Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

KEK dhe KEDS fshehin kërkesën për rritje tarifash

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), dhe KEDS-i po mundohen që të “fshehin” kërkesën për rritjen e tarifave të energjisë elektrike në Zyrën e Rregullatorit duke thënë se ata kanë kërkuar vetëm rritje të të hyrave për vitin 2016.

Por nëse ZRRE-ja lejon që të rriten të hyrat për vitin 2016, atëherë automatikisht do të rriten edhe tarifat për konsumatorët të energjisë eklektike, pasi që të hyrat e KEK-ut dhe KEDS-it janë nga shpenzimi i rrymës që bëjnë konsumatorët.

Drejtori i Shërbimeve në Korporatën Energjetike të Kosovës, Endmond Nulleshi, ka thënë për Telegrafin se KEK-u nuk ka bërë asnjë kërkesë për ngritje të çmimit të energjisë elektrike për konsumatorë.

Ai ka sqaruar se të gjitha të hyrat për mbulimin e shpenzimeve operative dhe investive të nevojshme për prodhim të energjisë elektrike aprovohen çdo vit nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë.

“Për këtë qëllim, duke respektuar afatet dhe obligimet ligjore sipas licencës që ka, KEK si prodhues i energjisë elektrike, me datën 7 dhjetor 2015, ka dërguar propozimin për lejimin e të hyrave për vitin 2016 në harmoni me legjislacionin në fuqi. Propozimi i KEK-ut për të hyra të lejuara për 2016 është tërësisht në përputhje me të hyrat tashmë të lejuara nga ZRRE-ja për vitin e katërt të shqyrtimit të rregullt shumëvjeçar tarifor (SHTE7),duke përfshi përshtatjet konform rregullave të ZRRE-së”, ka thënë Nulleshi.

Sipas tij, propozimi i KEK-ut është në tërësi në përputhje me të hyrat tashmë të lejuara nga ZRRE-ja që në vitin 2012, duke përfshi edhe përshtatjet që janë rrjedhim i kompleksitetit dhe vështirësive të prodhimit me stabilimente të një moshe më të cilat KEK-u operon.

“Ndryshe aprovimi i të hyrave adekuate të lejuara nga ZRRE do t’i mundësoi KEK-un të mbajë nivelin e prodhimit të qëndrueshëm sipas bilancit energjetik”, ka thënë Nulleshi për Telegrafin.

Po ashtu edhe zyrtarët e KEDS-it, thonë se nuk kanë bërë kërkesë për rritje tarifash të energjisë elektrike por thonë se vetëm kanë kërkuar që të rriten të hyrat e lejuara.

Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, ka treguar për Telegrafin se kanë bërë kërkesë në ZRRE për të hyrat e lejuara nga 1 prilli 2016 deri më 31 mars 2017.

Sipas tij, ky aplikim është një proces i cili do të dal edhe në diskutim nga ZRRE-ja.

“Nuk mund të flitet për rritje të të hyrave, sepse është aplikim fillestar, pasi që Zyra e Rregullatorit për Energji, do ta dërgojë në diskutim”, theksoi Buzhala.

Por, ai thekson se në të hyrat për vitin 2016-2017 do të kenë ndikime edhe kërkesat nga kompanitë e tjera.

“Në tarifa përveç kërkesës së KEDS – KESCO, kanë ndikime edhe të hyrat e KEK-ut dhe KOSTT-it, do të thotë janë katër operatorë, që ndërlidhen me tarifat që aplikohet për konsumatorë”, ka thënë zëdhënësi i KEDS-it.

Ndryshe, të mërkurën, zëdhënësja e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), Adelina Murtezaj-Bajrami ka treguar për Telegrafin se e kanë filluar Procesin e shqyrtimit Tarifor, të dhjetin me radhë.

“Si pjesë e këtij shqyrtimi, fillimisht është shqyrtimi i të Hyrave të Lejuara Maksimale, për të cilat tashmë kanë aplikuar operatorët e licencuar. Këto aplikacione i kemi bërë publike në faqen elektronike të ZRRE-së,.ero-ks.org“, ka thënë ajo.

Murtezaj thekson se aplikacionet, aktualisht janë duke u shqyrtuar nga ekspertët në Departamentin e Tarifave dhe Çmimeve.

“Sapo të përfundojnë këto analiza, ZRRE do të bëjë publik Raportin Vlerësues (që nuk është vendim) për të hyrat e lejuara maksimale për këta operatorë. Ky raport do të bëhet, si gjithmonë, publik dhe do të ftohen të gjitha palët e interesuara që të japin komente e tyre në lidhje me vlerësimet që përmban raporti”, thotë zëdhënësja e ZRRE-së për Telegrafin.

Pas pranimit të komenteve, Bordi do të shqyrtojë Raportin që përmban vlerësimet e ekspertëve të tarifave dhe çmimeve, si dhe të gjitha komentet e pranuara në lidhje me të.

“Vendimi i Bordit për të hyrat e lejuara maksimale dhe Tarifat e reja të energjisë elektrike do të duhej të merret më së largu deri më 31 mars 2016, deri kur është në fuqi vendimi aktual i tarifave të energjisë elektrike”, ka thënë Adelina Murtezaj-Bajrami.

Telegrafi, 04.02.2016