Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Kosova C: Investim i pastër?

Me një termocentral kryesor të energjisë që po shkon drejt fundit te jetës së tij, Kosova po përballet me një krizë të furnizimit që do të ndikojë në miliona banorë. Duke vazhduar angazhimin e saj për një energji të pastër dhe të qëndrueshme, Banka Botërore tani është duke diskutuar se cila është mënyra më e mirë e financimit të vendit më tutje – a do munden burimet e rinovueshme të mbushin boshllëkun e energjisë në Kosovë, apo është qymyri opsioni i vetëm realist?

Kur është fjala për trajtimin e ndryshimeve klimatike dhe përdorimin e lëndëve djegëse fosile, ka një çështje themelore që bota ende nuk ka qenë në gjendje për ta kapërcyer. Ajo ngre kokën në çdo konference të madhe të OKB-së për ndryshime klimatike, dhe ka të ngjarë që do ta përsëri edhe në Paris në dhjetor, kur delegatët ndërkombëtarë mblidhen në një përpjekje për të nënshkruar më në fund një angazhim global, ligjor dhe detyrues për të reduktuar emetimet e gazit serrë.

Çështja është kjo: si munden vendet e avancuar perëndimore, që i kanë ndërtuar themelet e prosperitetit të tyre mbi përdorimin e pakufizuar të lëndëve djegëse fosile, t’ua mohojnë atë vendeve që duan të bëjnë të njëjtën gjë sot? Kjo pyetje ka qenë një mollë sherri në shumë negociata klimatike ndërkombëtare, dhe kjo lidhet me debate të tjera në sektorin e energjisë pasi që lëvizjet për mosinvestimin në lëndë djegëse fosile vazhdojnë të rriten.

Qymyri si lënda më ndotëse fosile me arsye ka bartur barrën me të madhe të thirrjeve për mosinvestime. Në qershor 2013 SHBA njoftoi se do të ndalojë së investuari në projekte të huaja të qymyrit, ndërsa një muaj më vonë Banka Botërore ndryshoi politikën e saj për qymyr, duke deklaruar se ajo do të mbështesë projekte të reja të qymyrit “vetëm në rrethana të rralla”, me kritere të shtrënguara duke lejuar kështu vetëm investimet e qymyrit për të plotësuar “nevojat e energjisë në vendet pa alternativa të realizueshme”.

Sektori i pazhvilluar i energjisë elektrike në Kosovë

Për disa kohë Banka Botërore e ka shqyrtuar nëse situata e energjisë në Kosovë është një nga ato me “rrethana të rralla” në të cilat do të mbështesin zhvillimin e një termocentrali të ri me qymyr. Termocentrali i propozuar Kosova C , aktualisht projekti i vetëm i qymyrit në Bankën për Zhvillim, do të zëvendësojë termocentralin Kosova A, i cili shpesh është përmendur si pika me emetimin më të madh të karbonit në Europë.

Shteti e vogël i Kosovës pa dalje në det është vendi më i varfër në Evropë pas Moldavisë, dhe rritja kombëtare ekonomike e saj 7 miliard dollarëshe është cunguar nga një sektor joefikas i energjisë që vuan për të përmbushur kërkesën e pikut. Ndërprerjet e energjisë elektrike janë një dukuri e rregullt në Kosovë, ku dy termocentrale të vjetra qymyri gjenerojnë 98% të furnizimit me energji të vendit, duke përdorur rezervat e saj të bollshme të linjitit (ose qymyr kafe), që është forma më ndotëse e karburantit fosil.
Pasi qe termocentrali Kosova A të mbyllet, që do të ndodhë në vitin 2017, do të ketë një boshllëk të madh kapaciteti prej rreth 950 MW (sipas shifrave të Bankës Botërore), si dhe do të dëmtohet sektori nga humbjet e larta teknike, komerciale, faturimi dhe sistemet e mbledhjes joefektive.

Kosova C: qymyri i ri për një epokë të re?

Termocentrali Kosova C është propozuar për më shumë se një dekadë, por rezistenca për një termocentral të ri të linjitit, e shoqëruar me një mungesë të investitorëve, solli një plan të vonuar dhe të lënë anash. Kosova C, e cila ishte planifikuar fillimisht si një strukturë 2,000 MW, e që do të kishte shndërruar vendin në një eksportues të energjisë për Ballkanin, tani është propozuar si termocentral 660 megavatësh me dy njësi që do të kërkojë 1.6 miliard dollarë për tu ndërtuar.

