Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Bankers paguan, i zhbllokohen llogaritë

Kompania kanadeze e naftës Bankers Petroleum ka rënë dakord të paguajë detyrimin tek administrate tatimore, në masën 7.5 miliardë lekë, afro 54 milionë euro. Burime zyrtare nga ministria e Energjisë dhe Industrisë konfirmuan për Shqiptarja.com se pagesa do të bëhet me këste gjatë vitit të ardhshëm. Dy palët kanë rënë dakord që kompania të paguajë 10% të detyrimit dhe më pas nga 4.3 milionë dollarë për çdo muaj të vitit të ardhshëm, deri në përfundim të pagesës së detyrimit

Konflikti

Kompania ka hedhur Agjencinë e Burimeve Natyrore në Arbitrazh, duke kundërshtuar shumën e detyrimit, pasi Tatimet kanë marrë vendimin për të bllokuar një shumë të madhe fondesh, që kanë rezultuar, sipas Hetimit Tatimor, si detyrime të papaguara dhe gjoba përkatëse. Pas kësaj, pati një replikë jo të vogël midis drejtuesve të saj, duke përfshirë drejtorin ekzekutiv të kompanisë, por edhe deklarata të ministrave të qeverisë shqiptare.

Nga ana e tij, presidenti dhe CEO i Bankers Petroleum Ltd, David French, u dërgoi një letër të hapur autoriteteve shqiptare, ku konfirmonte gatishmërinë e kompanisë për të bashkëpunuar me të gjitha institucionet shtetërore në vend. Kompania mirëpret një zhbllokim të llogarive për të mundur të vijojë aktivitetin normalisht në fushën naftëmbajtëse më të madhe të vendit, deklaroi ai.

Reagimi erdhi pasi një ditë më parë, në një njoftim zyrtar, qeveria qeveria e Shqipërisë deklaroi se është e qartë për kërcënimet e bëra nga Bankers Petroleum Ltd. për të mbyllur apo kufizuar aktivitetin në zonën naftëmbajtëse të Patos-Marinzës, por i kërkonte asaj të zbatonte legjislacionin në fuqi në Republikën e Shqipërisë. “Qeveria e Shqipërisë është e qartë për kërcënimet e bëra nga Bankers Petroleum Ltd. për të mbyllur apo kufizuar aktivitetin në zonën naftëmbajtëse të Patos-Marinzës. Teksa qeveria mirëpret partnerët e huaj apo vendas, pasuritë kombëtare të Shqipërisë janë një pasuri e të gjithë shqiptarëve dhe as nuk mund të keqpërdoren, as mund të përdoren si kërcënim ndaj vendit”, thuhej në një deklaratë koncise, të paraqitur publikisht nga Kryeministria.

“Të gjithë kompanitë që punojnë në Shqipëri, qofshin të huaja apo vendase, duhet t’u binden rregulloreve dhe ligjeve në fuqi në Republikën e Shqipërisë. Qeveria shqiptare është e vetëdijshme për detyrimin dhe të drejtën e saj që të mos lejojë cenimin e integritetit afatgjatë të pasurive të çmuara të vendit”, shtonte komunikata. Marrëveshja e arritur së fundi besohet se do të bëjë të mundur zhbllokimin e llogarive të British Petroleum nga bankat e nivelit të dytë dhe fillimin e mbledhjes për herë të parë nga shteti shqiptar të tatim-fitimit në sektorin e prodhimit të naftës.

Shqiptarja.com 05.12.2015