Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Fondet e BE, Shqipëria i fiton për energjinë

Shqipëria në Samitin e Vjenës ka përfituar vetëm për projektet e rrjetit energjetik për Ballkanin Perëndimor. Në faqen zyrtare të Ministrisë së Ekonomisë së qeverisë austriake është dhënë në detaje mënyra e shpenzimit të shifrave të 600 milionë eurove, ku pjesën më të madhe të fondit e ka përfituar Serbia, e më pas shtetet e tjera. “Torta” e ndarjes së fondeve të BE-së në Samitin e Vjenës duket se e ka lënë të pakënaqur Shqipërinë, e cila pret që të përfitojë më shumë euro në vitin e ardhshëm nga investimet që do të realizohen në infrastrukturë. Ndërsa nga të dhënat zyrtare të publikuara në faqen e Ministrisë së Ekonomisë së Austrisë, Shqipëria nuk përfiton nga projektet hekurudhore për Ballkanin Perëndimor. Gjashtë ministrat e Ekonomisë për Ballkanin Perëndimor gjatë punimeve të Samitit të Vjenës kanë paraqitur 24 projekte investimesh me vlerë 7.7 miliardë euro. Edhe pse vetëm një pjesë e tyre u arrit që të përfitonte mbështetje financiare, bëhet e ditur se këto projekte do të jenë pjesë e diskutimit të samitit të ardhshëm, për të cilën BE-ja ka parashikuar ta mbajë në Francë gjatë 2016-s. Sipas dokumentit zyrtar, vetëm 1 miliard euro do të jepen nga Komisioni Europian, si pjesë e fondit IPA II për shtetet e Ballkanit, pjesa tjetër do të sigurohet nga institucionet e tjera financiare të BE-së, siç është dhe Banka Europiane e Investimeve. Nga 600 milionë euro të akorduara në Samitin e Vjenës, do të jepen për 10 projektet e ndryshme të miratuara me konsensus mes vendeve anëtare.

Shpërndarja

Nga 600 milionë euro të dhëna nga BE-ja për vendet e Ballkanit Perëndimor, parashikojnë pikërisht mbështetjen në investime për projektet energjetike, ato infrastrukturore, si dhe hekurudhore. Edhe pse vendi ynë përfitoi ndihmën financiare më të vogël në rajon për çështjen e migracionit dhe menaxhimit të kufijve në Ballkan, duket se BE-ja nuk është treguar aq zemërgjerë edhe në mbështetje për investime në fusha të tjera, ku delegacioni shqiptar në Vjenë kërkoi mbështetje financiare për projekte konkrete. Konkretisht në projektet për energjinë që u paraqitën nga ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj, vendi ynë arriti që përfitonte vetëm shumën e 26 milionë eurove për interkonjeksionin mes vendit tonë dhe Maqedonisë. Ndërkohë që mbështetjen financiare më të madhe në rajon në lidhje me projektet në këtë fushë e ka marrë Mali i Zi për korridorin TransBallkanik të energjisë, ku nga grandet e dhëna prej BE-së ka marrë 31.6 milionë euro. Ndërkohë që mbështetje në këtë samit kanë marrë edhe dy projekte të rëndësishme infrastrukturore, siç është ai i ndërtimit të autostradës Adriatiko-Joniane, apo siç quhet ndryshe “Korridori i kaltër” që vjen nga Kroacia, zbret në Malin e Zi dhe Shqipëri, duke përshkuar të gjithë vijën rrugore pranë bregdetit, duke shkuar më tej në Greqi, si dhe ai për ndërtimin e autostradës Durrës – Prishtinë – Nish. Kjo autostradë, përveçse do të lidhë të tria vendet me një rrugë të përbashkët, do të mundësojë edhe daljen e Serbisë në detin Adriatik nëpërmjet Shqipërisë. Fondet do të bëhen publike në samitin e ardhshëm të Francës. Ndërkohë që nga fondet IPA, një shumë të konsiderueshme e ka marrë Serbia, pikërisht për dy projekte, atë të rrjetit hekurudhor që do të lidhë Serbinë me Maqedoninë, si dhe atë të ndërtimit të terminalit Intermodal me vlerën e 62.5 milionë eurove. Projektet e rrugëve mësohet se do të jenë pjesë e rrjetit europian të transporteve, pra që do të mirëmbahen nga BE-ja.

