Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Termokos dështon në zgjerimin e rrjetit

Banorët e kryeqytetit të cilët jetojnë nëpër lagjet e reja ku janë ndërtuar objekte të larta, edhe ketë vit sezonin dimrit do ta kalojnë pa ngrohje nga Termokosi.

Kjo pasi që ndërmarrja që ngrohë banoret e Prishtinës me ngrohje si duket është në gjumë sa i përket zgjerimit të rrjetit ngrohës.

Zyrtarët e Termokosit kanë thënë se kanë kërkesa për zgjerimin e rrjetit ngrohës por që në terren ende nuk kanë filluar të punojnë kur dihet se sezoni i ngrohjes fillon më 15 nëntor.

Zëdhënësja e Termokosit, Afërdita Uka, ka thënë për Telegrafin se aktualisht Termokos furnizon me ngrohje 12700 konsumatorë.

Sipas saj, planet e kompanisë janë që të shkohet me shtimin e numrit të konsumatorëve dhe me zgjerimin e rrjetit.

“Zgjerimi i rrjetit në lagje të reja parashihet të bëhet në fazën e tretë të Projektit të kogjenerimit, që do të zhvillohet nga viti 2016 e tutje. Rrjeti i ngrohjes nga Termokos është i shtrirë në një pjesë të lagjes ‘Mati1’, në të cilën lagje përkatësisht nën rrugën B, janë vendosur gypat mbrojtës të cilët do të mundësojnë depërtimin e gypave të ngrohjes në kohën kur do të paraqitet nevoja për zgjerimin e rrjetit të ngrohjes edhe për atë pjesë të qytetit. Në planet që ka ‘Termokos’ për zgjerim të rrjetit të ngrohjes është edhe lagjja ‘Kalabria’, ku tashmë ka ndërtesa që janë të kyçura në rrjetin e ngrohjes, ndërkohë që ka kërkesa edhe për kyçjen e objekteve të reja kolektive”, ka treguar zëdhënësja Uka.

Kurse për lagjen “Arbëria”, paraprakisht duhet të bëhen studime fizibiliteti për të parë sipas saj, se banorët nga kjo lagje mund të konsiderohen konsumatorë potencial.

“Planet për zgjerim të rrjetit ‘Termokos’, koordinohen me të gjitha institucionet relevante dhe donatorët”, ka thënë zëdhënësja Aferdita Uka.

Sipas saj, në krahasim me ngrohjen me mazut ngrohja me kogjenerim ka dal të jetë me kosto më të ulët.

“Përveç realizimit të Projektit të kogjenerimit, si rezultat i të cilit në sezonin e fundit ngrohës 2014-2015 janë furnizuar me ngrohje të pandërprerë dhe shumë cilësore gjithë konsumatorët tanë, në këtë sezon ngrohëse ‘Termokos’ hyn më i përgatitur se çdo sezon tjetër më parë. Kjo, për shkak se, pas përmbylljes së sezonit së fundit ngrohës, jemi kyçur edhe me bllokun 2 të TC Kosova B, gjë që rritë sigurinë e operimit nëpërmes kogjenerimit”, tha Uka.

Kurse sa i përket tarifave të ngrohjes ato caktohen nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZERRE).

“Gjatë vitit 2015 janë inkasuar afër 3 milionë euro apo mbi 80 për qind e faturimit prej 3.55 milionë euro”, ka bërë të ditur ajo.

Ndërkaq në Komunën e Prishtinës kanë thënë se janë duke punuar që rrjeti të shtrihet vitin tjetër edhe në lagje të reja.

Zgjerimi i rrjetit sipas tyre, pritet të bëhet me buxhet komunal dhe donacione.

“Pas kryerjes së fazës së parë, lidhjes me Termocentralet ‘Kosova A’ dhe ‘Kosova B’, në proces është riparimi i nënstacioneve, i cili po financohet nga KFW gjerman, ndërkaq për vitin tjetër jemi duke planifikuar që edhe me ndihmë nga donatorët e pjesërisht me buxhet komunal të bëhet zgjerimi i rrjetit të ngrohjes nga Termokosi, në 130 mijë MW energji termike, që do të jetë e mjaftueshme për 60 mijë banorë . Zonat që do të përfitojnë, përveç banesave ku ekzistojnë gypat, por ka nevojë vetëm për kyçje individuale janë edhe Mati dhe Kalabria”, është thënë në përgjigjet nga Zyra për Marrëdhënie me Media në Komunën e Prishtinës.

Telegrafi,  24.08.2015