Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Zv.Ministri Bejtja raporton në komisionin parlamentar

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut shqyrtoi dhe miratoi projektligjet  për ratifikimin e dy marrëveshjeve të rëndësishme me Republikën Federale të Gjermanisë.  E para është marrëveshja për projektin “Efiçenca energjitike përmes sektorit bankar”, ndërsa e dyta është “Efiçenca energjitike- programi për sektorin e transmetimit të energjisë”.

Zv/ministri i Energjisë dhe Industrisë Z.Ilir Bejtja shpjegoi para deputetëve marrëveshjet, të cilat sipas tij kanë për qëllim jo vetëm mbështetjen ndaj sistemit energjitik, por edhe rritjen e bashkëpunimit midis sektorit publik të prodhimit, transmetimit e shpërndarjes së energjisë elektrike dhe atij privat.

Sipas tij, vendosja e një fondi efiçence nëpërmjet sistemit bankar, garantuar edhe në marrëveshjen me qeverinë gjermane do të krijojë mundësinë e mbështetjes së projekteve në kushtet e efiçencës, jo thjesht për gjeneruesit publikë, por dhe për ata privat.

Z.Bejtja nënvizoi se qëllimi i projektit është aplikimi me impakt të gjerë dhe të qëndrueshëm i instrumentit financiar në sektorin bankar shqiptar.

“Qëllimi është dhënia e mbështetjes për investime që shkojnë drejt kursimit të energjisë në sipërmarrjet e vogla e të mesme, në banesat private apo edhe në godinat e njësive vednore. Aplikimi i këtij instrumenti do të çojë si në thellimin, ashtu dhe në zgjerimin e sistemit financiar shqiptar. Do të ndikojë edhe në reduktimin e konsumit të energjisë duke ndikuar edhe në mbrojtjen e klimës. Pra, ky financim i shkon bankave të nivelit të dytë, të cilat do të mbështesin në mënyrë specifike projektet në fushën e efiçencës pa bërë dallim midis operatorëve privatë dhe publik”, sqaroi z. Bejtja.

Duke u ndalur në një tjetër marrëveshje me qeverinë gjermane, Z.Bejtja tha se janë edhe 20 milion euro të cilat do të shërbejnë për garantimin e sigurisë në Kaskadën e Drinit.

“Një grant i cili shërben për mbarëvajtjen e Kaskadës së Drinit, për sigurinë në diga dhe kjo është në vazhdim të një marrëveshje financiare të vitit 2009 që ne kemi pasur me KfW-në dhe me qeverinë gjermane,” nënvizoi z.Bejtja.

Marrëveshja e tretë me qeverinë gjermane i referohet efiçencës së energjisë elektrike në transmetim dhe kompleton kuadrin e plotë duke prekur gjenerimin, transmetimin dhe shpërndarjen.

energjia.al  14.07.2015