Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Nafta në kufi, do të paguhet tarifa doganore

Çdo qytetar që transporton naftë në kufi me kontenitorë të lëvizshëm, nëpër makina apo motoçikleta, do të paguajnë tarifën doganore të parashikuar me ligj. Përmes një Urdhri të publikuar në fletoren zyrtare, Këshilli i Ministrave përcakton se do të përjashtohen nga taksat e importit të karburanteve vetëm sasitë e gjendura nëpër serbatorët normalë (me kusht që sasia mos të jetë më e madhe se 200 litra).

“Nuk lejohet përjashtim nga detyrimet e importit për karburantin që mbahet në serbatorë të lëvizshëm, që transportohet nga automjete private dhe motoçikleta që u përkasin banuesve të zonës kufitare”, thekson Urdhri i Qeverisë.

Kush përjashtohet

Sipas Urdhrit, përjashtohet nga detyrimet e importit, karburanti që mbajnë serbatorët e zakonshëm dhe depozitat e posaçme të automjeteve tregtare, vetëm për sasinë deri në 200 litra për automjet dhe për çdo udhëtim.

“Përjashtohet nga detyrimet e importit, karburanti që mbajnë serbatorët e zakonshëm dhe depozitat e posaçme të automjeteve tregtare, që kryejnë transport ndërkombëtar nëpër zonën e tyre
kufitare me thellësi maksimale prej 15 km në vijë ajrore, me kusht që udhëtimet të kryhen nga banues të zonës kufitare, vetëm për sasinë deri në 150 litra për automjet dhe për çdo udhëtim”, saktëson Urdhri.

Në rast të konstatimit nga administrata doganore të tejkalimit të sasive të karburantit sipas përcaktimeve në këtë urdhër, ndaj subjektit /individit zbatohen të gjitha detyrimet e importit, sipas nivelit tarifor të zbatueshëm në datën kur ndodhi mosrespektimi, llojit të mallrave dhe të vlerës doganore të konstatuar ose pranuar prej autoriteteve doganore kompetente në atë datë.

Taksa e shërbimit

Po dje, janë kryer disa ndryshime edhe në Udhëzimin i cili detyron mjetet e huaja të transportit të udhëtarëve me më shumë se 20 persona, ashtu si dhe ato të transportit të mallrave, të paguajnë taksën shërbimit të qarkullimit. “Drejtuesi i mjetit, në momentin e hyrjes në territorin e Republikës së Shqipërisë me automjete me targë të huaj, kryen pagesën e tarifës së përcaktuar sipas pikës 1 të këtij udhëzimi. Kjo pagesë bëhet me mandat arkëtimi.

Dy kopje të mandatarkëtimit i jepen drejtuesit të mjetit, ndërsa kopja e tretë ruhet në degën doganore hyrëse. Drejtuesi i mjetit, një kopje të mandatit e dorëzon në doganën e destinacionit dhe një kopje e mban për vete”, përcakton Udhëzimi.

Niveli i tarifës së shërbimit për qarkullimin e automjeteve të huaja përcaktohet mbi bazë reciprociteti.

“Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës dërgon zyrtarisht në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave tarifat ose taksat që aplikohen nga shtetet e tjera për automjetet shqiptare për të njëjtin lloj shërbimi, brenda datës 20 dhjetor të çdo viti. Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, në bazë të informacionit të dërguar nga Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, sipas pikës 1 të këtij udhëzimi, publikon dhe azhurnon këto tarifa në faqen e saj zyrtare në internet”, përcakton Qeveria.

Shqiptarja.com  22.09.2015