Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Shoqatat mjedisore kërkojnë moratorium HEC-esh

Organizatat mjedisore i kanë kërkuar kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Mjedisit Lefter Koka shpalljen e moratoriumit tre vjeçar për ndërtimin e veprave energjitike mbi lumenjtë shqiptarë.

“Një numër maramendës prej 501 HEC-eve pritet të ndikojë negativisht në ekosistemet natyrore, dhe sidomos tek ato me ndjeshmëri të lartë, siç janë zonat e mbrojtura dhe parqet kombëtare. Ne kërkojmë sot masën e parë dhe të menjëhershme për moratorium lidhur me ndërtimin e veprave energjitike në lumenjtë e Shqipërisë për një periudhë 3-vjeçare ”, tha Valbona Mazreku, eksperte mjedisi.

“Mungesën e një studimi të mirëfilltë për kapacitetet ujore që ka Shqipëria dhe mundësinë e hidrocentraleve që mund të mbartin këto kapacitete ujore. Tashmë ky studim nuk ekziston fare. Është nisur ndërtimi i hidrocentraleve thjesht me një dëshirë për plotësim të nevojave dhe kërkesave me energji po pa pasur sa është mundësia që këto lumenj të furnizojnë ”, tha Emirjeta Adhami.

Në gjithë vendin janë dhënë leje për ndërtimin e 501 HEC-eve, në një kohë që pritet ulja mesatare e reshjeve të shiut. Sipas ekspertëve të mjedisit, ndërtimi i HEC-eve në mënyrë të pakontrolluar ka sjellë dëme të ndryshme që lidhen me ndryshimin e biodiversitetit të lumenjve.

“Pak ditë më përpara inspektori i peshkimit në Pogradec referoi se sasia e ngjalës që kapet në këtë liqen është tanimë shumë e vogël. Arsyeja është e thjeshtë, bllokimi i migrimit të saj prej kaskadës së lumit Drin, prej numrit të hidrocentraleve të ndërtuara mbi lumin Drin vite më përpara, pra, është një problem që ne e ndeshim sot”, tha Mihallaq Qirjo, drejtor i Qendrës Rajonale të Mjedisit.

Ekspertët e mjedisit theksojnë se ndërtimi i këtyre HEC-eve do të sjellë ndryshimin e rrjedhës natyrale të lumenjve dhe do të ndikojë negativisht në jetën sociale dhe ekonomike të qindra mijëra banorëve që jetojnë pranë tyre.

Top Channel ,  06.10.2015