Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Bushati, takime në kuadër të TAP

Në kuadër të pjesëmarrjes së tij në punimet e Sesionit të 70-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara që po mbahet në Nju Jork, ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, zhvilloi takime dypalëshe me homologët e Katarit, Azerbajxhanit, Irakut dhe Malajzisë. Në takimin me ministrin e Punëve të Jashtme të Katarit, dr. Khaled Bin Mohammed Al Attiyah, dy ministrat u shprehën se ecuria e suksesshme e marrëdhënieve politike duhet të avancohet me realizimin e projekteve konkrete të bashkëpunimit ekonomik. Ata ndanë pikëpamje për thellimin e bashkëpunimit në organizmat ndërkombëtarë dhe u ndalën në zhvillimet më të fundit ndërkombëtare e rajonale, duke shprehur nevojën për bashkërendim të kontributeve në përballimin e sfidave që kërcënojnë stabilitetin dhe paqen. Në takimin me homologun e Republikës së Azerbajxhanit, Elmar Mammadyarov, palët u ndalën në zgjerimin e bashkëpunimit në fushën ekonomike, veçanërisht në sektorin e energjetikës dhe perspektivës që është hapur me realizimin e projektit TAP. Ministri Bushati theksoi se ky projekt ofron një shpërndarje më të ekuilibruar të energjisë dhe burimeve të saj në rajon dhe më gjerë. Ai falënderoi qeverinë azere për mbështetjen e dhënë për TAP-in, si projekti më fizibël dhe me interes për vendin tonë dhe mbarë rajonin e Ballkanit. Gjatë takimit me ministrin e Punëve të Jashtme të Irakut, Ibrahim Al-Jaafari, ministri Bushati i shprehu homologut të tij irakian mbështetjen e qeverisë shqiptare për përpjekjet e qeverisë së Kryeministrit Abadi për pajtim kombëtar dhe për reformat e ndërmarra ne vend. Jaafari vlerësoi kontributin e Shqipërisë, si pjesëtare aktive e Koalicionit Ndërkombëtar kundër Terrorizmit dhe në këtë kuadër evidentoi nevojën e një bashkëpunimi e koordinimi sa më të mirë të përpjekjeve ndërkombëtare në luftën kundër terrorizmit. Në përmbyllje të ditës së parë, Bushati takoi ministrin e Punëve të Jashtme të Malajzisë, Dato’ Sri Anifah Aman, ku Bushati theksoi angazhimin e qeverisë shqiptare në krijimin e lehtësirave të nevojshme për investitorët e huaj.

Gazeta Shqip, 28.09.2015