Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Fjala e ministrit Gjiknuri në Vlorë

Fjala e Ministrit të Energjisë dhe Industrisë Z.Damian Gjiknuri në aktivitetin e mbajtur në Vlorë “Të pastrojmë më tej Shqipërinë”

Mirëmbrëma të gjithëve,

Në fakt, nuk do doja ta ktheja në një komunikim tipik. Dua ta thjeshtoj bisedën, në ato çështje që vërtet njerëzit duan ti dëgjojnë, për të parë realitetin se ku e morëm, çfarë kemi bërë me shumë përpjekje dhe pse kjo është e mirë edhe për popullatën e gjerë.

Për të kuptuar se çështja e energjisë elektrike, nuk është një reformë që i intereson vetëm qeverisë në një drejtim, për të arritur një sukses apo për të mbyllur një problem. Përkundrazi, ajo është një sfidë që i takon gjithë shoqërisë shqiptare, qeverisë në radhë të parë, por mbi të gjitha publikut që pret që sukseset e kësaj reforme të përkthehen në të mira për të gjithë popullatën.

U tha me të drejtë këtu nga shoku Gramoz, se gropa në sektorin energjetik kërcënonte stabilitetin financiar të shtetit. Në fakt, shteti jemi ne të gjithë, jo vetëm qeveria, të gjithë taksapaguesit shqiptarë. Gropa në energji, e lidhur dhe ekspozuar me Buxhetin e Shtetit hante çdo vit mbi 150 milion euro. Para këto, të cilat normalisht duhet të kishin shkuar për shkolla, për rrugë, për shërbime sociale, për shërbime shëndetësore, ato që normalisht presin njerëzit.

Përkundrazi, këto para shkonin për të financuar hajdutërinë, shpërdorimin me energjinë elektrike, e cila fatkeqësisht, edhe për arsye politike u kthye në një mall të këmbyeshëm për vota. Në shumë zona të Shqipërisë energjia elektrike u këmbye me vota; u luajtur me idenë ‘mos paguani, na jepni votën, se prapë do t’iu lëmë që të mos paguani’. Të gjithë qytetarët e rregullt, jam i sigurtë edhe ju këtu në sallë, pjesa më e madhe e këtyre trevave, kanë qenë të rregullt me pagesat dhe kërkonin barazi. Një barazi e cila është barazi para ligjit, por mbi të gjitha është edhe barazi sociale sepse nevojën për energji elektrike nuk e kanë vetëm disa, e ka gjithë popullata.

Situata të cilën gjetëm ishte katastrofë. Niveli i humbjeve vjetore kishe vajtur në mbi 45% që përkthehet në atë shifër. Borxhet, ekspozimi i Buxhetit të Shtetit, vetëm në vitin 2013 ishte mbi 21 miliard lekë të reja. Pra, mbi 200 milion dollarë të cilat garantoheshin nga Buxheti për të mbajtur dritat ndezur siç thotë populli, për të garantuar furnizimin me energji elektrike.

Përpara nesh shtrohej një detyrë shumë e madhe. Të mos harrojmë këtu edhe konfliktin e hapur ligjor, në një gropë me shumë të panjohura, konflikti mbi pronësinë e sistemit të shpërndarjes. Ne duhet ta zgjidhnim këtë konflikt, për të çliruar investimet dhe për të lëvizur me reformën energjitike, gjë që po e bëjmë.

Pavarësisht akuzave që janë lëshuar politikisht, duhet kuptuar se për shkak të mbylljes së këtij konflikti, janë siguruar deri tani 300 milion euro investime, disa nga këto edhe grante.

Këto investime tanimë po i shikoni. Njerëzit kanë patur mundësinë të shohin punimet për Unazën Energjitike të Jugut. Ka akoma shumë punë për të bërë por përmirësimet janë të dukshme, siç është ulja e humbjeve të cilat nga 45% që ishin në vitin 2013, tanimë kanë shkuar në 31%. Vitin tjetër, synojmë që nivelin e humbjeve vjetore në shpërndarje ta ulim tek shifra e 26%. Të gjitha këto janë para të kursyera që po na japin ne mundësinë që të investojmë për përmirësimin e shërbimit me energji.

Unë përmenda këtu Unazën e Jugut, bregdeti ka shumë nevojë për investime, zonat e Vlorës kanë nevojë për investime por ato kanë filluar. Tanimë në të gjithë Shqipërinë po investohet në sistemin e energjisë elektrike. Nga Operatori i Shpërndarjes, në vitin 2013 ishin vetëm 450 milion lekë investime ndërsa këtë vit po investohen mbi 7 miliard lekë. Synohet pra, të vihet sa më pranë shërbimit cilësor, siç e meritojnë qytetarët shqiptarë. Nga ana tjetër, nuk kemi harruar dimensionin social, pavarësisht deklaratave të shpeshta bombastike që synojnë të na diskretitojnë politikisht, sikur gjoja kemi harruar të varfrit. Faktet flasin ndryshe.

Ju kujtohet kur dikur thonin ju kemi falur faturat e energjisë?! Madje kaluan edhe një ligj në parlament!! Çfarë u bë realisht?! Ato fatura u kishin mbetur njerëzve në bilancin e sistemit të shpërndarjes. Ne, me vendosmëri falëm mbi 45 mijë fatura abuzive të energjisë elektrike, duke u kursyer njerëzve 15 milion USD. Atë që ata vetëm e thanë, ne e bëmë realitet për shkak të përmirësimit të vet sektorit. Nga ana tjetër, na lanë edhe një tjetër gropë të parave të llogaritura si dëmshpërblim për përmbytjet në zonën e nën Shkodrës. Deklaruan se do tua jepnin njerëzve ato para por na e lanë ne hapur këtë gropë. Për shkak të likuiditetit të shtuar në sektor, ne mbyllëm edhe gropën e dëmshpërblimit të banorëve të zonës së Shkodrës.