Në shkurt të vitit 2015 Kosova më në fund gjeti një ofertues të ndërtojë termocentralin, kur ContourGlobal zhvillues i energjisë me bazë në Nju Jork zbuloi se kishte dorëzuar ofertën e tij komerciale tek Qeveria kosovare. Edhe pse konfirmimi për dhënie të kontratës nuk është shpallur ende, nënkryetari ekzekutiv i ContourGlobal Garry Levesley tha për Reuters në muajin shkurt se dy njësitë mund të funksionalizohen në mes të viteve 2020 dhe 2021 me një jetëgjatësi 40-vjeçare.

“Nëse gjërat shkojnë mirë, pas 18 muajsh nga sot [shkurt 2015], ne do të mund të fillojmë gërmimin në tokë”, tha Levesley.

Ai gjithashtu deklaroi se projekti i ndërtimit do të krijojë 10,000 vende pune dhe operacionalizimi i termocentralit do të sigurojë punësim të përhershëm për 500 njerëz.

Pavarësisht deklarimit te Levesleyt për sigurimin e mbështetjes nga Banka Botërore dhe Bashkimi Evropian, Banka Botërore endë duke shqyrtuar mundësinë e sigurimit të një garancie me risk te pjesshëm prej 58 milionw dollarësh për këtë projekt, i cili thuhet se do të jetë 33% i financuar nga ContourGlobal, ndërsa pjesa tjetër e kostos do të mbulohet me kredi.

Garancia do të balanconte rrezikun për investitorët që janë dyshues për të investuar paratë në një mjedis jo shumë të favorshëm të investimeve në Kosovë. Por polemikat që sillen rreth projektit kanë bërë që banka të hezitojë për të sqaruar qëndrimin e saj; ajo mbetet e mbyllur në vlerësimet dhe konsultimet për ndikimin mjedisor dhe social para se të marrë një vendim, duke e lënë të ardhmen e projektit të pasigurtë.
“Asnjë vendim nuk është marrë për projektin e energjisë në Kosovë dhe asnjë vendim nuk do të merret deri sa të jenë kryer dhe konsultuar me publikun të gjitha analizat mjedisore, sociale dhe teknike, si dhe aksionarët tanë te kenë dhënë mendimet e tyre lidhur me këtë projekt”, tha zëdhënësi i Bankës Botërore në shkurt të këtij viti.

A është qymyri e vetmja mënyrë për Kosovën?

Duke pasur parasysh rrethanat, nuk është çudi që zgjerimi i planit të thëngjillit në Kosovë do të kritikohet nga ambientalistët. Linjiti është forma më ndotëse e lëndëve djegëse fosile në botë dhe dy termocentralet e linjitit në vend janë kontribuesit kryesor të më shumë se 800 vdekjeve çdo vit për shkak të ndotjes së ajrit. Kjo shkallë e të vdekurve (dhe kostot shëndetësore që qytetarët do t’i pësojnë si rezultat të djegies së thëngjillit) ka gjasa të vazhdojë në të ardhmen e afërt.

“Gjëja e fundit në të cilën ne do duhej t’i shpenzojmë paratë tona është në projekte të kota dhe të rrezikshme që kërcënojnë sigurinë e familjeve dhe komuniteteve brenda dhe jashtë vendit”, tha John Coequyt, drejtor i fushatave klimatike federale dhe ndërkombëtare në Sierra Club një grup ambientalistësh me qendër në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një nga kritikët më të zëshëm të projektit së bashku me koalicionin ambientalist kosovar KOSID.
“Banka Botërore dhe Administrata e Obamës duhet të qëndrojnë prapa premtimeve të tyre për mos financim në thëngjill, dhe të sigurojnë që taksapaguesit amerikan të mos mbajnë barrën e humbjes së bastit, atë të thëngjillit në Kosovë”, ka vazhduar Coequyt.

Megjithatë, Banka Botërore nuk bëri asnjë premtim të projekteve të reja të thëngjillit. Çështja kryesore është se a do të kualifikohet Kosova, si një nga “rrethana të rralla” të Bankës për Zhvillim pasi që nuk “ka alternativa të realizueshme” përveç thëngjillit?
Kundërshtarët e projektit, natyrisht, argumentojnë se nuk kualifikohet.

