Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Nafta e lirë dhe rritja ekonomike botërore

Luhatjet e dhunshme të çmimeve të naftës po destabilizojnë ekonomitë dhe tregjet financiare në të gjithë botën. Kur çmimet e naftës u përgjysmuan vitin e kaluar, nga 110 dollarë për fuçi në 55 dollarë, shkaku qe i dukshëm: Vendimi i Arabisë Saudite për të rritje pjesën e vet në tregun botëror të naftës duke shtuar prodhimin. Por, rënia e mëtejshme e çmimeve të naftës gjatë javëve të fundit – ku çmimet ranë në atë nivel që nuk qe parë që nga kriza financiare botërore e vitit 2008 – si do të prekë ekonominë botërore sot?

Shpjegimi bazë është që kërkesa e dobët kineze ka sjellë uljen e çmimit të naftës dhe kjo shihet gjerësisht si paralajmërues i recesionit, qoftë në Kinë, qoftë në ekonominë botërore në tërësi. Por kjo është tërësisht e gabuar, edhe pse duket sikur konfirmohen nga korrelacioni i lartë mes çmimeve të naftës dhe çmimeve të aseteve, të cilat gjithashtu kanë rënë në nivele të papara që nga viti 2009, jo vetëm në Kinë por edhe në Europë dhe në shumicën e ekonomive në zhvillim.

Rëndësia e çmimeve të naftës si paralajmëruese të gjendjes ekonomike është me të vërtetë mbresëlënëse, por vetëm si një indikator i kundërt. Rënia e çmimeve të naftës nuk ka paraprirë kurrë në tërësi një fazë rënieje ekonomike. Në rastet e fundit, kur çmimet e naftës janë përgjysmuar, siç ndodhi në vitet 1982-1983, 1985-1986, 1992-1992, 1997-1998 dhe 2001-2002 – ekonomia botërore përjetoi rritje më të shpejtë në vitet që pasuan.

Përkundrazi, çdo recesion botëror përgjatë 50 viteve të fundit është paraprirë nga një rritje e shpejtë dhe e fortë e çmimeve të naftës. Rasti i fundit, çmimi i naftës pothuajse u trefishua nga 50 në 140 dollarë për fuçi në vitin para krizës së vitit 2008; pastaj ra sërish në 40 dollarë në gjashtë muajt para rimëkëmbjes ekonomike që filloi në prill 2009.

Një konkluzion i rëndësishëm për vendet prodhuese të lëndëve të para është që çmimet industriale të metaleve, të cilat janë treguesit kryesorë të aktivitetit ekonomik, mundet me të vërtetë të rriten pas rënies së çmimit të naftës. Për shembull, më 1986-87, çmimet e metaleve u dyfishuan një vit pasi çmimet e naftës u përgjysmuan.

Një mekanizëm shumë i fuqishëm ekonomik përcakton korrelacionin në krah të kundërt mes çmimeve të naftës dhe rritjes botërore. Për shkak se bota djeg 34 miliardë fuçi naftë çdo vit, një rënie prej 10 dollarësh për fuçi zhvendos 340 miliardë dollarë nga vendet prodhuese të naftës te konsumatorët. Kështu, rënie me 60 dollarë për fuçi e shënuar që nga gushti i kaluar, do t’i kursejë konsumatorëve më shumë se 2 trilionë dollarë në vit, duke dhënë një rritje të madhe të të ardhurave, rritje që është edhe më e madhe se sa stimuli fiskal i SHBA-së dhe Kinës i vitit 2009 të marra sëbashku.

Për shkak se konsumatorët e naftës zakonisht i shpenzojnë paratë e kursyera shumë shpejt, ndërsa qeveritë (të cilat mbledhin pjesën më të madhe të të ardhurave nga shitja e naftës) zakonisht i mbajnë shpenzimet publike të larta duke marrë hua apo duke përdorur rezervat, efekti neto i çmimeve më të ulëta të naftës ka qenë gjithmonë pozitiv për rritjen globale. Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, rënia e çmimeve të naftës këtë vit pritet të rrisë Prodhimin Botëror Bruto me 0.5-1% për qind, përfshirë shpejtimin e rritjes me 0.3-0.4 për qind në Europë, 1 deri në 1.2 për qind në SHBA dhe 1-2 për qind në Kinë.

