Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

OSHEE, skema të reja lehtësuese

Kompania e Shpërndarjes së Energjisë është duke përgatitur skema të reja lehtësuese për të gjithë konsumatorët, të cilët kanë detyrime të papaguara. Në një intervistë për Vizion Plus, Albana Ferraj, drejtore e arkëtimeve në këtë ndërmarrje, thotë se skemat do të jenë gati në muajin dhjetor, por nuk do të ketë përfitime të mëdha si ajo e cila skadoi në korrik, ku falej 80% e kamatëvonesës.

“Për momentin këto do jetë skemat, në vijim ne po punojmë edhe për skemat e tjera por skemat aq lehtësuese që konsumatori u mësua deri në muaj Korrik nuk do të ketë sepse masa e detyrimeve që kanë konsumatorët është i një kategorie tjetër. Kështu që mendoj se skemat e tjera do të dalin në bazë të analizave të cilat do të kërkonin një kthim të detyrimit brenda një afati kohorë të përcaktuar.”

Që prej nisjes së aksionit në energji, OSHEE ka lidhur gjithsej 335 mijë aktmarrëveshje, ku pjesa dërrmuese e tyre kanë lehtësuar pagesat për konsumatorët familjarë. kompania ka falur në total nga kamatëvonesat 40 milion dollarë për këta konsumatorë.

“Shoqëria ka lidhur rreth 335 mijë aktmarrëveshje për konsumatorët, tërësisht nga këta rreth 325 mijë aktmarrëveshje janë të kategorisë familjarë. Në këtë spektër të aktmarrëveshjeve rreth 200 mijë aktmarrëveshje të konsumatorëve familjarë janë ato që kanë përfituar nga reduktimi i kamatëvonesës në masën 80 %. Në këtë kuadër shuma e përfituar nga reduktimi i kamatëvonesës prej konsumatorëve familjarë është rreth 40 mln dollarë. Këta konsumatorë gjatë kësaj periudhe paguanin vlera monetare që shkonin rreth 78 mln dollar.”

Për momentin Operatori i Shpërndarjes së Energjisë ka në fuqi katër skema, të cilat përcaktojnë këstin në bazë të shumës së debisë, ata të cilët paguajnë direkt të gjithë vlerën e prapambetur përfitojnë zbritje me 50% të kamatëvonesës. Aktualisht janë 130 mijë abonentë familjarë që nuk kanë shlyer detyrimet, ku 50 mijë prej tyre janë në këtë listë pasi nuk kanë paguar në kohë këstin e aktmarrëveshjes.

Vizion Plus,  21.09.2015