Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Thellohet bashkëpunimi me Gjermaninë në energjitikë

Ministri i Energjisë dhe Industrisë Z.Damian Gjiknuri priti sot në takim një delegacion gjerman të kryesuar nga Drejtori për Evropën Juglindore dhe Turqinë në Bankën Gjermane KfW, Z. Christopf  Tiskens.

Z.Gjiknuri e vlerësoi shumë të kënaqshëm bashkëpunimin e deritanishëm mes Shqipërisë dhe Gjermanisë në zhvillimin e sektorit energjitik. Në këtë linjë, ministri Gjiknuri u ndal tek projektet aktuale të linjës 110 kV Unaza e Jugut të Shqipërisë, linjën e interkonjeksionit 400 kV Shqipëri-Kosovë dhe projekte të tjera që kanë garantuar mbështetjen e bankës KfW në sektorin e transmetimit dhe shpërndarjes.

Brenda pak ditësh, tha ministri, do të inaugurohet përfundimi i punës për ndërtimin e Unazës së Jugut ndërsa po ecën sipas parashikimeve edhe projekti i rëndësishëm i lidhjes së interkonjeksionit me Kosovën. Shteti shqiptar do të bashkëpunojë ngushtësisht me bankën gjermane KfW edhe për sa i takon projektit tjetër të lidhjes së interkonjeksionit 400 kV mes Shqipërisë dhe Maqedonisë.

Në vlerësimin e ministrit Gjiknuri, ekzistojnë hapësirat për të thelluar bashkëpunimin edhe në fushën e efiçencës së energjisë. “Sapo kemi miratuar ligjin për efiçencën e energjisë. Padyshim do të ishte me vlerë asistenca gjermane për sa i takon ngritjes së Agjencisë së Efiçencës por edhe krijimit të fondit të efiçençës”, u shpreh z.Gjiknuri. Sipas tij, një tjetër mundësi bashkëpunimi është sektori i shpërndarjes dhe investimet shumë të nevojshme për përmirësimin e rrjetit.

Drejtori i bankës KfW për Evropën Juglindore z. Tiskens theksoi rëndësinë që ka bashkëpunimi mes Gjermanisë e Shqipërisë edhe në kuadër të Procesit të Berlinit për Ballkanin Perëndimor. Duke ju referuar projekteve që tanimë janë duke përfunduar ose në fazë realizimi me financimin e KfW, z. Tiskens tha se është i kënaqur me ecurinë e deritanishme. Më tej, ai u ndal tek projekti i ardhshëm për lidhjen e interkonjeksionit me Maqedonisë ashtu sikurse tek mundësitë e financimit të projekteve të efiçencës së energjisë për ndërtesat publike.

energjia.al  27.01.2016