Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Nis rënia e çmimeve të naftës

Aksioni i qeverisë që pritet të nisë në shtator i ka trembur tregtarët vendas të naftës, të cilët prej tri ditësh po reflektojnë një ulje të lehtë të çmimeve që arrin deri në 10 lekë. Në pikat e shitjes me pakicë, një litër nafte shitet me 174 lekë, nga 184 lekë më parë, dhe benzina me 176 lekë, nga 185 lekë më parë. Por në disa pika të tjera ka edhe çmime më të ulëta që bien deri në 173 lekë për litër gazoil. Ndërsa tek operatorë të tjerë që lëvizin me ngadalësi, nafta është nën 180 lekë për litër. Por, këto ulje nuk i bëjnë punë as një lypësi. Nga qershori deri tani, nafta në bursë ka rënë të paktën 30%, ndërsa në Shqipëri tregtohet në nivele të larta historike. Tregtarët e justifikojnë këtë situatë me blerje të shtrenjta të kryera në muajin maj, kur nafta u ngrit në 69 dollarë për fuçi, dhe tani po ulen çmimet se mbaroi shitja e kësaj “ngarkese” të shtrenjtë. Por, kjo mund të lidhet edhe me rënien e kërkesës për shkak të largimit të emigrantëve që përdorin makinat e tyre personale gjatë pushimeve në Shqipëri. Një faktor tjetër, që i pengon importuesit të ulin çmimet, është forcimi i dollarit ndaj lekut, një proces që ka nisur që në fund të vitit të kaluar.

Çmimi në bursë

Në bursat ndërkombëtare, nafta zbriti të premten e kaluar deri në 46 USD për fuçi, si rrjedhojë e shqetësimeve për ekonominë kineze, konsumatori më i madh i naftës në botë. Ndërkohë, çmimet e naftës në Azi ranë të hënën më shumë se 6 për qind brenda ditës. Dje, treguesi për naftën e papërpunuar amerikane, WTI, arriti në 38.73 dollarë për fuçi, ndërsa nafta e papërpunuar europiane, Brent, u shit me 43.03 dollarë për fuçi, me një rritje të lehtë në krahasim me një ditë më parë. Ky është nivelit më i ulët i 6 viteve të fundit duke thyer rekordin e janarit kur çmimi arriti pikën e ulët 45.19 dollarë për fuçi.

Parashikimet e FMN-së

Parashikimet e tregjeve të naftës, sipas raportit të FMN në muajin qershor 2015, tregojnë se rritja e çmimeve deri në vitin e ardhshëm do të jetë modeste. Megjithatë, theksonte raporti, ka ende pasiguri të konsiderueshme për shkak të rreziqeve gjeopolitike në vendet prodhuese të naftës, nga ndrydhja e kërkesës agregate, si dhe rritja e qëndrueshme e prodhimit të naftës. Çmimet e benzinës pritet që të bien më poshtë për shkak të rënies së kërkesës gjatë muajve të dimrit dhe pritet të vazhdojnë kështu deri në verën e ardhshme. Ndërkaq, në SHBA çmimet e gazit natyror pritet të rriten gjatë dimrit që vjen, duke reflektuar prirjen sezonale. Duke analizuar risqet, FMN parashikon se gjasat janë që për një fuçi çmimet e naftës të bien nën 40 dollarë amerikanë në 12 muajt e ardhshëm. Në qershor 2015, çmimi i naftës së papërpunuar në bursat ndërkombëtare ra me 8% në bazë vjetore, dhe rreth 3 pikë përqindjeje më e ulët se në muajin maj 2015. Kjo sinjalizoi një ndryshim në rënie dhe pasiguri të çmimeve, që u vërtetua në dy muajt e fundit.

“Fuel price in Europe”

Shqipëria, mes 18 vendeve më të shtrenjta

Shqipëria hyn në grupin e 18 vendeve europiane që e tregtojnë më shtrenjtë benzinën dhe gazoilin, sipas të dhënave të indeksit “Fuel price in Europe” për muajin gusht 2015. Çmimi i gazoilit sipas këtij indeksi është fiksuar në 1.32 euro për litër dhe i benzinës 132 euro për litër. Çmimi i gazolit në tregun shqiptar është i barabartë me vlerën e shitjes në Islandë. Gazoili është më shtrenjtë se në tregun shqiptar në Itali, ku është 1,51 euro për litër, në Maltë 1.36 euro, në Norvegji 1.46 euro, Suedi 1.36 euro, Zvicër 1.41 euro dhe më e shtrenjta është Britania e Madhe, me 154 euro për litër. Më lirë në të gjithë Europën, gazoili shitet në Rusi, ku çmimi është 0.48 euro për litër. Nga vendet e rajonit, Serbia e ka çmimin e gazoilit 1.21 euro, Rumania 1.17 euro, Mali i Zi 1.09 euro, Maqedonia 0.83 euro, Greqia, 1.19 euro, Turqia 1.19 euro, Kroacia 1.14 euro. Ndërsa, më shtrenjtë se në Shqipëri, benzina shitet në Danimarkë, 147 euro, Belgjikë 1.45 euro, Finlandë 1.5 euro, Qipro 1.34 euro, Francë 1.38 euro, Gjermani 1.42 euro, Greqi 1.53 euro, Islandë 1.46 euro, Irlandë 1.42 euro, Itali 1.65 euro, Holandë 1.67 euro, Norvegjia 1.66 euro, Portugali 1.49 euro, Sllovaki 1.37 euro, Zvicër, Suedi dhe Turqi me 1.44 euro. Sipas shpjegimeve publike të ditëve të fundit të bëra nga ministri i Financave, Cani, dhe Kryeministri Rama, çmimet e naftës në Shqipëri janë më të shtrenjta se vendet e rajonit për shkak të sistemeve të ndryshme të taksimit. Vendi ynë vendos taksë qarkullimi të lartë mbi naftën, vende të tjera vendosin taksë të lartë mbi banesën.

6-mujori

Prodhimi i naftës, në një nivel me vitin e kaluar

Prodhimi i naftës bruto për 6-mujorin e parë raportohet në të njëjtin nivel vitin e kaluar. Sipas të dhënave të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, prodhimi i naftës arriti në 649,802 tonë në fund të qershorit 2015. Në vitin 2014, nafta bruto e prodhuar në vend arriti në 1.3 milionë tonë. Megjithëse në nivele të papërfillshme, edhe prodhimi i gazit natyror nuk ka pasur rënie. Rreth 88% e prodhimit të naftës është prodhuar në vendburimin e Patos Marinëz, ndërsa Albpetrol nxjerr 3.5% të totalit ose 23,166 tonë. Sipas agjencisë, janë 5 kompani të huaja që kanë marrëveshje hidrokarbure dhe janë aktive në prodhimin e naftës.

Gazeta Shqip,  26.08.2015