumë se 1,000 kg GLN. Ambjentet ne te cilat mbahen dhe tregtohen bombolat e GLN duhet te jene te hapura dhe te mbrojtura nga rrezet e diellit.
  8. Ndalohet mbushja e bombolave të GLN nga njësitë e lëndëve djegëse dhe stacionet e shitjes se karburanteve. Ndalohet tregtimi i bombolave të GLN nga njësitë e lendeve djegëse dhe stacionet e shitjes se karburanteve, nëse kushtet në të cilën tregtohen bombolat e mbushura me GLN, nuk janë në përputhje me kriteret teknike të depozitimit, magazinimit, ruajtjes dhe tregtimit të tyre, sipas përcaktimeve të akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi.
  9. Njesite e lendeve djegëse dhe stacionet e shitjes se karburanteve, sipas kërkesës se konsumatorit, duhet të demonstrojnë nëpërmjet pajisjeve matëse të certifikuara, peshën neto të GLN të depozituar në bombol.

Neni 6

Transportimi i bombolave të mbushura me GLN

  1. Transporti i bombolave të GLN përfshin transportin që bëhet nga vendi i mbushjes së bombolave prej shoqërive të tregtimit me shumicë deri në ambientet e njësive të lëndës djegëse dhe/ose stacioneve të shitjes së karburanteve, dhe anasjelltas. Transporti i bombolave me GLN kryhet nga shoqëritë e tregtimit me shumicë të bombolave të GLN ose nga shoqëritë/subjektet e autorizuara prej këtyre të fundit, për transportin e bombolave të GLN.
  1. Shoqëria që kryen transportin e bombolave me GLN duhet të pajiset me të gjithë dokumentacionin e nevojshëm sipas legjislacionit në fuqi për sigurinë e transportit të lëndëve të rrezikshme. Automjetet duhet të jenë të çertifikuara sipas dispozitave në fuqi dhe të respektojnë sinjalistikën rrugore. Shoqëria e tregtimit me shumicë të bombolave të GLN përgjigjet për garantimin e sasisë dhe cilësisë së kësaj ngarkese të rrezikshme gjatë transportit. Certifikimi i automjeteve qe përdoren per qellim të transportit të bombolave të GLN behet në përputhje me Rregulloren e Pajisjeve Nën Presion të Trajtimit të Gazit të Lëngëzuar të Naftës (GLN) në fuqi.

Neni 7

Instalimi dhe përdorimi i bombolave të GLN

  1. Instalimi i pajisjeve për shfrytëzimin e GLN në ambientet tregtare dhe familjare duhet të realizohet nga persona të certifikuar sipas akteve ligjore ne fuqi. Këto instalime duhet të realizohen në përputhje me rregullat teknike në fuqi që i referohen projektimit, montimit dhe përdorimit të instalimeve të GLN.

Në përfundim instaluesi plotëson një deklaratë konformiteti sipas Aneksit 1 bashkëlidhur këtij vendimi, ku vërtetohet se instalimi është kryer sipas rregulloreve teknike në fuqi. Në këtë deklaratë duhet të shënohen edhe përgjegjësitë e konsumatorit dhe detyrimet që ka për përdorimin dhe mirëmbajtjen e instalimit dhe bombolës se GLN. Deklarata vihet ne dispozicion te organeve te kontrollit kur ajo kërkohet. Verifikimi i integritetit të instalimit behet sipas rregullit teknik ne fuqi.

