Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

VKM për organizimin dhe funksionimin e EITI

VENDIM PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E SEKRETARIATIT KOMBËTAR TË NISMËS PËR TRANSPARENCË  NË INDUSTRINË NXJERRËSE (EITI -SHQIPËRI), NË KUADËR TË ANËTARËSIMIT NË ORGANIZIMIN NDËRKOMBËTAR EITI – INTERNATIONAL

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 6, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Sekretariati për Nismën për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse (EITI- Shqipëri) është institucion qendror, person juridik, në varësi të ministrisë përgjegjëse për energjinë dhe industrinë, që ushtron funksionet në kuadër të anëtarësimit në organizmin ndërkombëtar “EITI-International”. Sekretariati organizohet si drejtori e përgjithshme dhe e ka selinë e tij në Tiranë.
2. Misioni i sekretariatit është përmbushja e prioriteteve dhe strategjive kombëtare për transparencë në industrinë nxjerrëse. Sekretariati koordinon përpjekjet kombëtare, në zbatim të standardit global EITI, që rrjedhin si detyrim nga anëtarësimi, për të siguruar transparencë të plotë të të gjitha taksave dhe pagesave që kryhen nga industritë e naftës, gazit, minierave dhe burimeve të tjera natyrore, me kontribut material në buxhetin e shtetit, proceseve respektive si dhe përgatitjen e menaxhimit të projekteve, në lidhje me këto fusha.
3. Sekretariati e zhvillon veprimtarinë e tij bazuar në standardet e përcaktuara nga “EITI-International” si dhe në përputhje me legjislacionin vendas. Standardi teknik, dokumentacioni përkatës dhe mënyra e raportimit përcaktohen nga EITI-International, ndërsa veprimtaria administrative e sekretariatit mbikëqyret, rregullohet dhe miratohet nga ministria përgjegjëse për energjinë dhe industrinë dhe institucionet e tjera, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi.
4. Sekretariati (EITI-Shqipëri) ushtron veprimtarinë në marrëdhënie me të gjitha subjektet e përfshira në sektorin e industrive nxjerrëse. Vendimmarrja në sekretariat realizohet në përputhje me standardin global EITI, nëpërmjet grupit ndërinstitucional të punës, i cili ngrihet me urdhër të Kryeministrit dhe funksionon si një platformë tripalëshe, me përfaqësues nga shoqëria civile, institucionet shtetërore përkatëse dhe shoqëritë që ushtrojnë aktivitetin në industri.
5. Detyrat dhe objektivat e sekretariatit, në zbatim të kërkesave të  standardeve EITI, janë:
a) Ngritja e strukturës së nevojshme, në mbështetje të programit të veprimeve të miratuara për EITI-Shqipëri;
b) Publikimi i raporteve EITI, garantimi i procesit të auditimit dhe plotësimi i procedurave për hartimin e raportit të miratimit;
c) Përcaktimi, në bashkëpunim me grupin ndërinstitucional të punës dhe ministrinë e linjës, i objektivave kombëtare të zbatimit të EITI-t;
ç) Rishikimi i bazës ligjore, për të reflektuar në legjislacionin përkatës kërkesat e standardit EITI, si dhe për të evidentuar pengesat e ndryshme për zbatimin e tij;
d) Identifikimi i burimeve të qëndrueshme të financimit, për zbatimin e planit kombëtar për EITI-n, si dhe monitorimi i tyre;
dh) Publikimi dhe shpërndarja e raporteve;
e) Ndjekja e një strategjie komunikimi dhe informimi, referuar standardit global EITI dhe strategjisë kombëtare për transparencë, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar;
ë) Ngritja e kapaciteteve/trajnimi i punonjësve shtetërorë, i shoqërisë civile, ku përfshihet edhe media, si dhe grupeve të interesit, të lidhura me EITI-n.
f) Trajnimi i nëpunësve të EITI-t, në përputhje me programin e zbatimit kombëtar për EITI-Shqipëri.
