Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Komunat të shtojnë kontrollin mbi karburantet

Komunat e Kosovës nuk kanë politika të shkruara për shpenzimet e reprezentacionit e as kontrolle të mjaftueshme për shpenzimin e derivateve. Sipas një dokumenti të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm (ZAP), as komunat e mëdha nuk përbëjnë përjashtim në këtë drejtim. Kësisoj pjesa dërmuese e tyre figurojnë në listën e shpenzuesve ‘luksozë’, bazuar në pasqyrat financiare të vitit 2014.

Auditori ka bërë të ditur se në tërë totalin e shpenzimeve për reprezentacion përkatësisht dreka zyrtare, harxhimet më të larta janë regjistruar tek komunat: 1. Prizreni, 2. Gjilani, 3. Gjakova, 4. Vushtrria, 5. Peja, e kështu me radhë. Këto komuna, së bashku kanë shpenzuar mbi 300 mijë euro, nga 735 mijë eurot e shpenzuara nga 34 komuna të Kosovës.

ZAP konstaton se shpenzimet e reprezentacionit nuk iu nënshtrohen kontrolleve të mjaftueshme dhe shton se nuk është e qartë nëse komunat e kuptojnë mjaftueshëm natyrën dhe qëllimin e këtyre shpenzimeve. Po ashtu sqaron se nuk ka ndonjë limit që përcakton deri në çfarë shkalle mund të bëhen këto shpenzime.

“Kjo ilustrohet me faktin se Komuna e Prishtinës është komuna më e madhe dhe kryeqendër e Kosovës, ndërsa në ranglistën e këtyre shpenzimeve renditet e 20-a”, thuhet në këtë dokument.

Vështrimi i këtij institucioni shtetëror nxjerrë në pah faktin se ka komuna që kanë shpenzuar për reprezentacion më shumë se vitin paraprak, ku veçohen Prizreni, Mamusha dhe Prishtina, pasi që rritja ka qenë mbi 100 për qind.

Ndërkaq mesatarja e shpenzimeve për derivate në nivel të komunave në bazë të analizës së ZAP-it ka rezultuar në 10 euro për çdo 100km. Pas Rranillugut me 89 euro, në listë të komunave me shpenzimet më të larta gjenden edhe komuna e Ferizajt me 15 euro, Dragashi me 15 euro, Peja 12, Prishtina 12 e Prizreni me 11. Mitrovica kap mesataren me 10 euro.

Por ZAP përkujton se të dhënat për derivatet e shpenzuar krahas kilometrave të kaluara janë mbledhur në mënyrë manuale nga personat përgjegjës komunal dhe si të tilla nuk ofrojnë siguri maksimale për saktësinë e tyre. Për më shumë Komuna e Gjakovës, nuk ka ofruar të dhëna në këtë drejtim.

Si përfundim, Auditori thekson se Komunat nuk kanë politika të shkruara për shpenzimet e reprezentacionit, derisa nuk janë të definuara qartë as nevojat dhe kriteret për këto shpenzime, sikurse edhe aprovimet e duhura të menaxhmentit dhe përcaktimi i stafit me të drejta përfaqësimi.

Auditori nënvizon se nuk ka kontrolle të mjaftueshme edhe sa i përket shpenzimit të derivateve dhe cek se disa nga komunat nuk kanë të caktuara normativa të shpenzimeve, përderisa nuk udhëhiqen evidenca të sakta për udhëtime, nuk zbatohet sistemi i urdhëresave të udhëtimit dhe nuk bëhet barazimi i shpenzimeve të derivateve me kilometrat e kaluara.

Bazuar në këto të dhëna, EC Ma Ndryshe i bën thirrje qeverive lokale që të jenë të kujdesshme në shpenzimin e parasë publike, pasi që kanë obligim ligjor dhe moral që të menaxhojnë me përgjegjësi paratë e taksapaguesve të komunave të tyre. Po ashtu ekzekutivët lokal duhet t’i kenë parasysh standardet e qeverisjes së mirë dhe të menaxhimit adekuat me paranë publike, veçanërisht në situatën kur komunat kanë nivel mjaft të dobët të zhvillimit ekonomik dhe me tregues alarmant të niveleve të varfërisë, papunësisë dhe rasteve sociale.

Prandaj, EC Ma Ndryshe rekomandon drejtuesit e komunave që të zbatojnë në përpikëri rekomandimet e Auditorit të Përgjithshëm, të shtojnë kontrollin mbi shpenzimet e reprezentacionit dhe të derivateve, të shtojnë transparencën në këtë drejtim sikurse edhe të hartojnë kritere të qarta për shpenzimet e tilla dhe ti zbatojnë ato.

Projektin “Indeksi i Reformës së Transparencës Komunale” EC Ma Ndryshe ka nisur që ta zbatoj nga maji i vitit 2015, falë përkrahjes së Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë, i cili ka shtrirje në komunat e mëdha të Kosovës, Prishtinë, Prizren, Pejë, Mitrovicë, Gjilan, Ferizaj dhe Gjakovë, sikurse edhe në Suharekë, Rahovec, Malishevë, Dragash, Mamushë dhe Shtërpcë. Projekti në fjalë ka për qëllim që ti asistoj komunat në identifikimin e mangësive kryesore sa i përket transparencës sikurse edhe të ofroj udhëzime për adresimin dhe tejkalimin e tyre. Indeksi i Transparencës paraqet edhe një përpjekje të strukturuar për të mbështetur komunat e Kosovës në përmbushjen e standardeve të qeverisjes së mirë, të përcaktuara me reformën e qeverisjes lokale dhe agjendën evropiane të Kosovës.

Telegrafi, 13.10.2015