Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Gjiknuri: Drejt një bashkimi energjitik

Fjala e Ministrit të Energjisë dhe Industrisë Z. Damian Gjiknuri në takimin e 13-të të Ministrave të Komunitetit të Energjisë mbajtur në Tiranë

Përshëndetje të gjithëve,

Ju falenderoj për pjesëmarrjen,

Komuniteti i Energjisë dhe traktati i tij është nënshkruar përpara 10 vitesh. Ne kemi patur festime shumë të bukura në Vjenë në muajin Gusht dhe më duhet të them se traktati nuk mbeti në letër por u pasua nga reforma në të gjitha vendet tona.

Në Shqipëri, ne kemi filluar reformat pak më vonë, por tani ne po tregojmë vendosmëri për ta reformuar sektorin e energjisë.

Nuk dëshiroj të përsëris fjalët e Kryeministrit Rama, ai foli shumë qartë se cila ka qenë situata me sektorin e energjisë dhe çfarë po bëjmë ne për momentin. Ne kemi miratuar legjislacionin për sektorin e energjisë dhe të gazit po ashtu. Kemi reformuar edhe sistemin e tarifave dhe kompania në tërësi po vazhdon të ecë përpara pas një situate kaotike.

Shqipëria është një vend i cili ka potenciale të rinovueshme shumë të mëdha dhe bashkë me Sekretariatin e Komunitetit te Energjisë ne do ti kthejmë këto në një aset të vërtetë, duke ndryshuar edhe termat e Traktatit të Energjisë, duke pasur një bashkëpunim të hapur me të gjithë vendet e rajonit.

Dua të theksoj edhe punën që po bëhet në sektorin e gazit me gazsjellësin TAP dhe me korridorin. Natyrisht këto gjëra do të bëhen realitet dhe nuk do të jenë më thjesht projekt në Shqipëri. Ne jemi krenarë dhe të lumtur që jemi pjesë e kësaj qasjeje dhe kemi krijuar edhe themelet e këtij kuadri ligjor jo vetëm për vendin tonë, por që të përfitojnë edhe të gjitha vendet e rajonit.

Shqipëria vërtet ka pasur zhvillime të jashtëzakonshme gjatë kohës që mbante Presidencësn e Komunitetit të Energjisë. Unë jam shumë krenar që në raportin e zbatimit, përpjekjet tona janë njohur si të tilla dhe perceptimi ka qenë se ne kemi qenë lokomotiva e këtij procesi në integrimin e tregut të energjisë. Po ashtu, gjatë kësaj Presidence, Komuniteti i Energjisë ka patur një organizim efektiv. Ne morëm Presidencën nga Ukraina, kemi pasur të bëjmë pikërisht me një direktivë të re të energjisë dhe atë që quhet rregullorja elektrike TNA. Fokusi ka qenë në zbatimin e paketës së tretë ligjore, një realitet në Shqipëri dhe në Serbi, por po ashtu pjesërisht edhe në Ukrainë, në Kosovë dhe në Moldavi. Do të vazhdohet me këtë punë dhe unë mendoj që kemi pasur një historik shumë të rëndësishëm në punën që është bërë. Natyrisht falënderimet shkojnë për Sekretariatin.

Së fundmi, më duhet që të them se puna e Sekretariatit do të vazhdojë të jetë me ‘high reflection group’ siç njihet. Pra, një legjislacion që do të kemi sot që është propozuar nga Sekretariati, po ashtu edhe dy rregullore nga Komisioni Europian. Komuniteti ynë i Energjisë ka nevojë për këtë reformë dhe për këto pjesë legjislative. Unë jam shumë i kënaqur që procesi ka filluar, që pas fjalëve ne po tregojmë me vepra që ky proces nuk do të mund të kthehet mbrapsht.

Më lejoni që të falënderoj edhe Z. Janez Kopac. Ne kemi një mbështetje shumë të fortë prej tij, por edhe prej zëvendësit Z. Buschle. Duke pasur parasysh mbështetjen institucionale, por edhe përpjekjet tona të vazhdueshme si palë kontraktuale e Komunitetit të Energjisë, ne do ti mbajmë premtimet e këtij Komuniteti, duke e kthyer sektorin tonë të energjisë në motor për të rritur mirëqenien e qytetarëve tanë, ashtu siç po bëjmë në mënyrë të sinkronizuar me Bashkimin Europian.

Ndaj i nderuar Z.Komisioner, unë besoj se ky ka për të qenë një kontribut shumë i rëndësishëm për një bashkim pan europian për energjinë.

Faleminderit dhe ju uroj të gjithëve suksese sot!

energjia.al  20.10.2015