Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Fundoset British Petroleum

Një rënie me 70% të çmimeve të naftës që prej 2014-ës, ka bërë që sektori i naftës dhe gazit të shkurtojë qindra mijëra vende pune, e të reduktojnë ndjeshëm shpenzimet.

Një nga gjigantët e naftës, British Petroleum, shënoi humbjet më të mëdha në 20 vite përgjatë 2015-ës dhe deklaroi se do të shkurtojë më tej vendet e punës. Kompania, që po përballet ende me kostot e mëdha nga derdhja e naftës në Gjirin e Meksikës në 2010-ën, deklaroi se do të shkurtojë 7 mijë vende pune apo 9% të fuqisë punëtore, deri më 2017-ën. Me publikimin e lajmit, vlera në treg e kompanisë ra me 7% në sesionin tregtar të Londrës, duke kryesuar humbësit e indeksit kryesor ku listohen 300 kompani.

Humbja neto e kompanisë për 2015-ën arriti në 6.5 miliardë dollarë. Situata është më e keqe për kompaninë se gjatë skandalit të 2010-ës, ku kostot dhe gjobat arritën në rreth 55 miliardë dollarë. Rezultatet e British Petroleum janë të fundit që raportohen në sektor. Prodhuesi i dytë më i madh në Shtetet e Bashkuara Chevron, raportoi humbjen më të madhe në më shumë se 13 vite, ndërsa Royal Dutch Shell pritet të publikojë një përgjysmim të fitimeve.

Çmimet e naftës Brent të Londrës arritën një mesatare prej 43$ për fuçi në tremujorin e katërt të 2015-ë, apo 33 dollarë më pak në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Disfata më e keqe e industrisë në 3 dekada, pritet të vazhdojë në 2016-ën, ndërkohë që nafta Brent ka shënuar një mesatare prej 33 dollarë për fuçi deri më tani.

Telegrafi,  02.02.2016