Por nëse rritja ka gjasa të përshpejtohet vitin e ardhshëm në vendet importuese neto të naftës si Kina, çfarë e shpjegon rënien e çmimeve? Përgjigjja nuk gjendet te ekonomia e Kinës dhe te kërkesa për naftë por te gjeopolitika e Lindjes së Mesme dhe oferta për naftë.
Ndërsa politikat saudite të prodhimit qenë faktori që solli përgjysmimin e çmimeve të naftës vitin e kaluar, rënia e fundit nisi më 6 korrik, pra pak ditë pas arritjes së marrëveshjes për heqjen e sanksioneve ndërkombëtare me Iranin. Marrëveshja me Iranin për programin bërthamor të vendit hodhi poshtë supozimin e përgjithshëm por naiv që thotë se gjeopolitika mund t’i ndryshojë çmimet e naftës vetëm në një drejtim. Tregtarët papritur kuptuan se ngjarjet gjeopolitike mund të sjellin edhe rritje të furnizimit me naftë dhe jo vetëm ulje – dhe që ngjarje të tjera gjeopolitike të cilat mund të rrisin ofertën për naftë pritet të ndodhin së shpejti.

Kushtet në Libi, Rusi, Venezuelë dhe Nigeri janë sakaq shumë keq sa prodhimi i tyre i naftës vështirë se mund të zbresë më poshtë. Përkundrazi, ndërsa kaq shumë rajone naftëprodhuese të botës janë në kaos politik, çdo shenjë stabilizimi mund të rrisë menjëherë prodhimin e naftës. Kjo është ajo që ndodhi në Irak vitin e kaluar dhe që po ndodh tani në Iran duke e çuar prodhimin në nivele edhe më të larta.

Sapo të hiqen sanksionet, Irani pret të dyfishojë eksportet e naftës pothuajse menjëherë në dy milionë fuçi në ditë dhe pastaj t’i dyfishojë eksportet edhe përtej këtij niveli deri në fund të dekadës. Për ta bërë këtë, Irani duhet të rrisë prodhimin total të vetin (i cili përfshin edhe konsumin vendës) në gjashtë milionë fuçi në ditë, kuotë kjo pothuajse e barabartë me prodhimin e saj më të lartë të shënuar në vitet 1970. Duke marrë parasysh përparimet e jashtëzakonshme në teknologjinë e nxjerrjes së naftës që kanë ndodhur që nga vitet 1970 si dhe përmasat e jashtëzakonshme të rezervave të naftës në Iran (Irani ka rezervën e katërt më të madhe të botës pas Arabisë Saudite, Rusisë dhe Venezuelës), rikthimi te nivelet e prodhimit të 40 viteve më parë duket se është një objektiv shumë lehtë i arritshëm.

Për të gjetur blerës për këtë naftë shtesë, e cila është e barabartë me prodhimin shtesë të krijuar nga revolucioni i naftës argjilore në SHBA, Irani do të duhet të konkurrojë ashpër jo vetëm me Arabinë Saudite, por edhe me Irakun, Kazakistanin, Rusinë dhe vende të tjera që kanë prodhim me kosto të ulët. Të gjitha këto vende janë gjithashtu të vendosura të rikthejnë prodhimin e tyre në nivelet e mëparshme të larta dhe pritet të jenë në gjendje të prodhojnë më shumë naftë nga sa patën prodhuar në vitet 1970 dhe 1980, duke shfrytëzuar teknologjitë e reja të prodhimit të zhvilluara në SHBA.

Në këtë mjedis tërësisht të ri dhe shumë konkurrues, nafta pritet të tregtohet njësoj si të gjitha mallrat e tjera, ku monopoli saudit do të jetë thyer dhe ku prodhimi në Amerikën e Veriut do të bazohet në perspektivën e një çmimi nafte jo më të lartë se 50 dollarë për fuçi.

Pra, nëse dëshironi të kuptoni rënien e çmimit të naftës, harrojeni shpjegimin e dhënë përmes rënies së konsumit në Kinë dhe përqendrohuni te prodhimi në Lindjen e Mesme. Nëse doni të kuptoni ekonominë e botës, harrojini tregjet e aksioneve dhe përqendrohuni te fakti që nafta e lirë ka qenë gjithmonë e mirë për rritjen botërore.

Reporter, 01.09.2015