Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Obama prezanton rregulloret për energji të pastër

Presidenti Barak Obama ka bërë një apel tjetër urgjent për masa kundër ngrohjes globale. Presidenti prezantoi dje rregullore të reja me synimin për të reduktuar çlirimin e gazit karbonit nga centralet energjetike të vendit:

Plani për Energji të Pastër që prezantoi Presidenti Obama do të pakësonte vartësinë tek energjia elektrike e prodhuar nga qymyrguri dhe do të nxiste më tej prodhimin e energjisë nga burime të ripërtëritshme.

Në bazë të planit, deri në vitin 2030 centralet energjetike do të pakësonin çlirimin e gazit karbonik 32% nën nivelet e vitit 2005. Plani redukton gazet ndotëse rreth 9% më shumë se një plan paraprak që u diskutua vjet.

Në komentet në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Obama tha se nuk mbetet shumë kohë për të marrë masa kundër ndryshimeve klimatike:

“Ne jemi brezi i parë që ndjejmë pasojat e ndryshimeve klimatike dhe brezi i fundit që mund të bëjmë diçka kundër këtij fenomeni. Kemi vetëm këtë planet për të banuar, nuk kemi alternativë tjetër”.

Në bazë të planit të presidentit, secili shtet është përgjegjës të hartojë plane individuale për të përmbushur objektivat.

Guvernatori i Uiskonsinit Scott Walker, kandidat për zgjedhjet presidenciale, e kritikoi mbrëmë planin në një forum në Nju Hempshër.

“Nuk është Plani për Energji të Pastër, është Plani për Energji të Shtrenjtë. Do të godasë rëndë ekonominë e vendit. Shtete si Uiskonsini do të shkatërroheshin nga ky plan”.

Plani pritet të hasë në kundërshtime të forta nga kompanitë energjetike dhe Kongresi republikan, të cilët kanë ngritur argumenta lidhur me konston e reformave dhe ndikimin tek konsumatori.

Presidenti Obama u është përgjigjur kritikave duke thënë se nga ky plan famljet amerikane do të kursejnë në faturat e energjisë mesatarisht 85 dollarë në vit deri në vitin 2030.

Zëri i Amerikës, 04.08.2015