Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

MEI: PD shpif për Skavicën

Viti i ri në opozitë nuk kishte si të fillonte ndryshe për Partinë Demokratike, përveçse duke lëshuar shpifjen e parë për 2016.

Fabrikimi i radhës sot kishte të bënte me hidrocentralin e Skavicës. Mjaftonte që zonja Duma të kërkonte një informacion pranë Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë përpara se të dilte në konferencë, por tashmë jemi mësuar se zëdhënësve të Partisë Demokratike nuk u intereson e vërteta, por shpifja që vet fabrikojnë, vet mediatizojnë e më pas vet besojnë.

Sa për fabrikimin e tyre të radhës, dëshirojmë të sqarojmë për publikun se është krejtësisht normale të publikohen emrat e kompanive të huaja prestigjioze, të cilat në mënyrë zyrtare marrin pjesë në procedura të hapura e transparente koncensionesh apo partneritetesh publike private.

Ministria e Energjisë dhe Industrisë, në zbatim të ligjit nr. 125/2013, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, të ndryshuar, dhe vendimit të Këshillit të Ministrave me nr. 576, datë 10.7.2013 “Për miratimin e rregullave për identifikimin, vlerësimin dhe dhënien e koncesioneve për hidrocentralet”, pasi ka shqyrtuar propozimin e ardhur për ndërtimin e HEC Katund i Ri mbi Lumin Drin i Zi, ka bërë vlerësimin përkatës nëpërmjet Oponencës Teknike Shtetërore pranë Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, KESH, dhe institucioneve të tjera që lidhen drejtpërdrejtë me këtë projekt.

Në përfundim të këtij procesi, bazuar edhe në studimin e kryer nga kompania franceze “SOGREAH”, e kontraktuar nga qeveria shqiptare pikërisht për të vlerësuar potencialin hidroenergjetik të lumit “Drini i Zi”,  Ministria e Energjisë dhe Industrisë e ka vlerësuar projektin me një bonus (sipas legjislacionit në fuqi) prej 8 pikësh, vlerësim i miratuar nga Këshilli i Ministrave në mbledhjen e tij të datës 23.12.2015.

Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, Ministria e Energjisë dhe Industrisë do të vijojë me hapat e mëtejshme procedurale të përcaktuara në Ligjin nr. 125/2013, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, të ndryshuar. Këto hapa përfshijnë hartimin e dokumentacionit standard të procedurës konkurruese (ToR), publikimin, vlerësimin e ofertave të mundshme dhe në rast të një procedure të suksesshme, negocimin e kontratës.

Siç shihet qartë, asnjë prej pretendimeve të Partisë Demokratike nuk qëndron. E vërteta është se ekziston një procedure ligjore që po ndiqet rreptësisht nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë, procedurë që siguron transparencë të plotë, konkurrencë të ndershme dhe vendimmarrje në interes të shqiptarëve.

energjia.al  07.01.2016