Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Trepça mbetet pa status të përcaktuar

Disa ditë para përfundimit të këtij viti, asnjë strategji apo ligj që do të përcaktonte fatin e gjigantit metalurgjik “Trepça”, nuk është dërguar në Kuvendin e Kosovës. Kjo ka bërë që statusi i ndërmarrjes më të madhe në vend, të vazhdojë të mos jetë i definuar, edhe pse një gjë e tillë ishte premtuar nga Qeveria e Kosovës në fillim të këtij viti. Krejt çka është bërë deri më tani, është krijimi i një grupi punues që do t’i propozojë Qeverisë planin e veprimit për hapat lidhur me procesin e zhvillimit të sektorit minerar në Kosovë.

Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka njoftuar se duhet pritur përfundimin e punës së Grupit Punues ndërinstitucional për sektorin minerar në përgjithësi, por edhe për “Trepçën” në veçanti. “Do të paraqes orientimin për ndryshimet e nevojshme ligjore, Planin Zhvillimor për ‘Trepçën’ i cili duhet të ofrojë zgjidhje lidhur me statusin, problemet sociale, kreditore dhe mjedisore”, thuhet në përgjigjet e kësaj Ministrie. Deri më tani është mbajtur një takim pune i këtij grupi ku kanë marrë pjesë përfaqësues të institucioneve të vendit.

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Muhamet Mustafa, ka thënë për gazetën “Zëri” se ende nuk kanë marrë ndonjë dokument në Kuvend lidhur me këtë çështje. Njëherësh kryetari i Komisionit për Zhvillim Ekonomik ka bërë të ditur se në Qeveri vetëm se kanë filluar punën dy trupa punuese për këtë çështje.

“Po punohet me intensitet edhe për të ndriçuar mirë gjendjen në ‘Trepçë’, sidomos lidhur me kërkesat e kreditore edhe për të eksploruar përvojat më të mira ndërkombëtare”, ka thënë Mustafa. Ai ka thënë se edhe në Kuvend dhe në Komisionin për Zhvillim Ekonomik janë të angazhuar në këtë çështje për të bërë zgjidhjet më të mira pa improvizime.

Telegrafi, 18.12.2015