Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Tregtarët kërkojnë uljen e taksës së naftës

Ministri i transportit Edmond Haxhinasto ka lajmëruar se me datën 15 tetor do të përzgjidhet fituesi për koncesionin e rrugës së Kombit, ku pagesa për çdo automjet do të jetë 5 euro pa TVSH. Teksa afati për pagesën po afron, grosistët e karburanteve kanë kujtuar se qeveria me dhënien e rrugës së Kombit me koncesion duhet të çlirojë naftën nga taksa e qarkullimit.

Rreth 6 vite me parë qeveria zhvendosi vjeljen e taksës së qarkullimit, e cila ka për qëllim mirëmbajtjen e rrugëve, nga koaldimi tek nafta. Marrja tek nafta e këtij tatimi shihet më e logjikshme, pasi ai që qarkullon më shumë, harxhon më shumë naftë e për pasojë paguan më shumë taksa. Por Luigj Aliaj, i Shoqatës së Shoqërive të Hidrokarbureve pohon se, nëse një pjesë e rrugëve jepen me koncesion, për të cilat aktualisht qeveria shpenzon vlera të mëdha monetare, duhet të lehtësojë natën nga taksimi.

Aktualisht taksa e qarkullimit mbi naftën është 27 lekë për litër. Në janar të vitit 2011, qeveria Berisha e zhvendosi taksën e qarkullimit nga makinat tek nafta. Fillimisht ajo u përcaktua 5 lekë për litër. Por më vonë kjo taksë u rrit dy herë nga qeveria Rama duke e çuar atë në 27 lekë për një litër naftë. Kjo ngarkesë fiskale është bërë shkaku kryesor se pse Shqipëria mban nivelet më të larta të karburanteve në rajon.

“Nëse Qeveria në tetor jep me koncesion rrugën e Kombit, kundrejt tarifës 5 euro pa TVSH, detyrimisht duhet që nga 1 janari 2016 të ulet taksa e qarkullimit tek nafta” tha Aliaj.

Faza e parë e tenderit për koncesionin e rrugës së Kombit ka përfunduar. Janë katër kompani në garë dhe me 15 tetor do të shpallët fituesi i menaxhimit dhe ndërtimit të përfundimit të Rrugës së Kombit, ka pohuar Haxhinasto. Llogaritja është bërë 5 euro për të kaluar rrugën, përfshirë edhe TVSH, që është më e ulët sesa mesatarja rajonale për tarifa të ngjashme. Elementi dallues në këtë garë do jetë kompania që do të ofrojë kërkesën për subvencion më të ulët nga ana e shtetit, pra që angazhimi i shtetit të jetë më i vogël. Katër kompanitë që marrin pjesë janë të huaja por që janë të lidhura edhe me nënkontraktorë shqiptarë. Kompania fituese parashikohet të investojë 38-43 milion dollarë për përfundimin e plotë të rrugës.

Nëpërmjet investimit do të bëhet ura e re e Kukësit, të rregullohet një pjesë e rëndësishme skarpatesh gjatë gjithë gjatësisë së rrugës, po kështu tuneli në dalje të urës së Kukësit dhe disa elementë të rrugës.

Revista Monitor,  14.09.2015