g) Raportimi, para grupit ndërinstitucional të punës, në mënyrë periodike, për ecurinë e realizimit të veprimtarive të programit dhe të hapave të anëtarësimit.
gj) Zgjerimi i fushës së veprimit të EITI-t edhe në fusha të tjera të burimeve natyrore.
h) Evidentimi dhe realizimi i projekteve të ndryshme, në lidhje me transparencën dhe antikorrupsionin në industrinë nxjerrëse dhe atë hidroenergjetike.
6. Sekretariati, për të realizuar misionin dhe objektivat e tij, bashkëpunon dhe bashkërendon veprimtarinë e tij me grupin ndërinstitucional të punës të Nismës për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse (EITI) dhe me institucione të tjera, publike dhe/ose private, me grupet e interesit, shoqërinë civile, median vendase dhe/ose të huaj. Përveç stafit teknik të përhershëm, sekretariati, kur e sheh të arsyeshme, për të realizuar misionin dhe objektivat e tij, mund të kontraktojë shërbime këshillimi nga ekspertë të jashtëm, sipas legjislacionit në fuqi.
7. Sekretariati raporton në çdo mbledhje të grupit ndërinstitucional të punës të Nismës për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse (EITI) dhe çdo vit, në mënyrë periodike, përgatit informacion me shkrim për Kryeministrin, për ecurinë e realizimit të programit të veprimeve dhe të raportit vjetor të EITI-t.
8. Sekretariati financohet nga:
a) buxheti i shtetit (fonde të destinuara për programin e veprimeve të Nismës për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse (EITI);
b) burime financiare nga palë të treta, të destinuara për programin e
veprimeve të EITI-t, nga fonde të institucioneve ndërkombëtare, të shteteve të veçanta dhe të organizatave të ndryshme, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe “Udhëzimet globale EITI për financim të institucioneve”;
c) donacione të subjekteve fizike dhe/ose juridike, nga sektori privat, vendas dhe/ose i huaj, në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi dhe “Udhëzimet globale EITI për financim të institucioneve”.
Buxheti i EITI-t miratohet nga ministri përgjegjës për energjinë dhe industrinë.
9. Sekretariati e përdor buxhetin për fondin e pagave të punonjësve dhe për shpenzime të tjera, në funksion të përmbushjes së misionit dhe të detyrave të tij.
10. Drejtuesi i sekretariatit përfaqëson sekretariatin në marrëdhënie me të tretët. Marrëdhëniet e punës së drejtuesit të sekretariatit rregullohen me legjislacionin për nëpunësin civil.
11. Struktura organizative e sekretariatit miratohet me urdhër të Kryeministrit. Pagat e nëpunësve të sekretariatit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
12. Funksionimi i sekretariatit bazohet në rregulloren e funksionimit, e cila hartohet nga strukturat e tij dhe miratohet nga ministri përgjegjës për energjinë dhe industrinë.
13. EITI-Shqipëri punëson, pranë strukturave të tij, staf ekspertësh teknikë, të cilët përzgjidhen në përputhje me legjislacionin për nëpunësin civil dhe procedurat e përzgjedhjes së EITI-International, me kritere teknike të përcaktuara, sipas karakteristikave të projekteve që do të menaxhohen. Marrëdhëniet e punës së punonjësve të sekretariatit rregullohen me  legjislacionin për nëpunësin civil.
14. Vendimi nr.540, datë 7.7.2010, i Këshillit të Ministrave, “Për ngritjen dhe funksionimin e sekretariatit, për ndjekjen e procedurave të anëtarësimit të Shqipërisë, si vend zbatues, në Nismën për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse (EITI)”, të ndryshuar, shfuqizohet.
15. Ngarkohet ministri i Energjisë dhe Industrisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
KRYEMINISTRI 
EDI RAMA
energjia.al  10.12.2015