Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Deklaratë e ministrit Gjiknuri mbi CEZ

Deklarata e Ministrit Gjiknuri gjatë Komisionit për Veprimtarinë Prodhuese referuar debatin mbi CEZ

Zoti Kopac erdhi në shtëpinë tuaj, pra në Komisionin për Veprimtarinë Prodhuese dhe nuk e ftoi qeveria. Pyetjet ja keni drejtuar ju dhe me sa di unë ai ishte për një raport teknik të radhës. Ju i drejtuat pyetje për shkak të rihapjes politike që po i bën Partia Demokratike çështjes CEZ, them rihapjes sepse asgjë nuk ka ndryshuar nga maratona e konferencave të shtypit dhe kërcënimeve që janë bërë në vitin 2014 për këtë marrëveshje. U rihap prapë me të njëjtin refren dhe pa sjellë asgjë të re. Dua të them se kjo është një çështje e konsumuar politikisht, thjesht kërkohet të përfitohet për momentin për të bërë diversione të caktuara dhe për të rikapur temën duke synuar të diskretitojnë reformën në energji. Një reformë që për mendimin tim, por edhe për mendimin e shumë institucioneve ndërkombëtare është reforma më e suksesshme e kuatifikuar me numra, me parametra financiare, me ulje humbjesh dhe rritje të arkëtimeve. Nga këto reforma vendi ka vetëm përfitime dhe kjo rihapje e çështjes është thjesht një strategji për ta diskretituar këtë reformë. Përfshirja e institucioneve ndërkombëtare apo kritikat ndaj tyre janë pikërisht për të kompleksuar rolin aq të domosdoshëm që ato kishin në arritjen e asaj marrëveshjeje dhe progresin që ka sektori energjitik. Kompania ishte kompani shtetërore çeke dhe jo thjesht një kompani komerciale ndaj nuk janë gjërat të shkëputura. Ajo kompani u soll si u soll në Shqipëri, nuk po e bëj atë histori tani, por krijoi një problem shumë të madh për sektorin energjitik, krijoi problem në raportet me të gjithë donatorët dhe financuesit e sektorit energjitik. Vendimin për mbylljen miqësore të çështjes nuk e morëm thjesht duke u ngritur një mëngjes dhe duke thënë është një gjyq aty a duhet të shkojmë apo jo! Ishte një kërkesë e FMN, Bankës Botërore, Bashkimit Evropian, të gjitha institucioneve që thanë se duhet të zgjidhni sa më shpejt në mënyrë miqësore konfliktin me CEZ në mënyrë që të hapen fondet e investimeve në Shqipëri në sektorin energjitik. Sot që flasim janë 200 milion dollar të kontraktuara dhe pritet edhe një tjetër paketë vetëm në sektorin e shpërndarjes. Kjo erdhi si rezultat i kësaj marrëveshjeje dhe suksesi është tanimë i qartë. Akuzat që hidhen janë trillime, janë spekulime që do të vijë rasti e të sqarohen, edhe pse në fakt janë sqaruar shumë herë. Kjo çështje pas gushtit 2014 ra në gjumë. Edhe atëherë Partia Demokratike thoshte të njëjtat gjëra, tha do ta çoj në Gjykatën Kushtetuese por nuk e çoi! Deklaroi se ka imunitet penal por nuk ka asgjë të tillë pasi marrëveshja është publike dhe le ta çojnë në Gjykatë Kushtetuese për interpretim. Prokuroria po vazhdon hetimet dhe nuk ka asnjë pengesë. Deklaruan se do bëjnë padi penale e do kallëzonin negociatorët por asgjë nuk bënë. Pra, është thjesht një çështje e pastër politike e cila u rihap sepse i interesonte Sali Berishës për të bërë diversion politik.

Pyetje deputeti Ruli: Zoti Ministër, z.Kopac u informua keq apo nuk u informua nga ju kur bëri deklaratë për çështjen e kushtëzimit për statusin kandidat?

Zoti Ruli, ju e pyetët një njeri që e kishit ftuar vet në komision. Ai kishte ardhur për tjetër gjë por jua dha atë përgjigje që jua dha. Tani nuk e kuptoj çfarë kërkoni nga qeveria? Ju doni që ai të instruktohet nga qeveria? Ky do të ishte fundi i institucioneve ndërkombëtare që ato përpara se të flasin me deputetët të merrnin viston e qeverisë. Jo! Këtë ne nuk e bëjmë, mbase ju e bënit por ne jo.

energjia.al  06.10.2015