Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Çmimi i naftës dhe sanksionet ndaj Iranit

Çmimet e naftës u ulën dhe më pas shënuan rritje në tregjet globale, ndërsa tregtarët e naftës po analizojnë ndikimin e mundshëm të rihyrjes në tregjet botërore të naftës iraniane, deri tani e bllokuar nga sanksionet ndërkombëtare.

Çmimi i naftës u ul fillimisht me 2,3     për qind në orët pas shpalljes së marrëveshjes me Iranin, por më pas shënoi një ngritje të lehtë, duke arritur në 52,88 dollarë për fuçi.

Eksportet e naftës iraniane janë prekur rëndë nga sanksionet e vitit 2012 të vendosura nga OKB-ja, SHBA dhe fuqitë e tjera perëndimore, për t’i bërë trysni Iranit të ulej në bisedime për programin e tij bërthamor. Pas marrëveshjes së 14 korrikut, sanksionet pritet të hiqen gradualisht, në se inspektorët ndërkombëtarë arrijnë në përfundimin se Irani po e respekton marrëveshjen.

Në se kjo ndodh, brenda disa muajsh, qindra mijëra fuçi nafte iraniane në ditë do t’u shtoheshin tregjeve botërore, gjë që pritet t’i mbajë çmimet e naftës në kuotat e tanishme, ose t’i ulë edhe më tej.

Irani, vendi i katërt në botë për nga rezervat e naftës, ka prodhuar këtë vit mesatarisht 2.8 milionë fuçi nafte në ditë. Ministri i Naftës Bijan Namdar Zanganeh tha se me t’u hequr sanksionet, Teherani mund të dërgojë 500 mijë fuçi nafte ekstra në ditë për tregjet botërore, që edhe ashtu janë të mbushura me naftë dhe pas 6 muajsh edhe 500 mijë fuçi të tjera në ditë.

Gjigandi britanik i naftës, BP vlerëson se rezervat e naftës së Iranit janë afërsisht 158 miliardë fuçi, të mjaftueshme për të furnizuar Kinën, një konsumator i madh nafte, për 40 vjet.

Një prej avokatëve që është marrë me sanksionet, Sarosh Zaiwalla, i tha agjencisë Reuters se “mundësia e heqjes së sanksioneve, po krijon shumë pritshmëri, pasi tregtia me vende të tjera dhe investimet do ta lejojnë Iranin të përmirësojë ndjeshëm procesin e nxjerrjes së naftës dhe të ulë koston e prodhimit”.

Kompanitë evropiane të energjetikës “Eni” dhe “Total” kanë punuar në Iran para sanksioneve dhe thonë se janë të gatshme të rikthehen. Po ashtu interes kanë shprehur edhe firmat e tjera si BP, “Ryal Dutch Shel”l dhe “Exxon Mobil”.

Sanskionet e kanë dëmtuar ekonominë iraniane dhe heqja e tyre do t’i jepte asaj një nxitje të madhe, duke u hapur rrugën investimeve ndërkombëtare dhe duke shtuar shpenzimet e konsumatorëve iranianë.

Analistë të biznesit si Charles Robertson dhe Daniel Salter me bankën e investimeve “Renaissance Capital”, thonë se Irani është tregu më i rëndësishëm botëror i mbyllur ndaj investitorëve të huaj. Por kjo mund të ndryshojë në fillim të vitit 2016, në se hiqen sanksionet.

Firma të njohura ndërkombëtare janë në pritje të fillimit të shitjeve për qeverinë iraniane dhe për 80 milionë konsumatorët e Iranit. Ministri iranian i Transportit thotë se vendi ka nevojë të zëvendësojë 400 aeroplanë të vjetëruar gjatë dekadës së ardhshme, për një kosto prej 20 miliardë dollarësh. Marrëveshja e Vjenës, po ashtu do të zhbllokonte rreth 100 miliardë dollarë në llogari iraniane të bllokuara në bakat e huaja.

Firmat e prodhimit të makinave Renault dhe Peugeot, kanë rifilluar bisedimet me partnerët iranianë për prodhimet e tyre. Po ashtu, firmat amerikane mund të hyjnë në tregun Iranian.

Firma kërkimore “Euromonitor” parashikon që shitjet e bulmeteve evropiane në tregun iranian, mund të kapin shifrën e 18 miliardë dollarëve deri në vitin 2020. Një rritje 9 herë më shumë nga sa janë sot.

Zëri i Amerikës,  15.07.2015