Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

TAP planifikon financime të reja në 2016

TAP po planifikon të marrë financime të kufizuara burimore nga agjenci shumëpalëshe, agjencitë e kredisë së eksportit dhe bankat tregtare gjatë vitit 2016.

Ian Bradshaw, Drejtor Menaxhues i TAP-it, tha: “Projektet e energjisë si TAP-i vijojnë të jenë investime të besueshme afatgjata tregtare dhe unë jam me të vërtetë i kënaqur me nivelin e interesit të treguar në mbështetje të projektit TAP. Si një vepër infrastrukturore energjetike strategjike për Bashkimin Evropian, TAP-it i është dhënë statusi i Projektit në Interesin e Përbashkët (PCI) dhe është mbështetur nga qeveritë e vendeve tona pritëse: Greqia, Shqipëria dhe Italia.”

Këtë deklaratë ai e dha në një event në Londër, ku morën pjesë përfaqësuesit e më shumë se 20 bankave kryesore që financojnë projekte, të organizuar nga Trans Adriatic Pipeline AG.

Drejtuesit e lartë të TAP-it së bashku me përfaqësuesit e aksionarëve të kompanisë, të shoqëruar nga këshilltarët financiarë dhe ligjorë të TAP-it, përkatësisht, Société Générale dhe Allen & Overy, theksuan arsyetimin e fuqishëm të projektit, përditësuan të pranishmit mbi progresin e deritanishëm të projektit dhe paraqitën programin e financimit të projektit.

TAP-i do të transportojë gaz natyror nga fusha gjigante e Shah Denizit II, në Azerbajxhan, në Evropë. Tubacioni, i gjatë 878 km, do të lidhet me Gazsjellësin Trans Anatolian (TANAP) në kufirin turko-grek në Kipoi, duke kaluar përmes Greqisë dhe Shqipërisë dhe Detit Adriatik, përpara se të mbërrijë në brigjet e Italisë së Jugut.

Rruga që përshkon TAP-i mund të lehtësojë furnizimin me gaz të disa vendeve të Evropës Juglindore, përfshirë Bullgarinë, Shqipërinë, Bosnjën dhe Hercegovinën, Malin e Zi, Kroacinë dhe të tjera. Dalja në tokë e TAP-it, në Itali, ofron mundësi të shumta për transportimin e mëtejshëm të gazit natyror të Kaspikut në disa nga tregjet më të mëdha evropiane, si Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Zvicra dhe Austria.

TAP-i do të nxisë zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të punës përgjatë rrugës së tubacionit; ai do të jetë një burim i madh i investimeve të huaja direkte dhe kjo nuk varet nga grante apo subvencione. Pas shitjeve të para të gazit në Gjeorgji dhe Turqi, të synuara për fund-vitin 2018, prurjet e para në Evropë do të fillojnë përafërsisht me fillim-vitin 2020.

Struktura aksionare e TAP-it përbëhen nga BP (20%), SOCAR (20%), Snam S.p.A. (20%), Fluxys (19%), Enagás (16%) dhe Axpo (5%).

Revista Monitor, 22.12.2015