Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Grahmat e fundit të naftës

Çmimi i naftës shihet shpesh si një lloj termomentri për të matur shëndetin e ekonomisë së botës. Por ajo që është vënë re më pak është se ai shërben gjithashtu si një barometër-duke paralajmëruar afrimin e stuhive gjeopolitike. Në të vërtetë, rënia dramatike e çmimit të fuçisë së naftës bruto-nga gati 150 dollarë në qershor 2008 në rreth 30 dollarë sot – ka gjasa që të ushqejë trazira shumë përtej tregjeve të energjisë dhe lëndëve të para të botës, me komplikime veçanërisht shqetësuese për Bashkimin Europian.

Fundosja e çmimeve të naftës janë dukshëm në korrelacion me destabilitetin financiar por linjat e lidhjes mes shkakut dhe pasojës nuk janë në drejtimin që shumica e ekspertëve duket se besojnë. Përkundrazi, kur çmimi i naftës rritet, po kështu rriten kostot në shumicën e vendeve të pasura dhe të industrializuara; kështu, një rritje e çmimit të naftës shërben si frenë për rritjen ekonomike. Rritjet e çmimeve të naftës kanë sjellë recesione botërore në vitet 1973, 1979, 2000 dhe 2008.

E kundërta është gjithashtu e vërtetë. Një ngadalësim i ekonomisë me gjasa do të sjellë rënien e çmimit, e cila mund të jetë e mirë nga pikëpamja financiare për qeveritë dhe konsumatorët. Pas kolapsit të Lehman Brothers në vitin 2008, çmimet e naftës u fundosën për shkak të pritshmërisë për stanjacion ekonomik, por u rimëkëmbën në mënyrë thelbësore kur rritja ekonomike vijoi në tregjet në zhvillim. E parë në këtë këndvështrim, rënia e kohëve të fundit në çmimet e naftës nuk është aspak surprizë për shkak se ajo erdhi pas dobësive të dalluara në të gjitha tregjet e mëdha në zhvillim (me një përjashtim të mundshëm të Indisë).

Për më tepër, çmimet e naftës sot janë pre e burimeve të fuqishme të presioneve për ulje të mëtejshme: pritshmëria se ekonomia e botës do të ristrukturohet në përgjigje të shqetësimeve mbi ndryshimet klimaterike. Përpjekjet aktuale për të ngadalësuar ngrohjen globale mund të mos kenë shumë peshë, por në terma afatgjatë, fakti që energjitë fosile janë kontribuues të mëdhenj në rritjen e dioksidit të karbonit në atmosferë dhe rrjedhimisht ndryshimeve klimaterike, ka gjasa që do të shtyjë politikëbërësit – dhe investitorët – të ndërmarrin veprime serioze.

Kjo na shpie të ajo që ekonomisti gjerman Hans-Werner Sinn e quajti “Paradoksi i madh”. Mundësia që përdorimi i energjive fosile do të kufizohet një ditë krijon një incentivë të madhe të prodhuesve të naftës për të shitur sa më shumë që të kenë mundësi para se kufizimet të hyjnë në fuqi. Kjo logjikë mund të jetë ajo që e ka sjellë reagimin aktual të Arabisë Saudite ndaj fundosjes së çmimeve të naftës: ajo ka hedhur poshtë thirrjet e OPEC për të reduktuar prodhimin. Rezultati është rënie e mëtejshme e çmimit të naftës dhe iniciativa edhe më të mëdha për konsumatorët për të blerë makina me konsum më të lartë e për të udhëtuar më shumë.

Në botën industriale-edhe në Shtetet e Bashkuara, një prodhues gjithnjë e më i rëndësishëm i naftës-çmimet e ulëta të naftës janë në mënyrë të padyshimtë të mira për ekonominë në terma afatshkurtër. Për më tepër, fundosja e çmimeve të naftës është një nga pak forca që mund të ndihmojnë stabilizimin e eurozonës së dobët. Dhe shqetësimet se rënia e çmimeve të lëndëve të para do të sjellin një deflacion dëmtues të stilit të viteve 1930 janë me siguri të ekzagjeruara.

