Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

BB: CEZ, çështje e brendshme

Banka Botërore mbështet aksionin e qeverisë dhe ashpërsimin e sanksioneve, por sipas shefes së zyrës së BB në Tiranë, Tahseen Sayed, kërkohet që “lufta ndaj informalitetit të jetë e qartë dhe e barabartë për të gjithë”. “Është jashtëzakonisht e rëndësishme që çdo masë që merret duhet komunikuar me publikun dhe biznesin gjithashtu. Reforma kundër informalitetit është një reformë kyçe dhe me ndikime mjaft pozitive në ekonomi. Ajo që duhet është një trajtim i barabartë për të gjithë gjatë nismës për futjen e ekonomisë në formalitet. Reformat janë të vështira, sepse preken nga publiku, por masat duhet të jenë të qëndrueshme. Ashpërsimi i masave është një vendim i qeverisë, por tani vëmendje i duhet kushtuar njohjes së masave dhe mbi të gjitha të bëhet kujdes në zbatim”. Kështu u shpreh Tahseen Sayed, gjatë prezantimit të Raportit Ekonomik Rajonal. Ekonomistja e Bankës Botërore, Hilda Shijaku, theksoi se reforma kundër informalitetit përgjatë 2015 pritet të sjellë ulje të konsumit. Ndërsa Sayed tha se qeveria duhet t’i shoqërojë me politika sociale reformat si ajo kundër informalitetit dhe në sektorin e energjisë për mbledhjen e faturave të prapambetura. “Qeveria, sa i përket pjesës së varfër të shoqërisë, duhet t’i japë një mbështetje. Roli i asistencës sociale është mjaft i rëndësishëm, lidhet dhe me impaktin që krijon kjo reformë. Çdo qeveri duhet ta bëjë këtë, që të mundësojë asistencë sociale”. Papunësia, sipas Bankës Botërore, është një tjetër problem i prekshëm për Shqipërinë. Banka Botërore i qëndroi parashikimit për një rritje prej 2.7% gjatë 2015-s. Banka Botërore, e cila ka qenë këshilluese e qeverisë në procesin e privatizimit të kompanisë së shpërndarjes së energjisë, e quan debatin për CEZ-in një çështje të brendshme. “Unë nuk kam asnjë koment zyrtar lidhur me çfarë po diskutohet në vend për çështjen e CEZ-it, pasi është diçka juaja e brendshme. Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar kanë dalë si një garant për të thjeshtuar procesin e privatizimit të sistemit të shpërndarjes së energjisë. Sa i përket bashkëpunimit dhe përfshirjes tonë në këtë proces, mund të them se ne dhamë ndihmën tonë për përgatitjen e kuadrit ligjor, tani debati është shumë i brendshëm. Ne ishim këshillues në procesin e privatizimit, ndaj s’kemi koment për këtë çështje”, deklaroi Tahseen Sayed, drejtuese e zyrës së BB-së në Tiranë.

Gazeta Shqip,  30.09.2015