Nga ana tjetër, u dhamë mundësinë mbi 360 mijë konsumatorëve të hyjnë në marrëveshje për ta shlyer borxhin e energjisë në terma afatgjatë. Ndërkohë, kemi falur mbi 40 milion USD kamatëvonesa qytetarëve, pikërisht për shkak të zbatimit të kësaj skeme të pagesave. Kjo është masë kritike dhe gjeti mbështetje të madhe popullore. Skema lehtësuese solli dy të mira; së pari formalizoi gjithë këtë element që do ta quaja informal të energjisë dhe së dyti, solli kontribute financiare të cilat do ti shkojnë mbrapsht qytetarëve pasi me këto para do bëhen investimet.

Do të ekspozohet më pak Buxheti i Shtetit dhe kjo do të thotë se këto para do të kalojnë për shkolla të reja, spitale etj. Kjo situatë e përmirësuar i dha mundësi sektorit për të shlyer edhe investitorët privatë të energjisë, një tjetër gropë kjo që është përmendur vetëm për interesa politike. Në vitet 2013-2014, të akumuluara për shkak të ngrirjes së gjithë tarifave rregullatore ishin gati 60 milion USD, të cilat ne tanimë i kemi shlyer. Mund të thotë dikush pse ja shlyem privatit, por duhet kuptuar se gjërat janë të lidhura, për shkak se kjo ka shtuar besimin e sektorit privat tek energjia elektrike. Këto përkthehen në më shumë garanci për vendet e punës, më shumë garanci për paranë që e hedh e që mund ta marrësh mbrapsht.

Likuiditeti i shtuar ndikon edhe nga pikëpamja fiskale në Buxhetin e Shtetit pasi ai me kontribute mbahet.

Mbani mend që na akuzuan për reformën e tarifave? Po çfarë bëmë ne? Hoqëm fashën me të cilën spekulohej lehtësisht. Po të shikoni strukturën e konsumit sot, shikoni se çmimi mesatar i energjisë elektrike nga 9.7 lekë që ishte me dy fashat, ka rënë tanimë në 9.5 lekë. Ka krijuar një sistem shumë më të thjeshtë për tu administruar dhe ne nuk kemi lënë as dimensionin social. Kemi shtuar kontributet e subvencionit për energjinë. Në Buxhetin e Shtetit ka një vlerë me 16 milion USD më shumë, krahasuar me atë çka jepej në 2013 dhe 2014 e që adreson pikërisht këto kategori sociale.

Patjetër, dimensioni social është shumë i rëndësishëm për çdo qeveri e aq më tepër për qeverinë tonë. Kjo reformë ka krijuar legjitimitet në sytë e popullatës, njerëzit e kanë përkrahur. Patjetër, janë shtuar edhe kërkesat dhe njerëzit presin më shumë. Nuk dua të bëj këtu rolin e triumfalistit pasi ka shumë gjëra për tu rregulluar, ka shumë për të përmirësuar në shërbimin ndaj klientit dhe këtë vit ne do të investojmë në këtë drejtim. Dua të them se vitin e ardhshëm ne do të heqim plotësisht faturimin afrofe. Me këto para të shtuara do të investojmë që çdo konsumator të ketë matësin e tij dhe të dijë se sa i vjen energjia. Ishte një fenomen që u krijua nga mungesa e investimeve dhe mungesa e investimit konkret për matësat. Konsumonin njerëzit dhe nuk faturoheshin ndaj ishte menduar si një masë e përkohshme.

Tanimë, reformën njerëzit kanë filluar ta shohin si një gjë të tyren, nuk është më thjesht një tekë e një qeverie për të bërë diçka. Qeveria është zgjedhur pikërisht për të patur mbështetjen të bëjë reforma që mbi të gjitha prekin qytetarët. Kjo është arsyeja se përse ajo e ka fituar këtë legjitimitet. Nga të gjitha sondazhet, por edhe nga zgjedhjet lokale u kuptua se kjo reformë u mbështet nga qytetarët.

Shikojeni sot. Janë të njëjtët aktorë që në emër të të varfërve sulmojnë edhe nismën për formalizimin e ekonomisë. Ajo që ndodhi me energjinë elektrike do ta shikoni se do të ndodhë edhe me të ardhurat e shtuara që u takojnë njerëzve, atyre që punojnë e kontribuojnë me taksa. Qeveria për këtë është, me taksat që do mbledhë, pa rënduar me barrë fiskale të kryejë investimet për shërbimet publike.

Ky formalizim do të sjellë më shumë legjitimitet tek sytë e popullit. Me paratë e shtuara do të kemi më shumë mundësi të financojmë nevojat tona shoqërore dhe sociale. Ka edhe akuza, ne jemi mësuar me akuza. Unë për shkak të punës që kemi bërë, jam akuzuar por dua tu kujtoj atë që e kam thënë dhe më parë. Çdo reformë e përqeshin dhe kështu po e bëjnë edhe me këtë të energjisë. Më pas, kalojnë në fazën e dytë që e sulmojnë pasi provohet se ajo ka sukses. Në fund, ju them se ne do ja dalim, do triumfojmë sepse po jua bëjmë të qartë qytetarëve, këto reforma janë për ta dhe jo për qeverinë.

Ju faleminderit!

energjia.al 18.11.2015