Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Rrëzohet hetimi ndaj CEZ

Ashtu siç pritej deputetët socialistë në Komisionin e Ligjeve (7) rrëzuan dje kërkesën e PD-së për shqyrtimin e projektligjit për një hetim ndërkombëtar të çështjes “CEZ”. Ashtu, si dhe në diskutimin në parim, LSI, ku në mbledhjen e djeshme ishte vetëm kreu i grupit parlamentar, Petit Vasili zgjodhi të abstenonte dhe të mos jepte asnjë deklaratë në gjithë debatet, ndërsa deputeti i PDIU-së, Tahir Muhedini, i pranishëm në fund të mbledhjes preferoi të mos merrte pjesë në votim. Mbledhja u shoqërua nga debate të ashpra mes palëve në aspektin e cenimit të parimeve kushtetuese për një hetim nga autoritete të huaja. “Asnjë autoritet i huaj gjyqësor nuk mund të zëvendësojë ato shqiptare. Cenohen tri parime kushtetuese, së pari parimi i sovranitetit, i territorialitetit dhe kompetencës”, tha Ulsi Manja. Nënkryetari i komisionit, deputeti Oerd Bylykbashi sqaroi se: “Kushtetuta në asnjë rast nuk mund të jetë streha e kriminelëve dhe të korruptuarve. Ajo që ne po kërkojmë është që shqiptarët ta besojnë që kur Kryetari i Kuvendit do të dalë i pafajshëm është vërtet i pafajshëm. Po nëse nuk është mos ta mbrojë posti, por të shkojë pas hekurave”. Ndërkohë që në përgjigjet e kthyera edhe Prokuroria shqiptare ishte gjithashtu kundër krijimit të mekanizmave ligjorë për hetimin ndërkombëtar, me argumentin se është i vetmi institucion që ka juridiksion të përfaqësojë akuzën në gjykatat shqiptare. Ndërsa misioni i OPDAT thekson se policia dhe Prokuroria shqiptare janë të vetmit përgjegjës për udhëheqjen e hetimeve që prekin qytetarët dhe institucionet shqiptare.

Gazeta Shqip,  25.11.2015