platforme nafteDhe megjithatë, parashikimi është sërish larg të qenit pozitiv. Historia është përplot me shkembuj të përparimeve teknologjike në ndërveprim me disponueshmërinë e burimeve, të cilat kanë pasur ndikim gjeopolitik të stërmadh. Pyjet e lisit të Britanisë i lejuan asaj të bëhet fuqia kryesore botërore detare gjatë Epokës së Lundrimit, kur një lëndë shumë e mirë drusore dhe e bollshme qe çelësi për kontrollin e deteve. Revolucioni Industrial e ktheu çelikun dhe qymyrin në mallra strategjikë ndërsa luftërat për naftë dominuan pjesën më të madhe të shekullit të njëzetë, përfshirë periudhën e Luftës së Parë Botërore, kur humbja e naftës së Rumanisë kontribuoi në kolapsin e Gjermanisë në Frontin Perëndimor më 1918.

Ndryshimet e shpejta të çmimeve të lëndëve të para mund të ndryshojnë panoramën gjeopolitike gjithashtu, duke shkaktuar destabilitet politik-apo më kqe. Dhe sot, nafta duket se po ecën drejt rrugës së lëndës drusore dhe çelikut, duke humbur rëndësinë strategjike. Sasi të mëdha energjie do të jenë ende të nevojshme si bazë për jetën moderne, përfshirë procesimin e të dhënave dhe magazinimin, por gjithnjë e më shumë do të vijnë nga burime të tjera.

Kjo ka gjasa do të ketë pasoja epokale, për shkak se dobësimi i çmimeve të naftës do të minojë regjimet autoritare që kontrollojnë prodhuesit kryesor. Ka një sasi të konsiderueshme provash studiuesish që lidhin varësinë nga burimet natyrore me qeverisjen e keqe – të njohur si “mallkimi i burimeve.” Pavarësisht dallimeve të shumta mes Nigerisë, Venezuels, Arabisë Saudite, Rusisë, Iranit dhe Irakut, që të gjitha kanë një gjë të përbashkët: të ardhurat nga nafta që kanë korruptuar sistemin politik, duke e kthyer atë në një përplasje vrastare për plaçkitje. Ndërsa çmimet bien, banditët që po përplasen do të luftojnë gjithnjë e më shumë mes njëri-tjetrit, si dhe me fqinjët e tyre.

Udhëheqësit e vendeve që prodhojnë naftë janë sakaq të zënë në sajimin e narrativave që shpjegojnë fatkeqësitë e vendeve të tyre. Presidenti i Venezuelës Nicolás Maduro ka përqafuar sloganet e vjetra populiste të së majtës dhe i ka vënë gishtin Shteteve të Bashkuara. Në mënyrë të ngjashme, zyrtarët e Rusisë po bëjnë paralelizma mes ngjarjeve të sotme të rënies së çmimit të naftës me rënien që minoi Bashkimin Sovjetik. Në të dyja rastet, SHBA-të janë përgjegjësit; frakturimi hidraulik në Oklahoma dhe Pensilvania, sipas kësaj narrative, është shembulli më i fundit i projektimit të fuqisë Amerikane jashtë vendit. Me fjalë të tjera, sfidat e sigurisë që krijohen nga rëniet e çmimit të naftës ka gjasa do të jenë më domethënëse se sa rreziqet ekonomike. Por sfidat e sigurisë mund të jenë të kushtueshme. Për shembull, vështirësitë me të cilat u përball BE-ja në vitin 2015 ka gjasa që do të rriten në përmasa dhe do të bëhen edhe më të egra. Kështu që kemi një kauzë të fuqishme që të merremi me pasojat gjeopolitike. Në këtë drejtim, ministri i Financave të Gjermanisë, Wolfgang Schäuble bëri një propozim së fundmi për të paguar për strehimin e refugjatëve me një taksë europiane mbi karburantet, propozim që ka shumë kuptim.

Politikëbërësit në vendet e zhvilluara duhet të ndalojnë së menduari mbi rënien e çmimeve të naftës si një rrezik për ekonominë dhe të fillojnë të mendojnë për komplikimet gjeopolitike.

Duke parë përmasat e sfidave që kanë gjasa të vijojnë, koordinimi i politikave do të jetë i nevojshëm. Goditjet që vijnë nga nafta me çmim gjithnjë e më të ulët vështirë se mund të përballohen nga një vend më vete dhe rrjedhimisht, duhet koordinim për këtë sfidë të përbashkët.

Nga Harold James Profesor i historisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare në Princeton. Shkruar për “Project Syndicate”.

reporter.al  04.02.2016