Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Lejet mjedisore në QKL

Ministria e Mjedisit zhvilloi takimin në lidhje me problematikat që lindin gjatë zbatim të ligjit nr. 10440/2011 “Për vlerësimin e ndikimit në mjedis”(VNM), të ndryshuar me aktet nënligjore, që rrjedhin prej tij, si dhe ligjin nr. 10448/2011 “Për lejet e mjedisit”, të ndryshuar e aktet nënligjore që rrjedhin prej tij. Në këtë takim të organizuar nga Ministria e Mjedisit morën pjesë përfaqësuesit e Agjencive Rajonale të Mjedisit (ARM), përfaqësuesit nga Bashkitë e vendit, përfaqësues të Agjensisë Kombëtare të Mjedisit (AKM), si dhe nga Qendra Kombëtare e Liçensimit (QKL).

Ministria e Mjedisit me VKM–në e re ndryshoi në 2014-ën në favor të lehtësimit të proçedurave dhe reduktimin e kostove të bizneseve për aplikimin e lejeve mjedisore Kategorisë A, B dhe C pranë QKL-së të cilat mund të plotësohen nga vetë Administratori i Biznesit. Ndërkaq për aplikimin e pajisjes me Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis (VNM) bizneset duhet të plotësojnë aplikimin, sipas detyrimeve ligjore, pranë ekspertëve mjedisorë të liçensuar.

Drejtor i Përgjithshëm i Politikave të Mjedisit, Z. Pëllumb Abeshi, e konsideroi mjaft të rëndësishëm takimin e iniciuar nga Ministria e Mjedisit duke qënë që të gjithë insitucionet e pranishme kanë një rol të mirëpërcaktuar me legjislacion në proçesin e Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis dhe në proçesin e Lejeve Mjedisore. ”Një qartësim i këtyre roleve në mënyrë të përmbledhur është efikas dhe mjaft i nevojshëm, pas ndryshimeve që ka pësuar legjislacioni mjedisor në këtë fushë. Biznesi duhet të informohet dhe të kuptojë se ndryshimet në ligj e favorizojnë, duke i dhënë mundësinë administratorëve që plotësimin e formularit për aplikimin e lejeve mjedisore të cdo kategorie që ata përfaqësojnë, ligji u jep të drejtën ta plotësojnë vetë dhe ta dorëzojnë pranë QKL-së”- tha Z. Abeshi.

Në takim përfaqësuesit e insititucioneve u qartësuan me ndryshimet e reja të hyra në fuqi prej 1 viti dhe më specifikisht me elementët që kanë sjellë paqartësi gjatë aplikimit të legjislacionit në praktikë. Gjithashtu ekipi i Ministrisë së Mjedisit sqaroi për përfaqësuesit e Bashkive dhe ARM-ve, për procedurat që duhet të ndjekin në praktikë dhe ju kërkoi të mbështesin biznesin duke e informuar për zbatimin e ligjit në praktikë.

Në këtë takim u qartësua dhe roli i inspektoriateve të Pushtetit Vendor, në lidhje me aktivitetet që kanë nevojë ose jo për leje mjedisore dhe afatet që këto inspektoriate duhet t’u lënë aktiviteteve për t’u pajisur me leje mjedisore.

Në fund të këtij takimi, ekipi i Ministrisë së Mjedisit dhe QKL-së propozuan të ofrojnë trajnime strukturave të pushtetit vendor në 12 qarqe të vendit, për zbatimin sa më korrekt të ligjit dhe fuqizimin e kapaciteteve njerëzore në këto qarqe.

Revista Monitor, 10.11.2015