Fondet për emigracionin

Shqipëria është vendi me mbështetjen më të vogël financiare nga Bashkimi Europian për sa i përket emigracionit dhe menaxhimit të kufijve. Komisioni Europian ka publikuar më 27 gusht, një dokument në lidhje me përfitimin e fondeve financiare për secilin vend të Ballkanit në kuadrin e fondeve IPA për çështjen e emigracionit në perspektivën financiare 2007 – 2013 dhe 2014 – 2020. Kështu, 4.5 milionë euro është fondi për Shqipërinë, duke u radhitur në vendin e fundit të përfituesve të fondit, madje edhe Kosova ka përfituar më shumë se vendi ynë. Nga ky fond ka përfituar edhe Kosova, 7,1 milionë euro, prej të cilave 2,5 milionë parashikohen për vitin e ardhshëm. Sipas dokumentit, Serbia ka përfituar 54 milionë euro në tërësi për çështjet e migrimit, ku 45 milionë që prej vitit 2007, i janë shtuar edhe 8,2 milionë të tjera, që do të përdoren vitin e ardhshëm për aftësitë pritëse për emigrantët, për zbatimin e reformës së azilit dhe sistemin e mbikëqyrjes së kufijve, infrastrukture etj. Ndërkohë që Maqedonia ka përfituar në tërësi 24 milionë euro, prej të cilave 12 milionë euro nga IPA II janë parashikuar të jepen për vitin e ardhshëm për rinovimin e postave kufitare të policisë, menaxhimin e trafikut të qenieve njerëzore dhe në forcimin e kapaciteteve për menaxhimin e kufijve, ndërsa Mali i Zi ka përfituar 22,6 milionë euro nga IPA II, prej të cilave 2,63 milionë të parashikuara për periudhën 2018 – 2020. Bosnja ka përfituar 10,5 milionë euro, prej të cilave 2 milionë euro për 2015, për ndërtimin e një objekti pritës për emigrantët dhe mbështetje për policinë kufitare, ndërsa Turqia ka përfituar një fond prej 469 milionë eurosh. Pjesa më e madhe e fondit do të shkojë për menaxhimin e integruar të kufirit me një fokus në kufijtë tokësorë dhe kufijtë detarë, ndërtimin e qendrave të pritjes së azilkërkuesve, mbështetje për antitrafikun e qenieve njerëzore.

Projektet në energji

Shqipëria: Interkonjeksioni WBIF CF 1001 Shqipëri – Maqedoni 14 milionë euro

Interkonjeksioni II Shqipëri – Maqedoni: 12 milionë euro

Mal i Zi: TransBalkan Electricity Corridor: 25 milionë euro

Mali i Zi: Serbia TransBalkan Electricity Corridor: 6.6 milionë euro

Projektet në transport

Bosnjë-Hercegovina: 22 milionë euro korridori i Mesdheut Bosnjë-Hercegovinë – Kroaci

Bosnjë-Hercegovina: 6.8 mln euro. Pjesë e korridorit të Mesdheut Bosnjë-Hercegovina dhe Kroaci

Kosova: 38.54 mln euro për lidhjen hekurudhore Maqedoni – Kosovë – Serbi

Mal i Zi: 20 mln euro për lidhjen hekurudhore Mal i Zi – Serbi.

Fondet IPA: 62.5 milionë euro ka përfituar Serbia pikërisht për lidhjen hekurudhore me Maqedoninë 47 mln euro, si dhe shumën tjetër 13.8 mln euro për ngritjen e terminalit intermodal

Gazeta Shqip, 03.09.2015