Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Reforma në energji, ministri takon zyrtarët amerikanë

Ministri i Energjisë dhe Industrisë Z.Damian Gjiknuri priti sot në takim një delegacion nga Departamenti Amerikan i Shtetit, kryesuar nga Zj. Alina L.Romanowski, koordinatore e ndihmës amerikane për Europën dhe Euroazinë dhe Zj. Christine Tefft, shefja e programit për Europën në të njëjtin departament. Në bisedime ishte i pranishëm edhe drejtori i Programit USAID-it në Shqipëri.

Ministri Gjiknuri informoi delegacionin amerikan për reformat e ndërmarra në sektorin energjitik në Shqipëri duke nisur nga zgjidhja e konfliktit mbi statusin ligjor të kompanisë së shpërndarjes deri tek përmirësimi i likuiditetit në sektor duke rikthyer ligjshmërinë në konsumin e energjisë elektrike.

Për herë të parë, insistoi Z.Gjiknuri, është arritur të reduktohet ndjeshëm nevoja për garanci financiare nga qeveria për sektorin energjitik.

Duke ju referuar reformave ligjore, Z.Gjiknuri u ndal tek ligji i ri për Sektorin e Energjisë Elektrike në përputhje me Direktivat e Bashkimit Europian, ndryshimi i politikave tarifore. Masat e marra, tha Z.Gjiknuri kanë bërë të mundur që të rritet likuiditeti në sektor, të kryhen pagesat e prapambetura për prodhuesit privatë të energjisë dhe të fillojë një fazë investimesh aq shumë të nevojshme.

“Me shumë rëndësi është fakti se vihet re rikthimi i besimit të institucioneve financiare në sektor, ku përveç Bankës Botërore janë të interesuara tanimë edhe Bankat e Nivelit të Dytë”, theksoi ministri.

Z.Gjiknuri tha se po punohet intensivisht edhe në sektorin e gazit me synim diversifikimin e burimeve të energjisë. Në këtë linjë, ai u ndal tek projekti i gazsjellësit TAP si një projekt me rëndësi strategjike për Shqipërinë dhe Rajonin. Ministri tha se Shqipëria po angazhohet për kryerjen e Master Planit të Gazit dhe më tej gazifikimin e vendit.

Nga zyrtarët amerikanë u theksua progresi i bërë në kuadër të reformave,  si dhe nevoja e rritjes së sigurisë energjitike në Shqipëri dhe Rajon. Nga ana e tyre, u nënvizua nevoja e nxitjes së energjive të rinovueshme, veçanërisht atyre diellore.

Z. Gjiknuri vlerësoi rolin aktiv të USAID-it në sektorin energjitik përmes projekteve pilot, kryesisht në sektorin e Shpërndarjes.

“Ka nevojë për rritje të prezencës së investimeve dhe asistencës amerikane në Shqipëri, për rritjen e kapaciteteve njerëzore dhe ekspertizës, duke konsoliduar eksperiencat e kaluara pozitive”, u shpreh Z.Gjiknuri.

energjia.al  14.07.2015