“Ka mundësi më të mira dhe më të lira, opsione më të mençura që emetojnë më pak gazra”, thotë Bruce Buckheit, një ish-zyrtar amerikan nga Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit, i cili ka qenë këshilltar për Sierra Club në rastin e Kosovës. Buckheit ka propozuar mundësinë e importit të gazit natyror nga Azerbajxhani për të mbuluar mungesën e energjisë, megjithëse do të duhej të ndërtohej një infrastrukturë krejtësisht e re e shpërndarjes së gazit për tu realizuar ky projekt.

Një hulumtimi i udhëhequr nga profesori Daniel Kammen i Universitetit Berkeley të Kalifornisë (i cili ka shërbyer edhe si këshilltar i energjisë së rinovueshme në Bankën Botërore dhe administratën Obama) sugjeron se një kombinim i përmirësimit të efikasitetit, zvogëlimit të humbjeve të energjisë elektrike, rehabilitimi i termocentralit Kosova B dhe investimet direkte në burimet e rinovueshme do të nënkuptonte një furnizim të mjaftueshëm, pa pasur nevojë për një termocentral të ri.

Nevojat e mjedisit vs nevojat njerëzore

Banka Botërore dhe vëzhgues të tjerë tregojnë një histori tjetër. Qëndrimi zyrtar i Sierra Club është se investimi për energji të pastër në Kosovë “do të jetë më i lirë, më i pastër dhe do të krijojë më shumë vende pune sesa termocentrali i propozuar i Kosovës C”, por kjo nuk adresonë problemin themelor të furnizimit jo stabil të vendit me energji elektrike.

Banka Botërore ka përmendur një mundësi të ulët të energjisë së ripërtëritshme në Kosovë, ku do të mund të ndërtohej një hidrocentral në Zhur me 305 megavat, por sipas bankës do të operojë me 16% të kapacitetit, ndërsa energjia solare konsiderohet shumë e shtrenjtë. Poashtu Komisioni Evropian dhe kompania zvicerrane e energjisë së rinovueshme Repic kanë vërejtur potencial të ulët të energjisë gjeotermale dhe të erës.

Për më tepër, argumentet e përqendruara rreth faktorëve të mjedisit dhe çmimit kanë tendencë të injorojnë nevojën e domosdoshme të Kosovës për furnizimin e ngarkesës bazë, diçka për të cilën vetëm termocentralet e thëngjillit janë të përshtatshme ndërsa burimet e rinovueshme si era dhe dielli nuk janë.
Kjo ndodh kur ambientalistëve kokëfortë nevojat primare të kosovarëve (shëndeti dhe jeta e të cilëve rrezikohet nga ndërprerjet e rrymës gjatë dimrit njësoj sikurse nga ndotja e ajrit) shpesh ju duken dytësore.

“Ndryshimi i klimës dhe problemi i thëngjillit është një gjë, por çështja humanitare është një tjetër, dhe ne nuk mund t’ia kthejmë shpinën popullit të Kosovës të cilët ballafaqohen me ngrirje deri në vdekje nëse ne nuk lëvizim”, tha presidenti i Grupit të Bankës Botërore Dr Jim Jong Kim në një telekonferencë të 2014-tës.

Në asnjë rast ky debat nuk ka qenë një argumentim paralel, duke vënë investimet e pastëra kundër thëngjillit të ndotur. Edhe nëse ndërtohet, Banka Botërore dhe Qeveria e Kosovës ka paraparë gjithmonë termocentralin Kosova C si pjesë e reformave të gjera në sektorin e energjisë, duke përfshirë rehabilitimin e Kosovës B për të përmbushur standardet e pajtueshmërisë së BE-së, zhvillimin burimeve të rinovueshme, dhe përmirësimin e efikasitetit në tërësi.
Bankës Botërore i mbetet të njoftojë për mbështetjen e saj për Kosovën C, ndërsa juria është ende në diskutim nëse termocentrali i linjitit është alternativa më e mirë (apo në të vërtetë e vetmja) për të balancuar nevojat e popullit të Kosovës dhe sektorit të energjisë. Debati do të ndahet ne dy drejtime, por pjesëmarrësit në të dy anët do të bënin mirë të marrin në konsideratë nëse pozicionet e tyre me të vërtetë iu shërbejnë atyre te cilët kanë barrën kryesore në këtë çështje – popullit të Kosovës.

Autor- Chris Lo

Chris Lo shkruan për fusha të ndryshme si projektet e infrastrukturës, zhvillimin farmaceutikë dhe për fushën e energjisë në magazinën e huaj NRI Digital.

Telegrafi,  16.01.2016