  1. Inspektoriati Shtetëror Teknik dhe industrial mbikëqyr qe shfrytëzimi i instalimeve dhe bombolave të GLN në ambjentet tregtare të kryhet në kushte të plota sigurie sipas akteve ligjore dhe nenligjore në fuqi.
  2. Vendosja e bombolave te gazit në ndërtesat publike bëhet ne ambjente të ajrosura, larg burimeve të nxehtësisë dhe instalimeve elektrike. Mbushja e tyre bëhet në jo më shumë se 80% e volumit. Tubat e gomes qe lidhin bombolën e GLN me instalimin fiks, duhet te kene vulen e cila percakton afatin maksimal te përdorimit të këtij tubi.
  1. Instalimi i bombolave ne ambjentet e biznesit dhe ato familjare, duhet te respektoje kufizimet e meposhteme:
  2. Ne ambjente me volum deri ne 10 m3 eshte e ndaluar vendosja e bombolave
  3. Ne ambjente me volum nga 10-20 m3 mund te instalohet nje bombol me kapacitet 15 kg.
  4. Ne ambjente me volum nga 20-50 m3 mund te instalohen deri ne 2 bombola me kapacitet jo me shume se 20 kg.
  5. Në ambjente mbi 50 m3 mund te instalohen dy bombola me nje kapacitet total jo me shume se 30 kg.
  6. Kapaciteti total i bombolave te instaluara ne nje ambjent familjar nuk duhet te jetë më i madh se 40 kg.
  1. Konsumatorët janë te detyruar te garantojnë mirëmbajtjen e rregullt të instalimeve prej një personi fizik apo juridik te certifikuar per të kryer pune në pajisje nen preseion.
  2. Përdoruesit e bombolave të GLN duhet të jene të pajisur në mjediset ku kane instaluar dhe përdorin këto të fundit, sisteme detektues dhe autobllokues të furnizimit me GLN.
  3. Bombolat e mbushura pjesërisht qe nuk janë ne pune nuk duhet te mbahen nga përdoruesi ne bodrume, garazhe apo tarraca si dhe nuk duhet te hidhen ne plehra ose te asgjësohen prej përdoruesit.
  1. Konsumatori qe përdor një bombol gazi, duhet të jete i pajisur me një kontrate sigurimi me një Shoqëri Sigurimesh, për të garantuar rimbursimin e dëmeve të shkaktuara ndaj palëve të treta në rast aksidenti prej këtyre sistemeve dhe bombolave të GLN.

Neni 8

Organi i specializuar i kontrollit të tregut të hidrokarbureve qe përfshin GLN

Organi i specializuar për kontrollin e të gjithë veprimtarisë se tregut të hidrokarbureve qe përfshin GLN është inspektorati Shtetëror Teknik dhe industrial, i cili përgjigjet për kontrollin e:

  1. Dokumentacionit dhe përputhshmërinë me ligjet, rregullat teknike në fuqi në fushën e tregut të hidrokarbureve qe përfshin GLN.
  2. Instalimet e hidrokarbureve qe përfshin GLN, duke verifikuar përputhshmërinë me rregullat teknike në fuqi.
  3. Pajisjes se personave që kryejnë pune në pajisje dhe instalime nën presion, me certifikatën përkatëse të aftësisë profesionale.

Urdhri i Ministrit Nr. 184, datë 05.07.2015 “Për miratimin e kushteve tekniuke dhe normave të projektimit për impjantet dhe instalimet që shërbejnë për transportimin, depozitimin dhe tregtimin e naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre” është i detyrueshëm per zbatim në perputhje me dispozitat e ketij neni, per sa nuk bie ndesh me aktet e tjera ligjore e nenligjore në fuqi.

Neni 9

Periudha Tranzitore

  1. Përcaktimi i pikës 5 të nenit 7, hyn në fuqi:
    1. Për subjektet tregtare pas 1 viti nga hyrja në fuqi e këtij vendimi;
    2. Për përdoruesit familjare pas 2 vjetësh nga hyrja në fuqi e këtij ligji.
  1. Bombolat që i shërbejnë mbushjes me GLN për përdorim prej konsumatorit qe tashme qarkullojnë në treg dhe nuk janë të pajisura me deklaratën përkatëse të konformitetit të lëshuar prej prodhuesit, duhet t’i nënshtrohen kontrollit teknik të vlerësimit të konformitetit prej organeve kombëtare të miratuara të vlerësimit të konformitetit, apo organeve evropiane të notifikuar, apo dege të tyre të regjistruara në Shqipëri, brenda 12 muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi. Deri në miratimin e organeve të akredituar për vlerësimin e konformitetit të bombolave të GLN, ky proçes do të kryhet në përputhje me një Urdhër përkatës të Ministrit përgjegjës për hidrokarburet.
  2. Në rast se nga kontrolli teknik rezulton se bombola nuk plotëson kërkesat e sigurisë teknike, atëherë ajo duhet të dale jashtë përdorimit dhe nuk mund të përdoret prej askujt.

Ngarkohet Ministria e Energjisë dhe industrisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

KRYEMINISTRI

EDI RAMA

MINISTRI i ENERGJISË DHE iNDUSTRISË

DAMIAN GJIKNURI

Revista Monitor,  05.02.2016