Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Bejtja: Teknologjitë smart përmirësojnë shërbimin

Fjala e zv.Ministrit Ilir Bejtja në forumin e organizuar nga Konfindustria, “Smart Balkan Forum”

Përshëndetje të gjithëve,

Në fakt, të flasësh “smart” sot është shumë më e lehtë se përpara dy vitesh kur ne kemi qenë ndoshta në majën e të qenit një ekonomi me sjellje pragmatike të kalçifikuar. Besoj, kjo ka ardhur disi natyrshëm

për shkak të historisë që ne si shoqëri kemi. Vinim nga një regjim totalitar, ku njerëzit ishin mësuar se qeveria do të siguronte çdo lloj malli e çdo lloj shërbimi, çdo lloj gjëje që na bente të mundur të jetonim. Ndryshimi i menjëhershëm, mungesa e eksperiencës në vitet e para të demokracisë solli instalimin e një modeli që në thelb të tij pati kaotizmin. Zhvillimet kanë qenë shumë individuale, të bazuara në eksperienca dhe mënyra të menduari thellësisht pragmatike, të palidhura me kuadrin kombëtar të ekonomisë apo në përgjithësi me zhvillimin e shoqërisë shqiptare.

Të paktën në fushën e energjisë, në këtë situatë kemi qenë edhe ne kur erdhëm në qeveri. Gjetëm një sistem që për shkak të kësaj sjelljeje pati prodhuar një situatë totalisht të falimentuar. Nuk është ndonjë sekret por ne morëm një ndërmarrje që kishte gjendje llogarish negative, aksionet negative tre herë më shumë se vlera e aseteve. Gjeneronte çdo vit rreth 21-22 miliard lekë humbje dhe gjysmën e vitit duhet të financohej nga Buxheti për tu mbajtur në këmbë. Kjo situatë jo vetëm në shpërndarje por i gjithë sistemi elektro energjetik ishte i paralizuar. Kjo ishte arsyeja kryesore se përse sot ne kemi një nivel shumë të lartë overdraftesh për të përballuar aktivitetin. Po ashtu në OST kemi shumë financime që nuk bëhen me mjetet e veta por përkundrazi mbështeten me garanci sovrane. Në Shpërndarje gjithashtu çdo gjë bazohej tek garancia sovrane por tanimë situata ka ndryshuar. Këto mungesa në Buxhetin e Shtetit për shkak të garancive sillnin problem për investimet në ato fusha që janë dhe elementët që stimulojnë zhvillimin.

Nga një shpenzim i cili duhet të rikthehej çdo vit, energjia tek ne ishte kthyer në një të mirë publike që njerëzit mendonin se duhet ta kishin. Kemi zbuluar edhe situata që vlejnë për Guinnes, kemi gjetur nënstacion që është bërë në vitin 1952 apo 1958 dhe i cili pretendojmë që të garantojë furnizimin e gjithë popullatës në vitin 2015. Gjetëm një situatë shumë të rëndë në të cilën nuk mund të punoje “smart” por duhet të punoje me forcë. Kjo bëri që qeveria e mbështeti sektorin e energjisë me të gjitha forcat që të merrnim një impuls pozitiv, të siguronim energjinë elektrike për të gjithë konsumatorët dhe më pas të mendonim të kishim dhe para për ta rindërtuar sistemin. Për këtë arsye ne 2014 kemi një Plan të Rimëkëmbjes Financiare ku thelbi është që të gjitha ndërmarrjet të fillojnë të dalin mbi ujë, të jenë pra të afta për të gjeneruar të ardhurat që duhen për të kryer aktivitetin dhe jetuar në treg.

Në këto dy vite kemi rritur ndjeshëm nivelin e të ardhurave dhe kemi reduktuar edhe nivelin e konsumit në vend duke ulur ndjeshëm nivelin e humbjeve. Lëvizjet kanë qenë strukturore por edhe taktike. Ne gjetëm në shpërndarje një model tarifor me 13 tarifa sektorale. Këtu nuk kishte ndonjë analizë që të lidhej me koston pse ishte shtrenjtë për njërin apo lirë për tjetrin. Në fakt, nga të gjitha studimet që bëmë rezultoi se nuk kishte asnjë lidhje të tillë dhe qeveritë në vijimësi kishin marrë vendime në varësi të sektorëve që dëshironin ti stimulonin e që i kishin përparësi.

Ne ndryshuam sistemin tarifor dhe vendosëm si bazë koston duke u lidhur në pikën e aksesit, pra mbi bazën e lidhjes në tension. Kjo solli rezultate shumë positive. i vendos operatorët  në kushte të barabarta konkurence, bëri më të lehtë miratimin e tarifave dhe përceptimin nga konsumatorët se përse duhet të ishte ky çmim.

Të njëjtën gjë bëmë tek familjarët ku gjetëm një fashë e cila kishte stimuluar konsumatorët që kishin nga tre apo katër sahatë. Të gjithë këta konsumonin nga 1 mijë kilovat dhe faturoheshin me çmimin bazë. Nuk ndodh askund që njerëzit të jenë aq të pasur ta çdo aktivitet ta bazojnë në konsumin e energjisë elektrike. Është një burim i shtrenjtë në raport me forcat e tjera dhe përsëri shqiptarët që janë vend i varfër konsumonin energji në mënyrë eksesive. Sot kemi një ulje të konsumit edhe për shkak të kësaj natyre, njerëzit janë bërë më “smart”. Njerëzit janë bërë më “smart” për menaxhimin e kostove pasi tarifa është e barabartë. Investimet janë bërë më “smart” me investime në mënyrë të përqëndruar sipas nivelit të tensionit dhe rrjetit.

Kemi bërë një pasaportizim të gjithë sistemit. Çudia fillonte nga fakti se Shqipëria kishte mbi 1.1 milion familje në sistem faturimi por në fakt me census kishim 720 mijë të tilla. Numri i konsumatorëve aktiv nuk mund të ishte më shumë se 500 mijë. Kemi rreth 100 mijë konkrata provizore të cilat po kërkojmë ti bëjnë definitive në sistem. Ishte një rrëmujë e krijuar në shumë vite nga pseudoreformat që në fakt kanë qenë goditje poshtë rripit për sistemin.

Ajo që kemi bërë tani është sa strategji aq edhe bazë. Pak para takimit me zotin Buxhuku po diskutonim për reforma të tjera që duhen ndërmarrë për ndarjen apo jo të derregullimit të sektorit. Secili ka argumentet e veta dhe kjo do të thotë se keni filluar të mendojmë smart. Në OSHEE kemi filluar të ndërtojmë një sistem të ri billing, po punojmë për sahatet smart, për efiçencën e energjisë gjithashtu.

Kemi edhe aspektet e ndërtesave ku në fakt ne konsumojmë shumë energji dhe nuk jemi efiçent. Në fokusin tonë do të mbetet gjithmonë siguria për furnizim me energji për të gjithë popullatën. Ajo çka po bëjmë tani është në një linjë me aktivitetin e sotëm “Smart Balkan Forum”. Ajo çka ju do mund të diskutoni sot do të jenë ndoshta një stimul i ri për të nxitur mendimet tuaja, iniciativat për burime të reja, për të diskutuar me ne dhe gjithë sipërmarrjet në sektorin e energjisë në përgjithësi.  Synimi është të kemi kosto sa më të ulëta që të ndihmojmë zhvillimin e ekonomisë shqiptare.

Faleminderit

energjia.al  14.11.2015